NGA ISAK AHMETI
(Isak Ahmeti: “Uratë zbulimi”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1976)
Isak Ahmeti që nga botimi i vëllimit të parë me poezi, “Gallatea” (1972), ka hy në botën e artit letrar me veçantinë e mënyrës vetanake të përsiatjeve dhe perceprimeve të ideve artistike, që i karakterion doza e theksuar eksperimentuese, që autori e realizon në kërkim të një diskursi të ri poetik, ndryshe, madje shumë ndryshe nga trendi i poezisë së kohës kur shfaqet ky autor. Ky synim, në fakt është tendenca këmbëngulëse krijuese e poetit Isak Ahmeti, i cili pikëpamjet e tij poetike i domonstron qartë që në librin e parë, “Gallatea”, ku autori përuron propozim-projektin e tij personal poetik. Po e veçojmë poezitë “Ai gjendet mes dy qelqeve”, e cila është deshmi konkrete e modelimit të aspiratës së re poetike-filozofike:
“zogu këndon
ndërsa vasha lexon vazhdimisht numrin M-O-N-D
vasha ja krijon botës oborrin
prej pullazit të shtëpive fluturojnë tjegullat
dikush atyre u jep ushqim kafshësh
kanali i ujit lot SAKSOFON
ndërsa lypësi qëndron në roje
buzëqeshje të metalta në dritare
ai gjendet mes dy qelqeve
e pranë mban emrin E-N-S”
(fq.9)
Nga këto vargje shihet ndërmarrja konkrete dhe e guximshme eksperimentale e autorit, i cili shfaqet me një koncept të ri poetike dhe meditative, që kritiku dhe studjuesi i spikatur i letëreisë, Prof. Dr. Anton Nikë Berisha vlerëson se e “përligj vazhdimin e traditës së pasur të poezisë sonë të përshpirtshme, që zë fill me psalemt dhe poezinë e përshpritshme të botuar në veprën e parë në gjuhën shqipe “Meshari” (1555), të botuar nga Gjon Bdek Buzuku.” (Parathënia e librit të Isak Ahmetit “Dritë e përjetësuar”). Sprova përmbanë lëndë të mjaftueshme letrare e poetike për argumentimin e ndryshimit pasurues të diskursit estetik dhe etik, që poeti Isak Ahmeti e shtron seriozisht, duke e bërë indikative nevojën e aplikimit të risive kreative moderniste në poetikën shqipe. Thirrja e autorit te libri “Galatea” është fiktive: “gjunjëzohu/ Bukuri e përgjakur/ që ta heq gjakun nga fytyra.” (“Gallata” fq.60). Pra, aventura eksperimentale e Isak Ahmetit është këmbëngulëse në kuptimin esencial tematik, por dhe për ndryshimin e referencës strukturore të subjektit lirik, duke përfshi edhe mënyrën e ligjërimit, nocionet dhe figurat stilistike.
Sprova e suksesshme eksperimentale te “Gallatea”, zgjerohet dhe më shumë dhe materializohet edhe më bindshëm në librin e dytë, “Uratë zbulimi” (1976), ku vie në shprehje më të plotë spikama e etjes krijuese, që shpërthen e plotë me refleksione të veçanta stilistike, brenda transformimit të shprehjeve figurave dhe të kuptimit semantik të fjalëve, që marrin ripërtëritje variacionesh semantike, vëmendshëm të zgjedhura për të realizuar ndikim sa më të fuqishëm interpretues të ndjenjave të tij të përshpirtshme ndaj botës fizike dhe metafizike, në shumësinë e manifestimeve të gjendjeve dhe të gjësendeve, të fenomeneve dhe të ndjenjave, gëzimit, hidhërimit, pendimit…, gjithçka që ka të bëjë me fisnikërimin e shpirtit të njëriut, në ndërlidhje me Hyjin. Fjala dhe mënyra e përdorimit të saj përbëjnë esencën specifike të preterndimit artistik që, Isak Ahmeti e siglon me vëmendje seleksionuese, për ta fuqizuar rezonancën e fjalëve dhe të frazeologjisë brenda strukturës tekstore, të personalizuar maksimalisht për naracion të tipizuar, sipas ekstra konceptit autorial, me kuptime e trajta dinamike dhe gradime emocionale, që kalojnë nga gjendjet fluide, në ato më sublime.[1]
Studjuesi dhe kritiku letrar, Ibrahim Rugova, pagëzimin “Uratë zbulimit” të librit të Isak Ahmetit e ka konsideruar titull biblik, duke theksuar tendencën e autorit për një poezi objektive…[2]
