NGA: PROF. DR. ORNELA RADOVICKA
E lexova me kujdes të veçantë librin “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit” (Serbian Crimes in Kosovo-The Case Of Deçan) të autorit Adem Lushaj, libër që më rikujtoi ato kohë kur Deçani dhe e gjithë Kosova, derdhej në gjak!
Libri është mbështetur në një bibliografi të pasur siç është ajo e Josef Martinsen, por edhe në shumë sajte (site) të cilat flasin mbi krimet serbe në Deçan.
Për të thyer disi atë kronikë të dhimbshme e të turpshme lufte të asaj epoke, sa tragjike deri në gjenocid. Autori nis faqet e para duke rrëfyer mbi pozitën gjeografike të Deçanit, thur në të një reliev të shkurtër historinë, përfshirë luftën e parë dhe e dytë, bashkërendit ndarjen e tij administrative, çensimente, dhe dekoron me disa grimca historike mbi kulturën e Deçanit, përfshirë këtu Manastirin e Deçanit.
Derisa lexoja këtë libër, si një video më shkonin nëpër mend ato ngjarje të cilat nuk i jetova, por i përjetova emocionalisht nëpërmjet mas medias, shtypit, rrëfimeve të banorëve të Deçanit dhe popullit kosovar në përgjithësi.
Ky popull nuk ishte pa atdhe! Nuk ishin as apolitikë. Nuk ishin nomad.
Këtë popull e ndoqën nga trojet e tyre! Shtëpitë e tyre nuk i braktisën, por i detyruan t’i lënë.
Ikën, dhe fotot nëpër mure lanë. Atje ishte baba, atje ishte nëna, atje ishte djali, atje ishte nipi.
Me qindra e qindra “Enea” shikoje që mbanin në shpatullat e tyre baballarët e tyre pleq, ku plisat qëndronin si kurorë në kokë. Ata njerëz kishin qenë mbretër në mbretërinë e tyre të vogël, në shtëpitë e tyre.
Ishte sa dhembshme aq edhe e turpshme kur shikoje karvanë mbi traktor që linin me lot trojet e tyre.
Iknin, dhe kokën kthenin nga varret ku preheshin të parët e tyre. Ato varre disa me kryq e disa me hënëz, e disa laik. Por, të gjithë së bashku preheshin atje, në të njëjtën vend, në të njëjtën tokë, i të njëjtit gjak me të njëjtën gjuhë.!!
Iknin, të zbathur, e me një torbë me rroba. Humbën gjelbërimin e shtëpive përqark. Humbën agimin e atij Djelli që lind nga ato anë. Humbën atë yll që qëndisnin nëpër xhamadanë.
Humbën ato bjeshkë që ishin rapsodia e tyre.
Lanë me lotë ato kulla ku ishte Besa e tyre.
Shumë u vranë ca i mbytën, të tjerët i hodhën nëpër puse, e shumë të tjerëve iu ndërruan gjuhën e nënës. Ikën…, dhe ai gjerdan lotësh mbërtheu portat e atyre shtëpive, dhe izoluan atë vendlindje. Humbën, babë e nënë, motra e vëlla farë e fisë!!!
Një Deçan i trishtueshme, boshe, ku nëpër parvaze këndonte ndonjë “gushkuq”. E gjithë bota është një ekpresion nomade-thonë perëndimorët, me globalizimin e tyre- por nuk mund të jesh nomad kur ti je autokton në atë territore. Nuk mund të jesh nomade kur ti je aty, që kur ka lindur njerëzimi. Nuk mund të jesh nomade kur ti je në shtëpinë tënde, e dikush tjetër të vjen me forcë të përzë, të vret, të heq identitetin, të heq të drejtën e gjuhës, të tjetërson, të heqin virtytin e gjakut atë të etnisë, dhe në fund “memecët” fshehën krimin, e vjedhin historinë!
Ikën pleq, fëmijë, nëna, gra, burra, me fytyrat e tyre si një alabastër, e me vështrim nga Bjeshkët.
Oh, janë “të Nëmuna”, ato Bjeshkë, por jo të mallkuara! Janë si Circja ku edhe heronjtë më të fuqishëm të historisë si Uliks, bien e gjunjëzohen. Të trullosin, të prishin mendjen të magjepsin ato Bjeshkë që kushdo i ri është i dashuruar.
Për dashurinë, në emër të dashurisë, historia na mëson që kanë dhënë jetën për të. E mitologjia na rrëfen se nga hiri lindte Feniksi. Shumë të rinjë matën jetën e tyre me dashurinë e këtyre trojeve. Do të riktheheshin, në ato troje;
Do shpëtonin tingujt e lahutës, kur gjyshërit e tyre kënduan me shekuj rapsoditë, që si akustik i bluante në ato metro moderne të stacioneve të trenave në vendet europiane ku ata kishin mërguar.
Këta të rinjë, për ato troje do shpëtonin zërin e mëmave të tyre kur ata luanin në oborre kur ajo i fliste me gjuhën e saj shqipe. Këta të rinjë me gjakun e arbërit do të skalisnin në ato troje vazhdimësinë e epitafeve ku preheshin stërgjyshërit, më të lashtë të Europës kodifikuar në gjuhën shqipe.
