Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe Kolegji AAB kanë nënshkruar aneks-marrëveshjen për organizimin e përbashkët të Shkollës Verore në kuadër të projektit Erasmus+ KO-in-EU 2026, që do të mbahet në Kolegjin AAB në periudhën 1–12 qershor 2026.
Kjo marrëveshje e nënshkruar nga Rektori i UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Rektori i AAB-së Dr. Sc. Blerim Olluri, synon fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim akademik dhe profesional për studentët, me fokus të veçantë në proceset e integrimit evropian, qeverisjen dhe transformimin institucional në Kosovë.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, tha se ky bashkëpunim në kuadër të KO-in-EU 2026 përbën një mundësi të rëndësishme për studentët dhe stafin tonë akademik që të jenë pjesë aktive e diskutimeve mbi integrimin evropian, vlerat demokratike dhe transformimin institucional.
Në kuadër të kësaj shkolle verore, përfitues do të jenë edhe studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, duke u përfshirë në mënyrë aktive në ligjërata, punëtori dhe aktivitete akademike së bashku me studentë dhe staf akademik nga institucione të tjera pjesëmarrëse.
Nga ky projekt pritet të përfitojnë rreth 40 studentë nga fushat e shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, ekonomisë dhe juridikut.
Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve synon thellimin e partneritetit akademik dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, me fokus në projekte shkencore dhe hulumtuese, si dhe në përfshirjen aktive të studentëve dhe stafit akademik./Gjilani INFO/





