/ Poezia që e fitoi vendin e parë në konkursin anonim letrar në manifestimin kombëtar të kulturës, Flaka e Janarit – 2026 /
Ramë ORACA
PSALM PËR TË PAGJETURIT
përditë pritja zbret e ulet në prag
si dikur kur priste hapat tuaj
ora kotet në mur si ikonë e lënë pasdore
akrepat kanë harruar emrin e kohës
që nga dita e moskthimit
në karrige qëndron hija juaj
vetëm era hap dhe mbyll derën
nënat çdo natë numërojnë yjet
si rruzare dhimbjeje
një yll u mungon gjithmonë
pastaj flasin me erën
si me ndonjë engjëll lajmëtar
flokët u janë thinjur duke thirrur
deri në kupë të qiellit
baballarët kuvendojnë me hijen tuaj
si me diçka të padukshme
fëmijët u rritën duke pyetur diellin
“a i ke parë babin tim?”
nëpër shtëpi pëshpëritin kujtimet
prekin muret me fotografi të zverdhura
një buzëqeshje e mbetur përgjysmë
rri pezull mbi këtë psalm
në emër të heshtjes që s`ka varr
në emër të hirit të gjakut
në emër të emrave që s`u gdhenden në gur
e ngremë këtë psalm prej fryme e loti
për ju që mbetët udhëve të kthimit
midis tokës dhe qiellit
përnatë ju kërkojmë mes të gjallëve
vetëm ëndrrat na zgjojnë me lot
duke ju kërkuar edhe në vetveten tonë
si njeriu që kërkon zotin
ne me pritje do t`ju mbajmë gjallë
se pritja është shpresa jonë e dashurisë
ajo nuk ka varr
ky psalm do të ndizet çdo natë
si qiri që nuk mund ta fikë harresa
si flakë që shndrit udhën e kthimit
si mall që nuk plaket kurrë. /Gjilani INFO/