Në këtë plan, duke pasur për bazë se libri përmban përsiatje poetike-filozofike që burimin e kanë tek fryma biblike, del se, poeti Ahmeti mishëron – vazhdimin e traditës së pasurimit të poezisë sonë të përshpirtshme, që zë fill me psalmet dhe poezinë e përshpirtshme të librit të parë në gjuhën shqipe “Meshati” (1555 ) të Gjon Bdek Buzukut”[3] Pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme që mund t’i bëhen vëllimit “Uratë zbulimi”, i përbashkët del konstatimi se, tendenca poetike e filozofike e autorit është ndërlidhjs me frymën hyjnore, nëpërmjet të një zëri të ri, që e kërkon në fuqinë reflektuese të fjalës, duke qenë se – “e para ishte fjala”, prandaj asaj i takon magjia e përshpirtjes, që ngjizet nga manifesti i ballafaqimit të qenies njerëzore me pafundësinë e kohës, të hapësirës dhe të ëndrrës shpirtërore, si pikë referuese e realitetit objektiv dhe subjektiv, në fokusin e parakalimit nga një gjendje në tjetrën. Këtij apostrofimi i dedikohet lutja “Uratë zbulimi”, që në këtë libër autori e përdor me dozë më të fortë hermetizmi, që shkon por nuk bëhet “art për art”, siç do ta konsideronin realistët, të cilët ia kanë frikën polivalencës së fjalës dhe nuk ngurrojnë ta quajnë dekadencë!
Isak Ahmeti nuk e ka këtë kompleks: i beson fjalës dhe natyrës specifike gjuhësore të saj, në kuptimin e veçantive shprehëse, që varësisht nga qëllimi dhe mënyra e përdorimit, është e pashtershme, si në ligjërimin e ndërkomunikimit të përditshëm, ashtu edhe në letërsi. Në kontekstin e lidhjeve, nga më të thjeshtat morfologjike e sintaksore, realizohet spektri i përbërjes përmbajtësore dhe efekti i shumësisë së variacioneve kuptimore e artistike të fjalës, ekspozeu i së cilës e ndryshon rezonancën e veçantisë shprehëse, varësisht nga mënyra e përdorimit të fjalës, qoftë si e vetme apo në ndërlidhjen kronologjike të vargut të fjalëve, nga sintagma tek tërësitë më të mëdha – vargu, strofat poezia si njësi tërësore kuptimore. Duke qenë se fjala kurrë s’është e njëjta, nënteksti i saj kuptimor është gjithmonë i ndryshëm dhe plotësisht fillestar. Këtu qëndon mjeshtria e Isak Ahmetit, i cili duke investuar përqëndrim të vëmendshëm në apostrofimin e fjalëve, arrin të vë në spikamë shumësi variacionesh kuptimore, me nënterkste të pasura poetike, që e shquajnë artin e tij.
Sprova e sukseshme te libri “Gallatea”, zgjerohet dhe cilësisht plotësohet te libri “Uratë zbulimi”, ndërsa finalizohet me librin “Kushtimbesë” (1983), e cila përmbyll ciklin e periudhës së parë eksperimentale në procesin krijues të Isak Ahmetit, i cili me këto tri vepra provokon ndjeshëm, madje edhe e atakon fuqishëm poetikën konvencionale të letërsisë shqipe të Kosovës.
“atje
në pusin e diellit ku pasqyrohet dhembja
lëkunden hijet e fshehtësive
shpesh herë kam dashur të mbyllem në vete
për një shikim më të thellë të mendjes”.
Dhe në vazhimin e këtyre persiatjeve, jepet sqarimi decidiv i autorit që, nuk mund të ishte gjithmonë i njejti. Pra, pranohet ndryshimi:
“dhe nuk mund të jem gjithmonë i njëjtë
se zemra ndryshon kohë pas kohe
dhe për këtë e them uratën e zbulimit
në kremten e dhembjeve”
Kemi të bëjmë me periudhën pas vitit 1970, kur edhe në Kosovë, gjithënjë e më fuqishëm shfaqet dhe përhapet poezia eksperimentale, sidomos nëpërmjet të penave të reja, krijimet poetike të të cilëve janë gjithnjë e më shumë të pranishme nëpër gazetat dhe revistat e kohës, që sjellin frymën dhe ndikimin gjithnjë e më të fortë nga poezia modedrne evropiane e botërore, ndikim ky, që imponohet dhe pranohet si nevojë e çlirimit të artit poetik nga klishetë e vjetra dhe konjukturale të kohës.
