Dr. Januz Dërvodeli
“Ndoshta kjo mund të duket si një mundësi e largët fantastike,
por studiuesit (njohësit) e TV medias na sinjalizojnë se së
shpejti do të vie koha, që pronari i televizionit, nga kaseta
kompjuterike do ta porosisë informatën e dirigjuar, qoftë ajo tekstuale, verbale etj.“
Hyrje
Edukimi dhe arsimimi demokratik në shkollën tonë sot, pa e anashkaluar edhe ndikimin që kanë mediet dhe rrjetet sociale, synon që te të rinjtë, në radhë të parë, të arrijë mbi të gjitha, këto tri vlera, që janë të vlefshme dhe jetike për shoqërinë. Ato janë:
· Formimi i kulturës të të nxënit gjatë gjithë jetës
· Formimi i kulturës së punës dhe
· Formimi i kulturës së sjelljes
“Çështja e krijimit të demokracisë, thotë Sh. Monteske, është diçka shumë e mirë për popullin. Mirëpo ekziston një çështje tjetër që është shumë më e mirë dhe më e rëndësishme për të, e ajo është çështja e edukimit të fëmijëve dhe e të rinjve për demokraci“2.
Mediet janë faktor i rëndësishëm për komunikim me njerëz. Zhvillimi i teknikës dhe i teknologjisë e kanë bërë që jeta dhe puna e njeriut të ndryshojë shumë. Mediet mund të jenë një mjet edukues shumë i vlefshëm, por duhet ditur kufiri i përdorimit të tyre. Ato ofrojnë mundësi për informimin dhe edukimin e përgjithshëm të njerëzimit. Mediet bëjnë pjesë në format dytësore të informimit, në “të cilat përdoren mjetet teknike të lajmërimit, që u drejtohen një mase të madhe njerëzish, me qëllim të formimit të opinionit publik”3.
Mediet kanë luajtur, po edhe sot luajnë rolin e madh në ndryshimin e mentaliteteve të vjetra sociale; kanë ndikuar të ecë përpara shoqëria, kanë sjellë modele të një jete bashkëkohore, por kanë pasur edhe rolin e vet negativ. Politizimi i medieve e vë shikuesin para debateve politike, të përcjella shpesh me acarime dhe me dhunë verbale e fizike.
Ndërkaq, në rrjetet sociale, në dekadën e fundit, ndihet një çlirim te njerëzit nga vartësia e medieve (televizionit), duke iu shmangur programeve politike dhe natyrës personale që marrin emisionet.
Nga ana tjetër, mediet sot duhet të kenë rol të madh, gjithëpërfshirës edukativ, andaj duhet t’u hapet rrugë programeve që paraprijnë në përgatitjen e shoqërisë për të ardhmen, në të kundërtën, ndikimi negativ i medieve do të ketë rolin e tij, sidomos në prezantimin e programeve kriminalistike, të sjelljeve agresive, dhunës brenda familjes, vrasjeve, vetëvrasjeve etj. Dhe, natyrisht, viktimë e ndikimeve negative të medieve (televizionit, po edhe të rrjeteve sociale) mund të jenë të gjithë e, në veçanti fëmijët, të cilët duhet të kenë përkujdesje nga prindërit në përcjelljen e këtyre emisioneve jo edukative, dhe të mos krijojnë vartësi nga shikueshmëria e programeve të tilla televizive. Në lidhje me këtë po e citojmë një mendim të Sami Frashërit, i cili që në kohën e tij ka thënë :“Fëmijës duhet dhënë atë që i duhet, jo atë që e kërkon4”.
Roli i medieve dhe i rrjeteve sociale në edukimin demokratik
Mediet dhe rrjetet sociale, për të pasur ndikim të efektshëm në rininë, duhet që në vazhdimësi të ofrojnë programe, debate, këshilla e mesazhe të larmishme edukative, të cilat ndikojnë në edukimin demokratik të të rinjve tanë. Dhe, qëllimi i këtyre programeve, duhet të jetë formimi i qytetarëve me botëkuptime të pavarura, me ide dhe bindje mjaft të qarta për teorinë dhe praktikën e demokracisë. Për më tepër, për t’u edukuar të rinjtë nga mediet dhe rrjetet sociale në frymën e pikëpamjeve demokratike, do të duhej të konceptohen me aso vlerash, përmbajtjesh e programesh, kursesh shkollore, të cilat në fakt do të formonin njeriun demokrat me pikëpamje të reja, me ndërgjegje, me ide , bindje dhe vetëdije demokratike dhe me liri e barazi të plotë.
Për ta arritur këtë qëllim, kërkohet që në shkolla dhe mbase edhe në media të ndryshohen edhe më tej metodat e punës, përmbajtjet, pastaj të ndryshohet pozita e subjekteve në procesin e edukimit, çrrënjosja e koncepteve tradicionale dhe zëvendësimi i tyre me ato të reja, që janë demokratike, qytetëruese e pluraliste.
