Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Gjilan, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 08 maj – 14 maj 2026 janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 549 gjoba trafiku në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 10 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 14 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, njësitet e trafikut kanë shqiptuar: 11 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 5 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes,
24 gjoba për modifikim të automjeteve me folje të errëta,
si dhe janë shqiptuar masa ndalimi të drejtimit të mjeteve motorike për 42 ngasës.
Policia rajonale ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të ulin shpejtësinë, duke theksuar se “shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë”.
Tutje, policia ka kërkuar nga qytetarët që të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurisë dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve dhe sinjalistikës rrugore.
“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Policisë./Gjilani INFO/


