Close Menu
Gjilani Info
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina
Të reja

Alban Hyseni: Bashkë me kryeministrin Albin Kurti të marrim pjesë në përurimin e dronit “Skifter”

November 8, 2025

Arbër Ismajli: Velekinca dhe çdo fshat i komunës do të kenë zërin e tyre të dëgjuar dhe vendimmarrës në qeverisjen tonë

November 7, 2025

Aktivitete zgjedhore të Alban Hysenit – vizita në biznese, në Zhegër, Velekincë…

November 7, 2025
Facebook X (Twitter) Instagram
Të fundit
  • Alban Hyseni: Bashkë me kryeministrin Albin Kurti të marrim pjesë në përurimin e dronit “Skifter”
  • Arbër Ismajli: Velekinca dhe çdo fshat i komunës do të kenë zërin e tyre të dëgjuar dhe vendimmarrës në qeverisjen tonë
  • Aktivitete zgjedhore të Alban Hysenit – vizita në biznese, në Zhegër, Velekincë…
  • Arbër Ismajli: Kjo është fitore e zemrës, e djersës dhe e dashurisë për fanellën bardhekaltër!
  • Mbahet aktiviteti për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore
  • Kryetari Hyseni: Zjarrfikësit, heronjtë tanë!
  • Prokuroria e Gjilanit ka ngritur 5 aktakuza kundër 10 personave për vepra të ndryshme penale
  • Asambleja e Përgjithshme e EU STEM Coalition në Bruksel – UKZ përfaqëson Kosovën në zhvillimin e politikave evropiane për STEM
Facebook X (Twitter) Instagram
Gjilani InfoGjilani Info
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina
Gjilani Info
Home»Opinione»Koha për bashkim
Opinione

Koha për bashkim

adminBy adminNovember 29, 2022No Comments
Facebook Twitter Pinterest LinkedIn WhatsApp Reddit Tumblr Email
Share
Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

 

Shpendi Topollaj

Nuk dua të zgjatem në këtë shkrim, duke kujtuar poshtërsitë e dhelpëritë e diplomacisë evropiane që në kundërshtim me realitetin, dëshirën, sakrificat, përpjekjet dhe deri luftërat e shqiptarëve për liri e bashkim kombëtar, lanë jashtë trojeve tona Kosovën dhe Çamërinë, pa folur për treva të tjera historikisht shqiptare.

Nuk do të ndalem as te momenti i aneksimit të Kosovës Mbretërisë Shqiptare në vitin 1941, pasi ashtu i leverdiste Viktor Emanuelit të tretë, gjë që nuk e ndryshuan as pushtuesit nazistë. Po ashtu, nuk dua ta lodh lexuesin me lënien e Kosovës nga ana e komunistëve shqiptarë, nën tutelën e Jugosllavisë së Titos.

Ajo që më detyron të ngre zërin si qytetar i këtij vendi është e vërteta e trishtueshme se përse edhe sot e kësaj dite, kur Kosova është shtet që fitoi pavarësinë e vet pasi iu kundërvu trimërisht, diskriminimit, reprezaljeve, krimeve, vrasjeve, djegieve, përzënieve masive, pra, gjenocidit të bishave të Sllobodan Millosheviqit, e ndihmuar energjikisht nga forcat e NATO-s dhe kur ajo është njohur nga shumë e shumë shtete me peshë në politikën dhe ekonominë e botës mbarë, diplomacia ndërkombëtare dhe kryesisht ajo evropiane heshtin për bashkimin e saj me atdheun amë.

Kur Federata e Jugosllavisë u shpërbë dhe republikat e saj fituan pavarësinë, ata fuqishëm e mbështetën veprimin e tyre më se normal, bazuar kjo jo vetëm në të drejtën e Zotit, por edhe në kartat e të drejtave të njeriut për vetëvendosje, të pranuara njëzëri deri edhe nga OKB-ja. Mundet që pas kasaphanës së ushtruar nga makineria ushtarake serbe dhe nevojës së ngritjes së organeve të reja të pushtetit, të ishte plotësisht e arsyeshme dhe e justifikuar vendosja e mbikëqyrësve ndërkombëtarëve në Kosovë, si KFOR, UNMIK, EULEX.

Por, sot, kur pas 17 shkurtit të 2008-ës ka kaluar një kohë e gjatë dhe populli kosovar ka treguar me vepra se di të vetëqeveriset me dinjitet e qytetari si të gjithë vendet e tjera, përse nuk i jepet mundësia të ushtrojë të drejtën e një plebishiti për të shfaqur dëshirën e të ardhmes së vendit të tyre, e cila e thënë troç; është ajo e bashkimit me Shqipërinë.

