Nga: Sinan SADIKU
TREGIME QË LEXOHEN ME NJË FRYMË
Muhamet Halili është një shkrimtar, një prozator i cili tashmë e ka krijuar profilin e vet si autor i tregimeve. Kushdo që i ka lexuar librat e tij nuk e ka vështirë ta dallojë një tregim të Halilit edhe nëse aty nuk është i shkruar emri i autorit.
Gjuha e tregimeve të tij është e rrjedhshme pa gabime sintaksore, drejtshkrimorë, logjike … Është e qartë me figura të lehta. Gjuha standarde, e rrjedhshme, figurat e lehta, mesazhi i qartë , temat, motivet dhe ngjarjet e treguara i bëjnë tregimet e tij të këndshme për një shtresë të gjerë të lexuesve.
Tregimet e Halilit janë të lezetshme, qoftë kur në to tregohen ngjarje që lidhen me motivin erotik – dashurinë, me atdhedashurinë ose edhe kur tregohen ngjarje nga e kaluara dhe nga e tashmja e njerëzve të këtij vendi. Realisht shumica janë tregime që lexohen me një frymë.
Në këtë aspekt nuk dallon as libri i fundit me tregime i titulluar “Një emër nga letërnjoftimi” i botuar në prill të këtij viti. Në këtë libër janë sistemuar 12 tregime të cilat shkojnë prej 3 deri në 29 faqe.
Në librin e fundit të Halilit dominojnë tregimet për ngjarje e njerëz që lidhen me luftën e popullit tonë për çlirim nga robëria serbe, për keqtrajtimet, dhunimet dhe vrasjet që i kanë bërë ushtria dhe polica e okupatorit, për pasojat që i kanë lënë veprimet e tilla të pushtuesit, po trajtohen edhe çështje që kanë të bëjnë me deformimet e pasçlirimit, me keqpërdorimet e shumta që i kanë bërë njerëzit e pushtetit dhe ata të cilët duke qenë të lidhur me të tillët janë pasuruar, jo me djersë, por me dredhi e keqpërdorime.
Halili është njohës i periudhës së paraluftës, luftës dhe pasluftës, një intelektual më njohuri të gjera që i njeh njerëzit, ngjarjet dhe kjo i ka ndihmuar që si tregimtar të arrijë t’i thotë ato që ka dashur dhe ka menduar t’i thotë.
Tregimet e tij në shumë aspekte janë realiste dhe shpesh ngjarjet zhvillohen ashtu siç nuk do të donte shkrimtari. Kështu ngjan te tregimi “Kalendari i lirisë” në të cilin tregim përshkruhen mizoritë e policisë dhe ushtrisë serbe ndaj popullatës shqiptare të një fshati të Kosovës. Ushtarët dhe policët serbë e kishin marrë një aksion për t’i vrarë, plaçkitur, dhunuar dhe shpërngulur banorët shqiptarë. Ata vrisnin këdo që mund ta kapte plumbi i tyre: fëmijë, gra, pleq, pa e kursyer askënd. Kështu kishte ndodhë në shumë fshatra dhe pjesë të Kosovës. Popullata për t’u shpëtuar plumbave të armikut kishin vrapuar drejt pyllit. Por shumë njerëz, madje edhe fëmijë në krah të nënave, bashkë me nënat e tyre i kishte kap plumbi i armikut.
Posa mbërrijnë në pyll dhe fshataret vendosen në një vend deri diku të sigurte, 12 të rinj e të reja, të prirë nga Nëntori, pjesëtar aktiv i UÇK-së, organizohen, armatosen, i veshin uniformat e UÇK-së dhe kthehen në fshat për t’i shpëtuar disa të reja të cilat ushtarët dhe policët serbë i ishin mbyllë në shkollë. Të rinjtë e kishin hartuar një plan ushtarak për ta realizuar misionin. Ishte zhvilluar një betejë vërtet heroike që e kishin bërë 12 të rinj e të reja idealistë, atdhetarë që me guxim rinor luftuan për ta realizuar aksionin e tyre. Lufta ishte shumë e pabarabartë. Numri i ushtarëve të armikut ishte shumë më i madh, ishin shumë më të armatosur. Të rinjtë luftuan, rezistuan si heronj të vërtetë, në kushtet kur u mungonte edhe municioni dhe në fund të gjithë ranë për të mos vdekur kurrë.
Këta 12 të rinj ishin atdhetarë, idealistë , njerëz të mirë që sakrifikuan gjithçka, që e dhanë maksimumin e mundshëm për ta realizuar misionin, por raporti i forcave ishte në dëm të tyre. Ata ishin të guximshëm të shkathtë, po nuk ishin mbinjerëz, dhe në fund përkundër rezistencës, përkundër dëmeve në njerëz që ia shkaktuan armikut, ranë në altarin e lirisë.
Ne kemi pas rastin që për luftën e cila na e solli lirinë, për dëshmorët, heronjtë të dëgjojmë këngë të shumta, të lexojmë poezi, tregime, të shohim filma etj. Shumica e këngëve janë folklorike, po edhe shumica e poezive, tregimeve, filmave etj. janë përplot folklor. Luftëtarët paraqiten si shqiponja me krah, si dragonj, si mbinjerëz. Te tregimet e Halilit nuk ndodh kjo. Tregimet e tij janë më të matura, më realiste, ndonëse te tregimi që po e analizoj ka edhe inserte që ka qenë e vështirë të realizoheshin. Dymbëdhjetë të rinjtë armët i sigurojnë pak si lehtë, ndërsa shumica e tyre edhe pse më parë nuk ishin stërvitur për përdorimin e pushkëve ato i përdorin sikur të ishin ushtarë të rryer. Pra, posa i marrin armët brenda pak orëve shkojnë në betejë dhe aty tregohen të shkathët.
Tregimi, edhe pse i ka 29 faqe, lexohet me një frymë. Lexuesi që fillon ta lexojë atë nuk mund t’i ndahet pa e përfunduar sepse i intereson fundi, i intereson fati i të rinjve të cilët ishin plot jetë dhe ëndrra për të ardhmen. Dëshiron të mbijetojnë ata, po në fund bien edhe Nëntori dhe Shkurtja, dy të rinj, dy luftëtarë të dashuruar, të cilët jetën dhe dashurinë ia falën atdheut.
Përfundimi nuk është fatlum as te tregimi “Buzëqeshje në shi”, ndërsa te tregimi “Ëndrra e një sorre” përfundimi është fatlum, me që e pëson ai që ishte vënë në shërbim të okupatorit, ndërsa shpëton vajza e profesorit atdhetar. /GJILANI INFO/