Qëndrimet për dhe kundër eksperimentimit janë të zëshme. Në njërën anë janë klasikët e realizmit, që ngrisin zërin kundër depërtimit të frymës së artit dekadent në letërsinë shqipe. Qëndrimet e këtilla shprehen nga Rexhep Qosja deri tek Rexhep Hoxha, kundërshtari më i rreptë dhe më i zëshëm, autor i disa botimeve që kundërshtojnë ashpër depërtimin e frymës së poezisë moderne, duke e konsideruar “art dekadent”.
Mirëpo, ka edhe pikëpamje më të ekuilibruara, që sugjerojnë “hapjen e kujdesshme” dhe “të kontrolluar” të krijimtarisë letrare. Ky është qëndrimi zyrtar i pushtetit të kohës, që ua delegon përgjegjësinë e kontrolit të gjitha redaksive të gazetave dhe shtëpive botuese, të cilat pajtohen se: “Eksperimentimi nuk guxon të kalojë kufirin e së lejuarës (!) që përfundon me epigonizëm…”![5] Kjo mendësi pranohet nga shumica e shkrimtarëve, studiuesve, kritikëve letrarëve dhe zyrtarët e redaksive botuese. Mirëpo, të gjithë këta bien në hall të madh, sepse, e kishin shumë vështirë që ta përcaktonin “kufirin e së lejuarës” dhe ta pengonin daljen në “epigonizëm”! Për fatin e mirë, situata tejkalohet pozitivisht në saje të vullnetit të mirë të njerëzve përgjegjës nëpër gazeta, revista dhe shtëpitë botuese, të cilët rreth botimit të veprave letrare, në heshtje e zgjerojnë “kufirin e së lejuarës” në favor të krijimeve të reja eksperimentale dhe penave që synojnë poezinë moderne, krijimet e të cilëve lejohen të dalin në periodikun e kohës dhe në botime librash të frymës eksperimentale. Kësaj kohe dhe fryme eksperimentale i takon edhe Isak Ahmeti dhe veprat e tij poetike.
2. Analizë e vëllimit “Uratë zbulimi”
Vëllimi “Uratë zbulimi” përbëhet prej 24 poezive (366 vargje), që janë sistemuar në tri pjesë më vete poetike, por që kanë një ndërlidhje kohezive dhe konstante strukturore e ideoartistike, në funksion të përmbajtjes letrare, që figurativisht, brenda librit e realizon formën e një ure me tri harqe : “Nocione” – “Transfiguracione” – “Figuracione”, të cilat i referohen metaforës qendrore ideo-artistike dhe përmbajtsore “Uratë zbulimi”, që është titull i librit dhe bërthama tematike e trajtimit letrar dhe e qëllimit artistik.
Në ciklin Nocione, autori parashtron format themelore të ekspeditës poetike për zbulimin e së panjohurës, duke eksploruar idetë fillestare, sipas të cilave kërkon ta pasqyrojë realitetin objektiv dhe metafizik, duke eksploruar nëpër preokupimet ekzistenciale gjithënjerëzore, e të shoqërisë shqiptare, si pjesë e veçantë aktive në ndërmarrësinë universale. Autori niset “Lirisht” – por i vetëdijshëm se udhëtimi do të ketë:
“pengesë
banim
përafërsisht
vjedhës
presion
forcë
përafërsisht
dasmë
(vj. Lirisht)
Interpretimi i këtyre tetë fjalëve, që përbëjnë 8 vargjet e vjershës së parë të librit, në lexim të parë duket se nuk e kanë asnjë ndërlidhje të afërt, mirëpo, në fakt, me pak vëmendje zbulohet ndërlidhja shumë e qartë dhe funksionale. Leximi me intuitë e zbardh gjendjen nga e cila kërkohet dalja, duke paralajmëruar edhe udhëtimin e mundimshëm, me shumë pengesa të përafërta me vjedhës dhe me dasmë! Ky është shpjegimi i një leximi personal, që, për ndokend mund të mos jetë i pranueshmëm, mirëpo, as nuk mund të mohohet, sepse, është e çartë se kemi të bëjë me një krijim poetik që ofron mundësi të pakufishme të shijimit dhe të vlerësimit të vlerës saj. Fakti se botimin e poezisë “Lirisht”, e kanë miratuar autoritetet më të spikatura të letërsisë shqipe, Anton Pashku (redaktor) dhe Azem Shkreli (recensent), e përjashton çdo lloj dyshimi ndaj vlerës së poezisë. Prandaj, lexuesit i mbetet vetëm që ta lexojë me kujdes dhe t’ia hetojë vlerën sipas ëndjes personale. Lexuesit e rëndomtë në kontaktin e parë me poezinë e Isak Ahmetit, mund edhe të mos kënaqen sa duhet, sepse s’arrijnë të komunikojnë me estetikën receptive të këtij lloji të artit poetik. Mirëpo, krejtësisht ndryshe kjo poezi lexohet e receptohet nga shtresa intelektuale, e cila komunikon më lirshëm dhe e ndjen më në thellësi ritmin e këtij lloji poezie, me strukturë të re gjuhësore e artistike dhe me sistem të veçantë shprehës.
