Shefqet DIBRANI
Nijazi Ramadani, “IMAZHE KOHE”, (Poezi: 1978-2008), botoi Shtëpia Botuese “RRJEDHA”, Gjilan, 2008, faqe 52. ISBN 978-9951-453-05-9
Libri “Imazhe kohe” nga poeti Nijazi Ramadani, është i ndarë në tre cikle poetike: “Dhimbje shpirti”, “Jetë e përmbysur” dhe “Letra kohe”. Këto ndarje ndërtojnë së bashku një strukturë triptiku të vëllimit poetike, vargë i kujtesës, qëndrimit dhe përjetësimit. Këto tri elemente, “kujtesë, qëndrim dhe përjetësim”, përbëhen nga tri faza të një udhëtimi duke nisur nga trauma, për tu përballur me sfidat e jetës, dhe faza frytëdhënëse është reflektimi dhe dashuria. Në këtë kuptim, poezia e Nijazi Ramadanit lexohet si një rrëfim i përshkallëzuar i identitetit nacional, ndërsa vargu lirik ecën nga klithma kolektive drejt fjalës së qetë poetike, pa e humbur asnjëherë peshën morale dhe historike të saj.
Cikli i parë, “Dhimbje shpirti”, përjetohet siku të ishte epiqendra emocionale e tërësisë poetike. Vëllimi hapet me poezinë “Imazhi gri”, (f.7), ku atmosfera e traumës mbetet dhimbje e pashlyeshme. “Imazhi gri” nuk është vetëm një figurë ngjyrash, por një gjendje ekzistenciale: “Mbaj një gur n’zemër për ty/ Ndër mote pushon imazhi gri…”, (po aty, f.7). Në këtë varg guri në zemër është metaforë e kujtesës për një dhimbje që nuk tretet as nga koha. Te poezia “Rozafa e ringjallur”, (f.8), shfaqet figura e Rozafës, që është simbolika kryesore e këtij cikli. Poeti Nijazi Ramadani, nuk e ka trajtuar Rozafën vetëm në kontekstin e mitit, por si “nënë” universale, dhe e pavdekshme: “Është Rozafa e Ringjallur/ Me ëndrra të rënduara/ ecën përtej vegullisë”, (po aty, f.8). Në këtë poezi Rozafa nuk është më gruaja e murosur, por është vetë historia e Arbërit, që ecë “këmbëzvarrë” nëpër stinët e vitit, duke i bartur plagët e kohës dhe të një kombi, prandaj ajo flet me “zemër të ngrirë”, sepse dhimbja e saj është universale.
Në poezinë “Pamje e ngrirë”, (f.9), poeti zhvendos ligjërimin në një dimension metafizik, ku koha shndërrohet në “kohë mitologjike” dhe shikimi në relikt: “Relikt i kristaltë/ Në një mur sy-jeshil/ Qiell i çiltër/ Pamje e ngrirë”, (po aty, f.9), me vargun mjaftë tronditës, “Ku janë murosur shpirtrat Rozafë”, (po aty, f.9), duke e shndërruar mitin në realitet bashkëkohor, ndërsa Rozafa vazhdon të jetoj në vargun e poezisë si harresë e një dhune mitologjike. Në poezitë “Pikë e pesë”, (f.10) dhe “Dhimbje shpirti”, (f.11), poeti Nijazi Ramadani ndërton një bosht më të forta tematik. Si duket për poetin Itaka është origjinë e identitetit, “Secili do të arrin në Itakën e vetë një ditë, veç pikë e pesë është bërë fisi im”, (parafrazuar, f.11), kurse referenca për Homerin dhe ADN-së e shndërrojnë dialogun real në mes mitit antik dhe të tashmës moderne, siç shprehet në vargje: “Pa analiza të ADN-së/ Pa dhimbje shpirti”, (f.11). Poezitë “Si pa mend…”, (f.12); “Shi mbi muranë”, (f.13); dhe “Zari i zi”, (f.15), e lidhin poezinë e Nijazi Ramadani me fatin e etnisë ndër shekuj: “Zari i zi troket shekujve/ Katërcipërisht me rrapëllimë…”,(po aty, f.15). Brenda ciklit të parë janë edhe poezitë me motiv epik: “Cep i epërm i Arbërit”, (f.16); “Përjetësia”, (f.17) dhe “Pranverat e Arbërit”, (f.18), të cilat e kompletojnë edhe më tej mozaikun e motiveve. Në përgjithësi, nëpër poezitë e këtij cikli duket se dhimbja nuk është gjendje shpirtërore, por një formë njohjeje, për lexuesin e saj. Kujtesa e njeriut nuk shëron plagët, por ajo mban të zgjuar vetëdijen e njeriut. Itaka shfaqet për herë të parë si mungesë, si rrënjë e copëzuar, apo siç shprehet poeti “pikë e pesë”, ndërsa Arbëri është një hapësirë e rrezikuar nga harresa. Në këtë rast, fjala poetike e Nijazi Ramadanit është klithmë, është elegji dhe është akt i rezistencës nacionale, që refuzon normalizimin e dhunës historike, pa kërkuar dhunuesi falje.
