Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të vrarë dy persona, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 14:25, Stacioni Policor në Gjilan ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe dy prokurorë të Shtetit. Aty është gjetur i vrarë një burrë rreth 30-vjeçar, brenda një veture.
Ndërkohë, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është sjellë pa shenja jete edhe një grua rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se është vrarë nga i njëjti person i dyshuar.
Një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sipas informatave fillestare të Policisë, dyshohet se mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Motivi i kësaj ngjarjeje ende nuk dihet.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, që dyshohet se është përdorur në rast.
Hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes./Gjilani Info/


