Policia Rajonale në Gjilan ka rikthyer vëmendjen te rreziku i përdorimit të telefonit mobil gjatë vozitjes, duke u bërë thirrje shoferëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes maksimal në komunikacion.
Në njoftimin e publikuar, Policia thekson se përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit, si mbajtja e tij në dorë apo përdorimi i pajisjeve që shpërqendrojnë vozitësin, ndalohet me ligj pasi cenon sigurinë në rrugë dhe ul mundësinë e reagimit në kohë.
Autoritetet kanë sqaruar edhe masat ndëshkuese për ata që kapen duke shkelur këtë rregull.
Për shkeljen e parë parashihet gjobë prej 100 euro dhe një pikë negative.
Në rast se kundërvajtja përsëritet për herë të dytë, shoferi dënohet me 200 euro gjobë, dy pikë negative dhe ndalim të drejtimit të automjetit për tre muaj.
Ndërsa për shkelësit që përsërisin kundërvajtjen më shumë se dy herë, parashihet gjobë prej 500 euro, ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj dhe tri pikë negative.
Policia e Gjilanit u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, duke theksuar se respektimi i rregullave ndikon drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore./Gjilani INFO/


