Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë ditëve të fundit në disa qytete të Kosovës, ku viktima kanë qenë kryesisht gra. Rastet janë evidentuar në Graçanicë, Prishtinë, Lipjan, Istog dhe Skenderaj.
Në Graçanicë një grua ka raportuar se i dyshuari, në gjendje të dehur, kishte hyrë në tarracën e banesës së saj dhe me një shishe qelqi kishte thyer dritaren, si dhe kishte dëmtuar automjetin e saj. I dyshuari është arrestuar dhe alkooltesti ka rezultuar me 1.39 promil alkool në gjak. Me vendim të prokurorit, pas këndelljes, ai është dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike dhe fizike ndaj një gruaje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast në Prishtinë, ka të bëjë me një grua të dyshuar se ka sulmuar fizikisht një burrë. Nuk raportohet për të lënduar. Pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në Lipjan një grua ka raportuar se në vazhdimësi ishte viktimë e dhunës psikike nga një person i dyshuar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Në Istog, një grua ka njoftuar policinë se pas një mosmarrëveshjeje ishte sulmuar fizikisht nga një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Skenderaj një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima nuk ka pranuar të dërgohet për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është ende në kërkim nga policia. Për viktimën është caktuar edhe urdhër mbrojtës.
Rastet e raportuara edhe një herë e vënë në pah shqetësimin për dhunën brenda familjes, e cila në forma të ndryshme vazhdon të prekë familje në pjesë të ndryshme të Kosovës./Gjilani INFO/