Në cikli e dytë, “Jetë e përmbysur”, ligjërimi poetik i Nijazi Ramadanit zhvendoset nga kujtesa e dhimbjes drejt jetës së jetuar nën peshën e përditshmërisë. “Itaka ime me fytyrë lirike/ Lidhur me legjenda epike/ Lexuar në figurën trime/ Shkruar përjetësisht/ Në rrugën time”, (fa.22). Pastaj figura e shtëpisë, murit, gurit dhe oxhakut e ndërtojnë simbolikën e qëndrueshmërisë, ndërsa “pragu i djegur”, (po aty, f.22) dhe “oxhaku zi e gjak”, (f.22), dëshmojnë se kjo qëndrueshmëri është paguar me shkatërrim. Heshtja këtu nuk është boshllëk, por gjuhë e traumës: “Heshtja flet te prag i djegur/ Mes oxhaku zi e gjak”, (f.22). E kjo Itakë, e poetit Nijazi Ramadani, është e përmbysur, e rrënuar, e mbushur me heshtje dhe me mure ku brenda tyre dominon heshtja. Në këtë cikël poezitë hyjnë në listën e epikës moderne, ku Itaka nuk është më vetëm mit, por shtjellohet si një hapësirë konkrete e rrënimit dhe qëndresës. Poezia “Itaka ime”, bëhet qendra semantike e tërë ciklit të dytë: shtëpi, mur, oxhak, gur e lisi, janë simbole të një atdheu që mbijeton përmes sakrificës. Edhe në vargjet në vijim, Itaka shfaqet si hapësirë e përmbysur nga historia: “Itaka ime e rrënuar/ Gjithandej vetëtimë/ Shpirt shkrumbuar”, (f.23), dhe “Atje shuan etjen Akili/ Dhe i’ malësor me plis/ Atje i’ zog shqiponje/ Një çerdhe ngre në lis”, (f.24). Në këtë rast shtrohet pyetja nëse autori ka shprehur një “mallkim historik”, apo ka shprehur një “zjarr që nuk i shuhej”, pasi vargjet shprehin dramën kolektive dhe identitetin nacional në kohën post-traumatike. Poezi të tjera janë: “Pa titull”, (f.25); “Do të vijë me lirinë”, (f.26); “Homazh për Arbenin”, (f.27); “Jetë e përmbysur”, (f.29), si dhe poezia “Portret për luftëtarin”, (f.30), sidomos kjo e fundit e bënë porteretin e dëshmorit dhe luftëtarit mjaftë të dalluar, madje poezia ngritet në nivel betimi. Në anën tjetër edhe liria shfaqet si vlerë absolute, e paguar me jetë, sepse sipas poetit dhe këtyre poezive, jeta pa liri përkufizohet si ekzistencë e errët, e mbytur dhe madje në formë eklipsi. Prandaj poezia e Nijazi Ramadanit, ka marrë funksionin e kodit etik dhe të qëndresës shqiptare.
