Shkruan: Fitim Çaushi
-Recension i romanit “Pengu Ukshin Hoti ndodhet në Beograd”, i autorit Sefer Pasha
Brenda këtij realiteti tragjik e ka trajtuar prozatori i talentuar Sefer Pasha, protagonistin e romanit “Pengu Ukshin Hoti ndodhet në Beograd”. Autori i ka dhuruar lexuesit një roman sa tragjik aq edhe artistik. Me shumë mençuri dhe saktësi ka shpalosur në mënyrë të qartë në roman, lajtmotivin e jetës së protagonistit; mendimin filozofik të Ukshin Hotit në fushën e filozofisë politike bazuar në prizmin e historisë së popullit shqiptar për çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë.
Dy rrugët e kundërta për çlirimin e Kosovës
Në roman Sefer Pasha përplas mjeshtërisht dy rrugët e kundërta për çlirimin e Kosovës: pacifizmin, propaganduar nga Ibrahim Rugova dhe luftën për çlirimin e Kosovës propaganduar nga Ukshin Hoti qysh në leksionet e tij në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë. Kjo atmosferë dualiste mbetet pezull në roman dhe dilemë e personazheve, që nuk depërtojnë dot në realitetin e ri që po afronte. Autori na bën me dije, se Ukshin Hoti mbrojti publikisht dhe botërisht rrugën revolucionare të studentëve në demostratat e vitit 1981 dhe ishte ky shkaku i burgimeve të tij të gjata. Produkti i këtyre burgimeve, na thotë autori, ishin “dy hone të zeza në vend të syve”, “si dy zgavra të shqyera nga furtuna”. Është e mjaftueshme për autorin portretizimi i gjendjes fizike dhe shpirtërore të protagonistit me një metaforë dhe një krahasim, të cilat japin rezultatin e torturave serbe. Ndërkohë që Bekim Fehmiu i thotë: ”Duhet t’u kthejmë dritën syve të tu”, Ukshin Hoti, të cilin e ndjek prapa demoni i vdekjes, i përgjigjet: “Në sytë e mi nuk mbijnë më lule”.
Por duket, se fillimi i luftës do t’ia sillte dritën e syve Ukshinit: “Tek unë ka filluar të lëviz energjia që t’i përkushtohem luftës e cila po agon. Nuk e di sa kohë do më lërë serbi. Por edhe një ditë po t’më mbetet, më duhet t’ia kushtoj luftës për çlirimin e Kosovës”. Këtu protagonisti del nga inercia dhe vazhdon në mënyrë të ndërgjegjshme aktivitetin e lënë në mes, sa herë e burgosnin.
Pa rënë në frymë propagandistike, autori mjeshtërisht e thekson perspektivën dhe preokupacionin e intelektualit që jetonte me zemrën e popullit për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar, si një preokuacion madhor para të cilit Ukshin Hoti nuk llogarit as jetën e tij. Përmes dialogjeve dinamike, të ndërtuara natyrshëm dhe me ngarkesë të theksuar artistike, autori e karakterizon, protagonistin si një idealist që vihet në ballë të përgatitjes së Luftës për çlirimin e Kosovës.
Protagonisti i romanit i është përkushtuar në mënyrë të ndërgjegjshme çlirimit të popullit të tij dhe tokës së paraardhësve, pavarësisht sakrificave sublime. I lidhur përjetësisht me Kosovën, ai nuk pranon as pasaportat e miqve të tij, Bekim Fehmiut dhe Fehmi Lladrovcit për të shkuar në Europë për të shpëtuar kokën. Së pari ai nuk pranon të largohet nga Kosova në kohën kur po troket dita e madhe e luftës për çlirim, prezenca e të cilit bëhet e nevojshme në Kosovë për të frymëzuar rininë sikurse në demonstratat e vitit 1981, por tani ishte një fazë më e avancuar e luftës për çlirim. Ukshin Hoti nuk pranoi të shpëtonte kokën e tij nëpër Evropë, edhe për faktin, se elementë të tillë, flamurtarë të luftës kundër pushtimit serb, edhe në Evropë, do të asgjesoheshin nga agjentura serbe, sikurse u asgjësua grupi revolucionar i Jusuf Gërvallës.