Kjo e drejtë është ushtruar të paktën qysh nga shekulli XVIII, kur Franca e kërkoi atë si shprehje e vullnetit të popullit për të kaluar sovranitetin e një territori diku tjetër (Nica, Savoja). Sa shembuj ka bota me ndarje e bashkime si rezultat i vullnetit të njerëzve të lirë, të cilët kanë shumë të përbashkëta.

Kjo është krejt normale dhe askujt nuk i ka prishur ndonjë punë. Po të jetë e bashkuar edhe Kosova me Shqipërinë, jo vetëm që do të ndreqej padrejtësia flagrante njëshekullore, por shumë më mirë do të edhe për stabilitetin e Ballkanit. Në qoftë se ende mendohet gabimisht se kështu do t’i zbusim e tërheqim nga vetja serbët, duke i larguar ata nga ndikimi rus, kjo do të ishte naive.

Por, më shumë se te ndërkombëtarët, personalisht e shoh të keqen te qëndrimi i gabuar i politikanëve tanë, dhe sidomos te deputetët, sido që ata e kanë treguar mefshtësinë e tyre jo vetëm në mosngjitjen në foltoren e Parlamentit, por edhe me lënien e sallës thuajse fare bosh atë ditë të javës kur ka seancë. Patjetër që edhe ata e duan atdheun e kombin të bashkuar, por ama janë votuar për t’i dalë për zot dhe jo vetëm për të ngritur kartonët.

Dhe, kur flas për politikanët, kam parasysh edhe ata të Kosovës, si dhe intelektualët në përgjithësi, të cilët duhet ta thonë fjalën e tyre sa më shumë, pasi janë edhe të zhveshur nga interesat apo ambiciet për pushtet. Duket se të dyja palët e burrashtetasve tanë, pra, andej e këndej kufirit absurd, janë pajtuar me këtë situatë, pra, me shtëpinë e ndarë më dysh, e cila vështirë të qëndrojë në këmbë, siç shprehej Presidenti Abraham Linkoln në 17 qershor të vitit 1858 në Springfild të Ilinoisit.

Por, a kanë menduar ndonjëherë ata se heshtja jonë për domosdoshmërinë e bashkimit, nga ndërkombëtarët përkthehet si pajtim me këtë situatë gjysmëekzistencë. Justifikimi se kur të futemi në BE, atëherë edhe bashkimi do të vijë vetiu, më duket si një përrallë e bukur dhe aspiratë hipotetikisht e mundshme për t’u realizuar “ad kalendas graecas”.

Ai bashkim nuk u bë kur u derdh gjaku lumë e jo siç po gënjejmë veten, nga dashamirësia e atyre që aktualisht luajnë me ndjenjat e kosovarëve duke i lënë të vetmit në Evropë, që nuk mund të lëvizin pa viza. Ai bashkim nuk u arrit pas Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, kur vendi kishte trima të mençur e të çartur, nuk u arrit në vitin 1912 kur u shpall Pavarësia, po ashtu mbeti në letër pas Konferencës së Bujanit në janar të vitit 1944, kurse tani do na bjerë nga qielli.

Ajo që bën përshtypje është fakti se në kushte aspak të favorshme, dolën atdhetarë trima që me guximin e tyre bënë histori si Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Haxhi Zeka, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, çifti legjendar Galica, Hasan Prishtina, e deri Adem Jashari me shokë, kurse sot që rrethanat politike, ushtarake e diplomatike janë shumë më të favorshme, në një botë më demokratike, askush nuk e hap gojën.

Përkundrazi, thellohet ndarja duke vendosur trarë pagesash, përçahen drejtuesit e Kosovës me qëndrime të njëanshme, kacafyten me ta me akuza, sharje e fyerje duke ju drejtuar edhe gjyqeve, ndërkohë që koketohet me Vuçiqin që e quajnë mik të tyre dhe me të cilin kërkojnë bashkëpunim në një Ballkan të hapur, pa dëshirën e vetë Kosovës, dhe nuk shprehen edhe kur ky i fundit kërkon e sajon pretekste të pa arsyeshme për t’i fajësuar kosovarët për dështim bisedimesh etj. Po diplomacia jonë përse nuk është më aktive në punën e saj për shtimin e numrit të vendeve që e njohin shtetin e pavarur të Kosovës? Ajo duhet ta kuptojë se kjo është për të detyrë e dorës së parë.

Nga ana tjetër, çfarë e pengon kryerjen e veprimtarive politike, kulturore, shkencore, historike, artistike e deri sportive mes nesh? Kushdo që ka qenë qoftë edhe një herë të vetme në ndonjë qytet a fshat të Kosovës, patjetër që e ka parë dashurinë e flaktë për Shqipërinë dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Mjafton të shohësh vetëm emrat që atje u vënë fëmijëve dhe do bindesh për këtë, apo ekspozimin e simboleve tona, nga flamuri kombëtar kuq e zi, te portretet e Skënderbeut, Nënë Terezës e Ismail Qemalit.