Vullneti dhe dashuria për trojet e tyre, i pagëzoi këta të rinjë, rrokën armët me emrin UÇK,.
Këta luftëtar nuk ishin “ milite ignote” viktima të pafajshme, të marrë në luftë, pa ditur se për kë luftonin. Këta luftëtar ishin të vetëdijshëm për trojet e tyre dhe kodi i tyre quhej Heroizëm. Atdheu është detyrë, është vlerë, nacionalizmi jo, dhe ata ishin patriot të flaktë të trojeve që iu përkisnin!
Memorja humane është e shkurtër, privi di memorja. Ne shqiptarët duhet të falim, por jo të harrojmë.!!
Nuk harrohet gjenocidi. Statistikat thuhet në Kosovë, civilët e vrarë ishin më shumë se 13 mijë,; të zhdukurit ishin mijëra, refugjatët më shumë se 250,000.
Pas çdo lufte shkruhet historia.
Gjithmonë popujt e mëdhenj kanë shkruar historinë ndërsa luftonin, gjë e cila, nuk ndodh me ne shqiptarët.
Ata gjithmonë kanë propozuar ekuacionin me shumë të panjohura, ndërsa ne, për historinë tonë mjaftohemi me aksiomën e shkurtër” Qenë kohë të këqija, na vranë, na prenë, na hodhën nëpër puse, zhdukën trupa, na degdisën nëpër botë”. Kjo nuk është histori!!!.
Në fund të librit ngjarjet që lexon duket sikur është vazhdimësi e një retorikë:
– Ku janë trupat?, pyetën skeptikët, katër muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Mungon arma e krimit.
– Këtu janë, në anë të autostradës për në Prizren, 28 tuma dheu të fryrë nga shiu, 28 kurora të mbështjella me celofan.
E keni menduar ndonjëherë të vini në Deçan? Sigurisht që këtu nuk ka monumente si, kulla Eifel apo Palmat në det të Dubait, por do të shikoni një vend që mban ende plagët e thella të një lufte të spastrimi etnik tragjik, por ajo shikon të ardhmen me shpresë. Deçani me Bistricën, Bjeshkët dhe Manastirin saj me origjinë shqiptare e jo serbe.
Personalisht gjithmonë i bëjë pyetjes vetes; Nëse ne shqiptarët jemi me origjinë ilire dhe autokton në territorin tonë, gjë të cilën nuk e mohon kush. Nuk mohohet as teza që: Ilirët janë popull që rrjedhin nga Pellazgët, dhe si rrjedhim gjyshërit tanë janë Pellazgët, por në asnjë libër nuk shkruhet qartë që Shqiptarët janë me origjinë Pellazge dhe është për të ardhur keq..!!!
Dihet që Historia i ka rrënjët nga gjeneze, dhe ky popull ka historinë më të lashtë. Por dihet edhe që ne shqiptarët nuk shkruajmë historinë dhe as nuk lexojmë. Të shkuarën po e humbasim, por po humbasim edhe historinë e djeshme, atë që jetuam, ajo që na përket!
Shumë vite përpara tek Biblioteka e A. Belluscit ka ardhur Aalbanologu Robert Elsie, i cili së bashku me At Antonion do programonin një udhëtim ku do të shkonin tek varri Adem Jasharit. Mu afrua dhe me tha:
– Ju shqiptarët keni histori gojore, përse nuk e hidhni në letra, përse nuk e kodifikoni. Historia gojorë është histori!
Mbi këtë mendim po reflektoj mbi manastirin e Deçanit, i cili shpesh propagandohet si kulturë serbe. Lind pyetja përse shtetet e huaja apo edhe ato fqinje kulturën e tyre jo vetëm e vlerësojnë kulturën e tyre, por shpesh edhe e përvetësojnë nga kultura jonë shqiptare siç ndodhi me qenin e Sharirit Deltari Ilir që sot është trashëgimi serbe, apo si ndodhi me Lahutën.
Përse, nuk thellohen kërkimet kur thuhet që në Manastirin e Deçanit në tavanin e absidës gjysmërrethore është një shandan metalik prej bronzi, që përbëhet nga 8 krahë koncentrikë, ku qarkullon një gojëdhënë se të gjithë arkimandritët që kanë drejtuar manastirin shprehen se shandani i trapezarisë është një dhuratë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, për manastirin e Deçanit?
Përse nuk i trajtojmë këto tema që rrisin krenarinë, autoktonin, rrënjët.. ? Përse mos ndoshta ndihemi inferior se nuk njohim historinë tonë apo jemi indiferent?!!!
Deçani dhe Manastiri i tij ku fotot e fillimeve 900 janë plot me popullsinë me plisa, dhe plisi është i shqiptarëve, s’ka se si mos të jetë ndryshe i shqiptarëve. Manastiri me mermerin e bardhë dhe rozë e lehtë me ngjyra të ngrohta, ngritur në qerpikun e Deçanit , atij syu në mes kaltërsisë dhe gjelbërimit ku edhe Irlanda do të nxirrte disi kryet e një fije xhelozie, por jo vetëm kaq, por për atë që çka ofron, shumë më të çmuar dhe më të rrallë, të cilit, për fat të keq, po i harrojmë rëndësinë, pikërisht historinë e tij,.. Njerëzimin!