Autori e jep furtunën revolucionare në afrim, me të gjitha pasojat e saj, që shoqërojnë çdo luftë çlirimtare. Për flijimet e kësaj fitoreje në ardhje, autori me mjeshtëri ndërton metafora hiperbolike, sikurse shpërthimi i duhanit në fshatin e Krushës në Madh, ku banonte Ukshin Hoti, si gjëma që do të pllakosi vendin nga krimet e ushtrisë serbe me fillimin e luftës çlirimtare. “Shenjë e keqe duhani, helmi helmin kërkon.” Kjo është parandjenja e vajtimeve, që do të shoqëronte flijimet për fitoren e ardhshme për çlirimin e Kosovës. Njëherazi autori përmes një figure artistike, sikurse është krahasimi, e rrethon fshatin dhe shtëpinë e Ukshin Hotit me gjarpërinj që s’janë parë në asnjë kohë më parë, të cilët simbolizon serbët në ofensivën e ardhshme.
Kjo prezencë gjarpërinjsh, që autori e trajton në gojën e protagonistit, e shoqëron romanin nga fillimi në fund si një parandjenjë e Ukshin Hotit, se serbët, pas torturave të tmerrshme do ta eliminonin fizikisht me pamundësinë për të patur një varr. Kjo nuk është një fiksim i protagonistit, as paranojë frike, por ndërgjegjësim i plotë i Ukshin Hotit për rolin e tij si prijës, udhëheqës politik dhe ideatori që tregon rrugën e çlirimit të Kosovës përmes luftës së armatosur kundër ushtrisë serbe.
Për ta dhënë më të plotë barbarinë e makinës ushtarake serbe, autori në mënyrë simbolike në prag të luftës, e paraqit Krushën e Madhe, ku ndodhet Ukshini pas daljes nga burgu, me tufa korbash që nxijnë qiellin. Mes këtij pejsazhi të nxirë, Ukshini mediton: “Sido që të bëjë reja e korbave bëhet edhe më e zezë. Unë pres e përcjell në dhomën time luftëtarët e ushtrisë së ardhshme. Si dita dhe nata kalojnë mbi përgatitjen e materialeve politike dhe psikologjike. Punoj pa pushim. E di që nuk do të kem shumë kohë. Serbët ishin pas ushtrisë së korbave dhe e prisja sulmin e tyre…Për të vrarë nuk më vrasin. Këtë mund ta bënin qysh në vitin 1981…Më donin të gjallë e të tharë si tym. S’e dija kur do të ma nxirrnin shpirtin dhe me ç’mjet. Me tortura kishin dështuar. M’i kishin bërë të gjitha. Edhe tredhjen ma bënë. U kishte mbetur vetëm plumbi. Kur do të ma zbraznin? Atë e dinin ata. Unë e prisja…Kjo biseda e varrit ka filluar të më bezdis. Ndonjëherë bëhem vetë shkak që të hapet drama e varrit. Ç’po bëj kështu jam gjallë…”
Vendosmëria Ukshin Hotit për punë propagandistike mes korbave, është afirmim i idealeve të tij mëdha edhe prëpara kanosjes së vdekjes. Çaste dileme, mes vdekjes dhe jetës, janë të shpeshta në roman, jo thjesht si meditime të protagonistit, por si realitet që shoqëronin veçanërisht heronjtë e përcaktuar nga kundërshatrët, si armiq të betuar të tyre. Këto çaste, ndonse janë alarmuese për lexuesin, autori i evidenton enkas si atmosferë terrori, për të theksuar idenë e madhe, se edhe në prag të asgjesimit fizik të protagonistit, ai ishte aq i pasur me tipare dhe vlera morale, sa, para çlirimit të Kosovës, nuk vendos as jetën e tij. Ukshin Hoti afirmon ekzistencën aktive dhe Kosovën si motivin e jetës së tij.