Nga ana tjetër, edhe shqiptarët e kanë treguar dashurinë për vëllezërit e motrat e Kosovës qartazi, kur hordhitë fashiste serbe i përzunë ata me dhunë nga Dardania e tyre mijëravjeçare, pra, shumë më parë nga mbretërimi i Longarit, Monunit e Batos. Po kalojnë disa breza dhe shqiptarët presin e presin të bëhet bashkimi. Po nga kush do të vijë ky bashkim, po nuk u përpoqëm vetë ne? Humbet kohë për negociata të kota midis Kosovës e Serbisë, të cilat nuk të çojnë askund në vend që këto negociata të bëhen mes Shqipërisë e Kosovës për të gjetur modalitetet e bashkimit tonë. Ne, edhe në preambulën e Kushtetutës tonë e kemi të shkruar:

“Ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit… me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitet dhe bashkim kombëtar …”.

Pra, kur edhe me ligjin themelor e kemi të sanksionuar synimin për bashkim kombëtar, çfarë na pengon për ta kërkuar me këmbëngulje dhe arsye atë? Kjo çështje, për mendimin tim, duhet të jetë permanente dhe ta kenë në qendër të shqetësimit të tyre politikanët, akademikët, institucionet, mediat vizive dhe të shkruara me gjithë gazetarët dhe opinionistët e tyre dhe patjetër intelektualët e pavarur andej e këndej kufirit.

Krahas veprimeve konkrete që e përgatisin këtë bashkim, kjo do të jetë edhe një kambanë e fortë që me kumbimin e saj do të zgjojë nga gjumi diplomacinë dhe politikën ndërkombëtare për të vënë në vend atë padrejtësi që na është bërë dikur. Atëherë kur copëtimi që iu bë atdheut tonë, më kujton fjalët e Davidit, thënë Baltazarit, djalit të Nabonetos të Babilonisë, që ishte rrethuar nga mbreti Persian Kiri:

“Mbretëria jote është ndarë dhe u është dhënë Medejve”. Por që nga ajo kohë kanë kaluar mbi 2.500 vjet. Me bashkimin e trojeve shqiptare edhe Evropa e vë në vend nderin e saj. Politikanët që e përfaqësojnë atë, pa tjetër e dinë konstatimin e Martin Luther King Jr. se “Nëse diku ka padrejtësi, ajo është kërcënim për drejtësinë kudo”. Ne shqiptarët kemi besim te drejtësia e historisë. Por duhet ta kujtojmë atë!

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Telegram Email
admin
  • Website

Related Posts

Bulevardi i qytetit dhe impakti ekonomik!

September 3, 2025

Cila është marrëdhënja midis shtetit dhe demokracisë?

August 27, 2025

Zjarret nga pabesia dhe tradhëtia

August 22, 2025
Mos humbni
Lajme Lokale

Alban Hyseni: Bashkë me kryeministrin Albin Kurti të marrim pjesë në përurimin e dronit “Skifter”

By adminNovember 8, 2025

Alban Hyseni, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetar të Komunës së Gjilanit Sot ishte…

Arbër Ismajli: Velekinca dhe çdo fshat i komunës do të kenë zërin e tyre të dëgjuar dhe vendimmarrës në qeverisjen tonë

November 7, 2025

Aktivitete zgjedhore të Alban Hysenit – vizita në biznese, në Zhegër, Velekincë…

November 7, 2025

Arbër Ismajli: Kjo është fitore e zemrës, e djersës dhe e dashurisë për fanellën bardhekaltër!

November 7, 2025
Na ndiqni:
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
Demo
RRETH NESH
RRETH NESH

Agjencia e lajmeve Gjilani INFO

Materialet dhe shkrimet e kësaj Agjencie mund të përdoren vetëm duke iu referuar qartë burimit të informacionit. Të drejtat janë të rezervuara.

Botues: HESET ZYMBERI

Email: [email protected]
[email protected]
[email protected]

Kontakti: O44176808

Facebook X (Twitter)
Më të popullarizuarat

Alban Hyseni: Bashkë me kryeministrin Albin Kurti të marrim pjesë në përurimin e dronit “Skifter”

November 8, 2025

Arbër Ismajli: Velekinca dhe çdo fshat i komunës do të kenë zërin e tyre të dëgjuar dhe vendimmarrës në qeverisjen tonë

November 7, 2025

Aktivitete zgjedhore të Alban Hysenit – vizita në biznese, në Zhegër, Velekincë…

November 7, 2025
Partnere:
© 2025 Gjilani INFO. Designed by Gjilani INFO.
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.