Përfaqësues të NPL “Tregu” Sh.A. kanë zhvilluar një inspektim në terren për të vlerësuar gjendjen e hapësirave publike dhe nivelin e mirëmbajtjes në zonat që mbulohen nga kjo ndërmarrje.
Vizita është realizuar nga Koordinatori i Departamentit të Hapësirave Publike dhe Zyrtari për Logjistikë, të cilët kanë monitoruar punën dhe kushtet në disa lokalitete të komunës së Gjilanit.
Gjatë inspektimit janë vizituar fshatrat Perlepnicë, Malishevë, Llashticë, Zhegër, Haxhaj, Demiraj, Pidiq dhe Cërnicë, si dhe zonat përreth Liqenit të Perlepnicës dhe Liqenit të Livoqit.
“Sipas vlerësimeve të bëra në terren, punëtorët e angazhuar në mirëmbajtjen e hapësirave publike janë gjetur duke kryer detyrat e tyre në mënyrë të rregullt dhe me përkushtim. Po ashtu, është konstatuar se gjendja e përgjithshme e këtyre hapësirave është në nivel të kënaqshëm“ ka thënë U.d. Kryeshefi Ekzekutiv i NPL “Tregu”, Bajram Isufi.
Ndërkaq, ka theksuar se NPL “Tregu” do të vazhdojë edhe në të ardhmen me inspektime, me qëllim të monitorimit të vazhdueshëm të punëve në terren dhe ruajtjes së një ambienti sa më të pastër dhe të rregullt për qytetarët./Gjilani INFO/