Ukshin Hoti – simboli i vetëflijimit
Autori ka meritën, se këtë parandjenjë të protagonistit të romanit, të pohuar në vazhdimësi në libër e ka ngritur në simbol, sepse njerëz të tillë, prijës dhe frymëzues të masave popullore mbeten martirë dhe populli shkon pranë varrit të tyre për t’u frymëzuar dhe betuar për hakmarrje. Për këtë arsye qeveria serbe kishte vendosur eliminimin e tij, sikurse dhe të shumë pararendësve të çlirimit të Kosovës, si Lam Dobra dhe shumë lahutarë e rapsodë, Fehmi Agani ideolog dhe veprimtar i çlirimit, Esat Bicuri trumbetë që frymëzon, etj. Por, Ukshin Hoti do të eliminohej pa nam e pa nishan, për të mos pasur një varr ku të shkonte populli për të shprehur urrejtjen kundër barbarëve dhe betimin për çlirimin e vendit që kishte 100 vjet që përballonte dhunën serbe.
Në këto rrethana autori e vendos mirë dhe në mënyrë të besueshme ndërgjegjshmërinë e protagonistit në roman, si ushtar që i ishte përkushtuar përjetësisht Kosovës. Ky mesazh i madh i Ukshin Hotit, për t’u vetëflijuar për Kosovën dhe Shqipërinë, jepet natyrshëm, pa pozime, pa deklarime dhe pretendime për privilegje dhe famë. Ajo që e shqetëson Ukshin Hotin është fakti, se a do ta ndihmojë sa duhet Kosovën në rrugën e çlirimit, edhe pse nuk do ta shohë dot ditën e lirisë.
Tek Ukshin Hoti, autori bashkon diturinë, zgjuarsinë filozofike me njeriun aktiv, me patriotin e vërtetë, jo thjesht një patriot librash, po një patriot i betejave, jo thjesht për Kosovën, por për tërë Shqipërinë, sepse sikurse shprehet ai në roman, Kosova është pjesë e Shqipërisë. Autori thekson mesazhin e madh të Ukshin Hotit, se nuk duhet folur për popull kosovar, por për popull shqiptar, brenda të cilit shtrihet uniteti shpirtëror Jug-Veri.
Drama njerëzore e Ukshin Hotit
Krahas dramës së Kosovës, autori ka paraqitur me shumë realizëm dramën njerëzore; nxjerrjen e Ukshin Hotit nga shtëpia prej gruas, kur protagonisti kthehet nga burgu. Për këtë veprim autori përdor një truk që personifikon dhunën barbare të shovinizmit serb. Me shumë mjeshtëri autori vendos përballë dy ideale me diferenca të ndjeshme në përmbajtjen e tyre shoqërore dhe njerëzore: idealin e madh për të përballuar çdo torturë të dhunës serbe dhe gatishmërinë për t’u vetësakrifikuar për Kosovën, dhe idealin e vogël, meskin të bashkëshortes së tij, ndërkohë që duhet ta kishte përkrahur dhe ndihmuar edhe më shumë shpirtërisht burrin e saj dhe heroin e Kosovës në situatën në të cilën kishte aq shumë nevojë, sepse dy njerëz më shumë i lidh shpirtërisht ideali shoqëror dhe kombëtar, sesa idali i vogël, akti seksual.
“Shkruaja dramën time. Isha fare i dërmuar. I braktisur, i rrahur, i fyer, pa banesë, pa grua, pa fëmijë e pa bukë. Kush më ka mbetur i thashë vetes, Ku të mbështetem? Mendja ime harboi në pafundësi. E gjeta zgjidhjen. kam tokën time thashë. Kam Krushën e kam Kosovën e kam Shqipërinë. Shkruaja dhe i bija tokës me pëllëmbë. Nëna ime i thoja mos më lësho”!