Njëra nga cilësitë e rëndësishme të origjinalitetit të poezisë së Isak Ahmetit dhe karakteristikë shquese e individualitetit të tij poetik, është vargu, skajshmërisht i thjeshtë dhe shumë i kursyer nga fjalët, por me sintaksë dhe ritmikë insistuese për fonema me funksion sa më të madh dhe mesazhe sa më të pasura poetike për ndikim estetik. Këtë qëllim autori e realizon me kreativitet eksperimental, përnes konotimit të strukturës poetike të bazuar në njësimin “të kuptimit të parë leksikor, qofshin të forcës dhe shprehimisë që krijohet nga përsëritja, nga ballafaqimi, kundërvënia ose kundërshtimi, me ç’rast krijohet shumësia shprehëse kuptimore brenda një vargu, një strofe, një poezie ose njëckli.” [6]
Shembull ilustrativ paraqet poezia e dytë e vëllimit “Uratë zbulimi”, me titull “Klasike”, që përbëhet vetëm nga 4 vargje:
“zonja e ka qenin e vet
qeni e ka gurin e vet
guri e ka Skënderbeun
por kur do ta kesh ti”
Poezi fare e thjeshtë, me leksema e shprehje të zgjedhura që jepen si premisa të silogjizmit, përmes pyetjesh retorike nga të cilat nxirret gjykimi përfundimtar. Autori qëllimit ia arrin përmes figurës së epiforës që kombinohet me figurën e simplokës dhe palilogjisë, dhe me përsërtitjen e kryefjalëve të njejta nga vargu në vargun tjetër e rregullon harmoninë poetike (etike dhe estetike) të mikrostrukturave brenda tekstit me variantet e ndyshme të fjalëve të përsëritura nëpër vargje: (“zonja e ka qenin e vet/ qeni e ka gurin e vet/ guri e ka Skënderbeun”) dhe si përfundim pyetja hipotetik “por kur do ta kesh ti”?!
Pra, shohim se gjykimi poetik përfundimtar është i simbolikës alegorike, brenda pyetjes “kur do ta kesh ti” që është e lehtë të zbërthehet dhe ta ketë përgjigjen e saktë, duke pasur parasysh faktin se në kohën kur janë shkruar këto vargjeve, emri i Skënderbeut ende qëndronte brenda pëshpëritjeve të përshpirtshme të shqiptarëve të Kosovës. Poeti e lë të nënkuptueshme përgjigjen dëshirore të pyetjes: kur do ta kesh ti (Kosovë) Skënderbeun tënd?!
Ky është interpretim im personal, krejtësisht subjektiv, që mund të mos jetë krejtësisht i përputhshëm me të autorit, por, kjo nuk ka rëndësi, sepse lexuesit i takon e drejta absolute e shijimit vetanak dhe e shprehjes së përshtypjeve personale, sepse ky është misioni i vërtetë i artit, që nuk është matematikë. Të përafërta me poezinë “Klasike” janë edhe poezitë: “Vendlindja”, “Molla” dhe “Nocione”, nëpërmjet të cilave njihemi me tiparet e përgjithshme të konceptit krijues të autorit, që e sfidon realitetin duke i besuar zgjimit për dalje nga ëndrra e pikëlluar…
Pas ekspozesë poetike në ciklin “Nocione”, vazhdon cikli “Transfiguracione” që shënon etapën e dytë të aventurës poetike, me ngritje shqetësimesh, forcim të theksuar të intensitetit të formës strukturore dhe të përmbajtjes, në kuptimin e dendësimit të mendimit artistik. Këtë proces poeti e ka quajtur “Transfiguracion” sepse, ka të bëjë me transferimin e figuracioneve, nëpërmjet të cilave ndodh riciklimi i pamjeve dhe i përmbajtjeve themelore të mendimit. Pra, ndodh krijimi i harkut të dytë, me transformim të sistemit të mjeteve shprehëse, gjuhësore e strukturore, shtohet kompaktësia kompozicionale, ndodh ngritja e sistemit metaforik i kuptimësisë së figurave stilistike, ndryshon timbri fonetik dhe i intonacionit të ritmikës, duke profilizuar një mëvetësi të re shprehëse, me reflektim të mirëfilltë artistik.