Në ciklin e tretë, “Letra kohe”, te vëllimi “Imazhe kohe”, vërehet një kthesë drejt poezisë intime me një reflektimit etik. “Njoha shpirtin tënd/ Tek e lexova përmes vuajtjeve/ Gëzimeve dhe hidhërimeve”, (poezia “Vargje për ty”, f.33), nuk është refren spontan, por e pjekur nga vuajtja dhe koha. Kujtimi këtu nuk është faj, është përgjegjësi: “As në kujtimet e mia/ Që i shkruaj në letra”, (po aty, f.33). Pos atyre vargjeve me motiv epik, dhe disa të tjerave me motivin e dhimbjes e të përmbysjes, në poezitë e këtij cikli, përjetohet një qetësi e konsoliduar, ku fjala e shprehur shndërrohet në letër të shkruar, i vetëdijshëm se edhe kur koha do ta harron poetin, libri “Imazhe kohe”, do ta rikthen kujtesen tek autori, sidomos poezitë: “Portreti yt”, (f.34); “Unë nuk jam si ti”, (f.35); “Në mua je”, (f.36); “Ardhja e vjeshtës”, (f.37), dhe poezia “Natë dimri”, (f.38), kurse poezia, “Kush është Arbëri?”, (f.39), është emblematike, sepse edhe ashtu i mbyll poezitë e librit “Imazh kohe”. Në vargjet: “Arbëri është dëshmor lirie…/ Arbëri është atdheu!”, (po aty, f.39), “Arbëri” shndërohet në një subjekt kolektiv, siç thuhet në vargun “det që kurrë nuk shteret”, (po aty, f.39), ose në vargun përmbyllës “Jemi dhe ne,/ Me të dashurit tanë/ Me të bukurin atdhe…”, (po aty, f.39), e kanë rikthyer subjektin epik, te motivi i dashurisë dhe i përgjegjësisë për Atdheun.
Prandaj, libri dhe ky lexim, e përkujtojnë poetin përmes mënyrës së artit letrar, duke u rikthyer te koha e dashurisë dhe e ekzistencës fizike të poetit Nijazi Ramadani. Sipas këtij vlerësimi, autori i këtyre poezive nuk ka nevojë të idealizohet, mjafton poezia e tij të lexohet dhe të kuptohet, pasi për secilin lexues të tyre do të manifestohet një njohje edhe më e plotë e njeriut-poet, me dritëhijen e tij. Sëkëndejmi identiteti kulturor i poetit artikulohet përmes një formule morale “Unë nuk jam si ti”, (f.35), kurse stinët e vitit në poezinë e këtij poeti, shndërrohen në gjendje shpirtërore. Ta zëmë në poezinë “Kush është Arbëri?”, (f.39), identiteti kolektiv përmblidhet në një korpus kuptimesh: njeri, dëshmor, atdhe, det, zog, pra një përkatësi e hapur dhe e gjallë. Ky vëllim poetik e bënë epikën ma humane, duke e kthyer historinë në përgjegjësi personale, dhe atdheun në dashuri të përhershme.
Në përfundim: Vëllimi me poezi “IMAZHE KOHE”, shprehin aktin më të sigurt të përjetësisë së poetit Nijazi Ramadani, sepse po të mos ishte poezia dhe libri i tij, ky vlerësim për “Njeriun” do të merrte formën e lamtumirës së përhershme, ndërsa në rastin konkret, Poeti Nijazi Ramadani, do të kujtohet sa herë të lexohet vepra e tij, sidomos tash e tutje kur prezenca e tij fizike mungon. Nga ky këndëvështrim shohim se poeti e ka ndërtuar një poetikë të qëndrimit: Cikli i parë, flet me zërin e plagës; Cikli dytë me zërin e përballjes, dhe Cikli i tretë është zëri i tij i ndërgjegjes. Ky udhëtim kritik në poezinë e Nijazi Ramadanit, duket sikur njeriu po niset nga errësira drejt dritës së brendshme, pa e mohuar kurrë plagën fillestare. Dhe “poezia-poeti”, s’bashku janë forma e qenies dhe e ekzistencës. Poezia e Nijazi Ramadanit ngulmon të mbetet dëshmi, kujtesë dhe zjarr që nuk shuhet!…
St. Gallen, 18 janar 2026.
* Ky vlerësim kritik, në një trajtë më të shkurtuar, për librin “IMAZHE KOHE”, nga Nijazi Ramadani, (14.02.1964 – 22.11.2025), është lexuar në takimin përkujtimor që mbajti familja e tij me rastin e vdekjes së poetit. Sot më 18 janar 2026. Shoqata Kulturore Shqiptare “SHARRI”, Lee 1551, CH-9304 Waldkirch, Zvicër.