Pasi gruaja e ndjek nga shtëpia, protagonisti mbetet rrugëve, i poshtëruar, i pa strehë, jeton çaste të një robinsonate në pyje dhe luginën e Drinit të Bardhë, duke mbledhur lakra për të siguruar mbijetesën, ndonëse torturat serbe e kishin katandisur në skelet. Kjo linjë, e ngritur artistikisht në një simbol të madh për sakrificën, përmban jo keqardhjen për protagonistin, përkundrazi është trajtuar artistikisht për të evidentuar vullnetin e tij të hekurt dhe moralin e lartë për t’i ndihmuar sadopak çlirimit të Kosovës, edhe në kushtet tepër të vështira fizike dhe shpirtërore. Për Ukshin Hotin Kosova ishte gjithçka.
Në rrethana të tilla të vështira, por jo demoralizuese, autori i ofron protagonistit prezencën e miqve të tij Bekim Fehmiun dhe Fehmi Lladrovcin, komandantin e ardhshëm legjendar të UÇK, të cilët me ndihmat e tyre kujdesen jo vetëm që heroi të sigurojë jetesën e përditshme, por edhe për të marrë kurajë në përshkallëzimin e punës së tij në organizimin e luftës çlirimtare. Solidariteti, si tipar moral i një shoqërie humane, është përdoruar nga autori me shumë mjeshtëri edhe si mesazh për vështirësitë e panjohura deri atëherë që po i afroheshin Kosovës.
Tentativa të UDB për ta larguar Ukshin Hoti nga rruga e çlirimit
Për ta plotësuar personalitetin e protagonistit, autori i përqas atij një personazh tjetër, një ish të dashurën e tij të dikurshme, agjente e UDB-së, e cila përmes provokacioneve dhe ndërhyrjeve sentimentale, tenton ta bëjë Ukshin Hotin të pendohet, për t’u larguar nga rruga e tij në shërbim të çështjes së Kosovës. Misioni i saj, si kontigjent i UDB, së bashku me grupin e disa specialistëve serbë, ishte të mbillnin në Kosovë prova, se gjoja aty, para shqiptarëve, kishin banuar dikur serbët. Për këtë ata mbillnin nëpër fshatra legjenda dhe vendosnin objekte me origjinë të kulturës serbe. Kjo ishte pjesë e strategjisë serbe për justifikimin e pushtimit të tyre shekullor.
Protagonisti i romanit, i cili i njihte mirë këto taktika shoviniste dhe i kishte luftuar ato edhe në Fakultetin e Filozofisë, i kundërshton këto tentativa të “dashnores” së tij dhe grupit diversionist, si pjesë e platformës shoviniste të Akademisë serbe me Çubriloviçin autor, për serbizimin historik të Kosovës. Inteligjenca dhe njohuritë e thella historike dhe kulturore të protagonistit, e sqarojnë lexuesin për të vërtetën historike, se ato troje kanë qenë etnikisht shqiptare me një popullsi autoktone, me origjinë Ilire dhe Dardane.
Për ta përforcuar rezistencën historike të shqiptarëve kundër dhunës serbe, autori abstragon dhe sendërton një personazh të sajuar, por shumë të besueshëm falë mjeshtërisë së tij artistike, si Egrushi, i cili kishte shumë vite që jetonte në shpellat e Krushës, për t’iu ruajtur ndjekjes së policisë serbe që po e kërkonin, aq sa edhe familja e tij e dinte të humbur. Ky i bëhet shok besnik Ukshinit, dhe e shoqëron në lëvizjet e kufizuara të tij. Në aspektin figurativ, autori e ka përdorur këtë simbol, si përfaqësuesin e popullit të Kosovës, e cila jetonte burgun e madh, por me detyrën për t’i ndihmuar bijtë e vet.