Këtë proces ndryshimi, autori e arsyeton te vjersha “Pa titull”, duke u bazuar në ndryshimin e realitetin objektiv:
“Natyra/ gjithmonë/ e ndërron ngjyrën.”
(fq.17.)
Te cikli i dytë poeti manifeston shpërfillje të plotë ndaj shumë fenomeneve, dukurive, raporteve, qëndrimeve dhe aksiomave jetësore, duke i përbuzur pa kursim: “prindërit krijojnë majmunë, prej fëmijëve të vet/ kjo është dashuri” (vj. Afërsia fq.18); ose: “të pasurit kanë nevojë – për të varfrit” (fq.20); ose: “dhe gëzimi i përngjan murit kinez” (fq.21); “Dashuria është – mëngjes tradhtar – vjen me kampion në dorë” (fq.25) e të tjera, që kulmojnë tek poezia “Transfiguracione” (fq.19), në të cilën poeti shprehet:
“ MËZATI ka pirë birrë
dhe sillet si gomar
gomari e merr mëzatin në qytetin e fëmijërisë
dhe sillet
si kali
kali e merr turistin britanik
dhe në bririn bashkëshortor të tij
e pi edhe një Ëisky
dhe kështu lindin
T r a n s f i g u r a c i o n e”
Ndryshimet transformuese vazhdojnë edhe të cikli i tretë, “Figuracione”, që shfaqet edhe më i artikuluar dhe krijon ekuilibër më të qëndrueshëm në balancimin e paralelizmit ndërmjet botës shpirtërore dhe realitetit objektiv. Heroi lirik te vjersha “Lter i bardhë i zemrës sime”, në kohë mjegullash të bardha e të zeza, refuzon ftesën për kthim duke mos pranuar shtrirjen e duarve për përqafimin e botës së fundosur në thellësitë e tij, nga dhembjet dhe shembjet e imponuara:
lter i bardhë i zemrës sime
para teje bëmë lutje
për dhembje e shembje
– në lindje “
(fq.33)
Në këtë paralelizëm autori e vendos njeriun e tokës së tij, i cili “…plot me urrejtje dhe dashuri, dëgjon këngën e bilbilave ushtri…” (vj.Njeriu i tokës sime, fq.31), ndonëse jeton në “Blerim të përgjakur” (fq 34), nëpër të cilin rruga është e mundimshme nga “shpatat e huaja mes nesh dhe tërbimit fashist”. Dhe, harku i agjitacionit artistik, figurativisht përmbyllet me dy poezi “Butrinti” dhe “Apolonia”, kushtuar këtyre dy qendrave të antikitetit, të mbajtjura gjatë në heshtje dhe izolim edhe për vet shqiptarët! Hapja e vonë e tyre dhe mundësia për t’i vizituar është ngjarje e rëndësisë së madhe si për të gjithë shqiptarët, dhe për autorin Isak Ahmeti, i cili me rastin e vizitës, në qershorin e vitit 1973, e ndjen lashtësinë e shnjtërisë mitologjike, sepse, mrekullia e trashigimisë materiale që ia shohin sytë në Butrint dhe në Apoloni, ngacmon instinktin gjenetik të lashtësisë gjenealogjike, që i përket udhës biblike “të gjakut e të tamblit” autokton.
Reagimi kritik poetik, i Isak Ahmetit, shfrytëzohet dhe i shërben shkëlqyeshëm zgjerimit të referencës eksperimentale letrare e poetike, të shkriftuar në fazën e parë krijuese, së cilës i përkasin tri vëllimet e para: “Gallatea” (1972), “Uratë zbulimi” (1976) dhe “Kushtimebesë” (1983), të cilat edhe pse të botuara para 5 dekadash, janë libra që me endje lexohen edhe sot, dhe janë me shumë interes për studiues, analistë e kritikë letrarë, sepse poezia e Isak Ahmetit është kampion i avangardës poetike eksperimentale dhe pionier i poezisë moderne shqipe të Kosovës.
Prishtinë, maj 2020
[1] Ramadan Musliu “Domeni i literaritetit” Rozafa, Prishtinë 2018.
[2] I.Rugova, Strategjia e kuptimit” fq. 223-224).
[3] Prof.dr, Anton Nikë Brisha, “Dritë e përjetësisë”,F.Konica, Prishtinë, 2019 .
[4] Aristoteli, “Poetika”, Rilindja, Prishtinë 1984).
[5] Prof. dr. Ali Aliu “Rrjedhave të letërsisë”, Rilindja,Prishtinë, 1977.
[6] *5) Anton N.Berisha “Veçanti ligjërimesh poetike”, Eurorilindja, Tiranë 1996.