Komuna e Kamenicës po vazhdon investimet në përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit, me fokus në rritjen e qasjes në ujë të pijshëm dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Në kuadër të këtij angazhimi, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me drejtorin Zotrim Kastrati dhe kryeshefin e KRU “Hidromorava”, Ymer Salihu, ka inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në fshatin Grizime
Projekti, në vlerë prej 170 mijë eurosh, parasheh shtrirjen e rreth 2,900 metrave të rrjetit të ujësjellësit, duke mundësuar kyçjen e 170 ekonomive familjare në sistemin e furnizimit me ujë.
Ky investim synon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët e fshatit Grizime.
Gjatë inspektimit u bë e ditur se punimet janë duke vazhduar, ndërsa Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve infrastrukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve./Gjilani Info/