Fakti që edhe në burg, edhe pas daljes nga burgu, Ukshin Hoti në roman e ndien, se përsëri është në burg, tregon se sa patriot dhe sa njeri besnik është ai për popullin e tij. Këtu qëndron edhe merita e autorit të romanit, që në kohët e sotme, ai lartëson një shembull intelektuali që mbetet simbol atdhetarie.
Ukshin Hoti demaskon xhelatin e tij
Romani është i pasur me ngjarje dhe histori të shumta, që ndonëse duken sikur janë jashtë temës, në fakt rezonojnë me shumë kuptim linjën kryesore: botën e pasur shpirtërore të intelektualit të shquar Ukshin Hoti. Për ta dhënë në përmasat e plota personalitetin e protagonistit, Sefer Pasha, sjell në roman një ngjarje befasuese, kontrastuese: Gjat mbledhjes së trofave të plagosura në Drinin e Bardhë, Ukshin Hoti me Egrushin, panë në një kodrinë të vogël në mes lumit, që kishte dalë nga shtrati, dy oficerë serb hipur mbi një pemë për t’u mbrojtur nga valët e egra të lumit. Oficerët serbë, që kishin dalë në natyrë për një festë, prisnin në breg të lumit fatin e kolegëve të tyre.
Egrushi zhvesh rrobat dhe u hodh në lumë për t’i shpëtuar oficerët serbë që po rrezikoheshin. Motivimi i Egrushit ishte: “Le ta marrin vesh serbët se kush jemi ne shqiptarët”. Egrushi shpëtoi njërin, u fut përsëri në lumë, mori dhe oficerin tjetër në shpinë dhe e solli në breg.
Në shenjë nderimi, shpëtimtarët Ukshin Hoti dhe Egrushi, u ftuan nga oficerët serbë për të marrë pjesë në festën e shtruar në hotel “Pashtriku” të Gjakovës. Ukshini nuk pranoi, por koloneli serb, gati e morri me zor. Salla ishte mbushur plot oficerë me gratë dhe të dashurat e tyre. Befas një oficere serbe kërkoi të intervistonte njeriun që kishte shpëtuar dy kolegët e tyre. E pyeti për emrin dhe kur salla dëgjoi emrin e Ukshin Hotit, u pikëllua. Ishin mbi 300 ushtarakë dhe askush prej tyre nuk e imagjinonte që mes tyre të ndodhej Ukshin Hoti. Salla nisi të boshatisej, u ngjitën një kat më lart. Koloneli që kishte dhënë urdhrin për t’i marrë në festë shqiptarët, iu drejtua Ukshinit:
-Ku jemi parë bashkë? Ukshini nuk e mbante mend ku e kishte parë këtë ushtarak, por ai i tha vetë, se ishin parë në Gllokovc. Atëherë ai ishte civil dhe kishte urdhëruar policët për rrahjen e Ukshinit.
-Ju jeni një vrasës kolonel – i tha Ukshini. Ky është fillimi, shumë shpejt do të shporesh nga Gjakova, ndofta edhe do të vritesh. Më ftuat në festë dhe ikët me bishtin në shalë. Ne nuk e vrasim hasmin, edhe kur na vjen në mes të odës. Unë Ukshin Hoti nuk kam vrarë asnjë serb.
-Ti je e keqja më e madhe për Serbinë. Të gjitha do t’i paguash – e kërcënoi koloneli serb.
Këtë ngjarje, autori e ka përfshirë në roman si një gjetje të rrallë artistike, e cila vë përballë dy tradita të kundërta, dy mënyra sjelljeje të kundërta, si një kontrast artistik; shqiptarët humanë që shpëtojnë jetën e serbëve dhe serbët barbarë që marrin jetën e shqiptarëve. Akti njerëzor i shqiptarëve merr vlera universale dhe figura politike dhe patriotike e Ukshin Hotit mbetet si një forcë madhore që e tmeron Serbinë.
