Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka publikuar bilancin e aktiviteteve në trafikun rrugor për periudhën 24–30 korrik 2026, gjatë së cilës janë shqiptuar 1,994 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit.
Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar gjithsej 59 aksidente trafiku, prej të cilave 40 me dëme materiale dhe 19 me persona të lënduar.
Po ashtu, në kuadër të kontrolleve të shtuara në trafik janë shqiptuar:
– 29 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë;
– 37 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes;
– 62 masa ndalimi të drejtimit të mjeteve motorike ndaj ngasësve që kanë kryer shkelje të rënda.
Policia Rajonale e Gjilanit u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë.
“Uleni shpejtësinë. Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë. Mos përdorni telefonin gjatë vozitjes, vendosni rripin e sigurimit, respektoni këmbësorët, sinjalistikën rrugore dhe semaforët. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Policisë./Gjilani INFO/


