Universiteti Publik ‘Kadri Zeka’ po merr pjesë në edicionin e 10-të të aktivitetit ndërkombëtar “Staff Week”, i cili po mbahet në Universiteti “Angel Kanchev”, ku po prezantohen universitete nga 23 vende të ndryshme të botës.
Në këtë ngjarje, UKZ u përfaqësua nga U.D. Udhëheqësi për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, Betim Berisha, i cili prezantoi të arriturat, sfidat dhe objektivat e ardhshme të universitetit. Gjatë prezantimit, theks i veçantë iu kushtua lehtësimit të proceseve për studentët, avancimit të shërbimeve për stafin akademik dhe administrativ, si dhe zhvillimeve të vazhdueshme institucionale.
Po ashtu, u prezantuan edhe bashkëpunimet e deritanishme të universitetit me institucione vendore dhe ndërkombëtare, duke dëshmuar përkushtimin e UKZ-së në fuqizimin e partneriteteve akademike dhe rritjen e prezencës së saj në arenën ndërkombëtare.
Ky prezantim dhe zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të menaxhmentit të universitetit për ndërkombëtarizimin e institucionit, krijimin e partneriteteve të reja strategjike dhe rritjen e mundësive për studentët dhe stafin akademik.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për forcimin e rrjetit akademik ndërkombëtar dhe krijimin e partneriteteve të reja. Nga takimet e realizuara gjatë qëndrimit në Ruse, pritet që të konkretizohen edhe marrëveshje të reja bashkëpunimi me universitete nga Turqia, Malajzia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Portugalia./Gjilani INFO/