Praktika shtazore të serbëve dhe zhdukja e Ukshin Hotit
Për të provuar barbarinë serbe dhe synimet e tyre asimiluese, autori ka pasqyruar një praktikë shtazarake të ushtarëve dhe oficerëve, të cilët me dhunë çnderonin gratë dhe vajzat shqiptare për t’i lënë shtatzëna, si një objektiv të rritjes së shtesës numerike të pasardhësve serb në Kosovë. Me shumë mençuri autori Pashai ka agstraguar një detaj kundërveprues: Në një fshat të një krahine të Kosovës, ndodhej një plakë, që abortonte gratë dhe vajzat që ishin shtatzëna, duke ua shkulur nga barku foshnjat që kishin gjakun serb. Kjo ka qenë një vetëmbrojtje në emër të etnisë që kërkonte të ruante prejardhjen e saj prej një gjaku. Ky detaj artistik, flet për urrejtjen që kishte populli kosovar ndaj dhunës dhe torturave çnderuese serbe.
Lufta për çlirimin e Kosovës filloi, pushteti serb përsëri burgos ideologët e saj. Ismail Kadare shkëmben letra me Ukshin Hotin në burg dhe ky letërkëmbim botohet me titullin “Prapa hekurave të burgut”. Ndërkaq filloi bombardimi i Serbisë. Populli shqiptar, i ndërgjegjshëm, se çmimin e lirisë do ta paguante tepër shtrenjtë, pranoi flijimin si rrallëkush në kronikën e njerëzimit. Dramën e përjetuan të gjithë, por shumëfish e përjetuan ata që ishin lidhur në pranga në burgjet serbe. Pranë Ukshin Hotit, autori me shumë domethënie vendos një serb i burgosur për vjedhje mushkash dhe Gjonin një shqiptar nga Labëria, me të cilin edhe këndonin labçe. Shoku i burgut nga Labëria afirmon një nga vlerat e rralla shpirtërore të Ukshin Hotit: “Ti profesor tek njerëzit shpërndan shpresë, edhe ai lisi që është përballë teje merr dhe jep dritë”. Ky është motivimi i mençur i autorit, pse e asgjësuan serbët Ukshin Hotin.
Në ato ditë burgu i Dubravës, ku ishte Ukshin Hoti, u bombardua prej NATO-s. Me ikjen e ushtrisë serbe, më 16 maj, një ditë para mbarimit të afatit të burgut, Ukshin Hoti u nxor prej burgut. I dalë në liri ai meditonte: “U hap dera e hekurt e burgut. Era e luleve të majit më dehu. Dita është e bukur. Kjo është parajsa për të cilën pata luftuar një jetë. Kur bëra dhjetëra hapa i thashë vetes: E arrita më në fund lirinë e Kosovës”. Me këtë pohim e mbyll autori Sefer Pashai romanin “Pengu Ukshin Hoti ndodhet në Beograd”.
Kosova e pagoi lirinë e saj me 15.000 të flijuar, gjaku i të cilëve dhe i vet Ukshin Hotit e shpëtoi përjetësisht popullin kosovar nga një zgjedhë barbare. Populli e gëzon lirinë e shumëpritur, ndërsa për fatin e Ukshin Hotit të porsadalë nga burgu, ka vetëm mjegull, heshtje. Askush nuk e di ç’ka ndodhur me Ukshin Hotin. Nuk e dimë nëse është apo nuk është në këtë botë martiri që aq shumë i duhej Kosovës, apo serbët e kanë zhdukur sapo e nxorën nga burgu. Shpirti i tij i lirë mbeti i paprekur para çdo presioni dhe torture. Ai shpirt ndodhet në kumtet që ka lënë, në librat ‘Çështja filozofike e popullit shqiptar” e në letrat e tij shkruar me shpresa e dritë. Për konstruktin e rrallë shpirtëror, shpirti fluturues i Ukshin Hotit mbeti ngadhënjyes në lirinë dhe progresin e përjetshëm të Shqipërisë.