Dihet se arsimi është një shtyllë e progresit, është pjesë përbërëse e çdo shoqërie, sidomos e një shoqërie demokratike që është në konsolidim të vazhdueshëm – siç është kjo jona. Prandaj, qëllimi i edukimit dhe i arsimimit demokratik të pjesëtarëve të një shoqërie, është që të formojë qytetarë me botëkuptime të pavarura, me një zhvillim të mendimit kritik dhe krijues, hulumtues e të arsyeshëm për një qytetari aktive, e cila merë pjesë në vendimmarrje dhe, njëkohësisht, me ide mjaft të qarta për teorinë dhe praktikën e demokracisë dhe për institucionalizimin e lirisë. Kontribut në arritjen e këtyre vlerave demokratike, kanë gjithsesi edhe medieve dhe i rrjeteve sociale, të cilat, me shkëmbimin dhe ofrimin e informacioneve dhe të programeve me karakter demokratik, ndikojnë pozitivisht, sidomos në kultivimin dhe jetësimin e vlerave të edukimit demokratik të pjesëtarëve të një shoqërie.
Në të kundërtën, pa një shoqëri të mirëfilltë demokratike, siç thotë Albert Kamy: “njërëzit do të mund të punonin dhe jetonin në një shtet që bazohet në gënjeshtra, në pasiguri e në dhunë”.5
Edukimi demokratik, i cili arrihet, qoftë nga institucionet edukativo-arsimore, qoftë nga mediet dhe rrjetet sociale, po qoftë edhe nga faktorët e tjerë edukativë, synon të krijojë kushte maksimale dhe të barabarta për zhvillimin dhe edukimin e të gjithëve, pa marr parasysh përkatësinë kombëtare, gjinore e konfesionale. Edukimi demokratik respekton lirinë e plotë dhe të drejtat individuale njerëzore të të rinjve dhe të të rriturve për pjesëmarrje të barabartë në procesin e edukimit. Mund
të thuhet me të drejtë se, “në një shtet demokratik,me kalimin e kohës, arsimi e bën vetë lirinë të lulëzojë, e mbonë lirinë ma shumë se sa një ushti, dhe e ngre lart vetëdijen kombëtare”.6
Si mediet, ashtu edhe rrjetet sociale, sot duhet të bëjnë një luftë të pa kompromis, lidhur me ndikimin që duhet ta bëjnë në edukimin demokratik të pjesëtarëve të shoqërisë dhe, si përparësi të politikës së vet, duhet ta kenë zhdukjen e analfabetizmit, luftën kundër agresionit dhe okupimit të territoreve të huaja, kundër aparthejdit dhe kundër të gjitha formave të tjera të mbizotërimit dhe diskriminimit social, kundër pabarazisë sociale-ekonomike etj. Në lidhje me këtë, Maksimilian Robespjeri, lidhur me Deklaratën e të Drejtave të njeriut, shkruante: “Njerëzit e të gjitha vendeve janë vëllezër…ai që shtyp popullin tjetër,deklarohet armik i të gjithë popujve tjerë“.7
Në këtë aspekt, rëndësi të veçantë ka zhvillimi dhe formimi i kulturës demokratike, ku njerëzit duhet, të paktën, të tregojnë vullnetin e mirë për të toleruar dallimet midis tyre, duke pranuar se argumentet e palës tjetër janë në të vërtetë më të drejta. Andaj edhe në debatet që i përcillen në media, në shtypin ditor, në parlament, pastaj përmes shkëmbimit të mesazheve dhe komunikimit në rrjetet sociale, duhet të dominojë fryma e kompromisit, e tolerancës, e mirëkuptimit, e bashkëpunimit, e respektit, e divesitetit të mendimeve, gjithnjë i ngritur mbi parimin e qeverisjes demokratike në shoqëri. Prandaj, sot roli i edukimit demokratik në shkolla, sikur edhe ndikimi i medieve dhe i rrjeteve sociale, nuk ka të bëjë me nxjerrjen e specialistëve të paditur, “akademikë analfabetë“, të cilët nuk do të mund t’i dalin zot profesionit të vet, por zhvillim të aftësive dhe të shkathtësive individuale të të rinjve, nxjerrja në jetë e njerëzve mendimtarë që do të mund të ballafaqohen me probleme të shumta sociale, kulturore, ekonomike, politike etj.
Demokracia në vete në të vërtetë nuk garanton asgjë. Ajo paraqet mundësi për të fituar, por edhe rrezik për të dështuar. Është edhe premtim, po edhe sfidë. Është një serë rregullash për zgjidhjen e konfliktit. Sipas Tomas Xhofersonit, premtimi që bën demokracia është: ”jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë njerëzore”8. Ajo është premtim se duke punuar bashkërisht, njerëzit mund të vetëqeverisin në mënyrë të atillë që i shërben aspiratave për liri personale, zhvillim ekonomik dhe drejtësi shoqërore. Ajo mund të jetë edhe sfidë, sepse suksesi i nismës demokratike, varet nga vetë shtetasit e saj dhe nga askush tjetër.
Ndërkaq, era e demokracisë vazhdon të fryjë nga Mongolia në Tajvan, kurse në Afrikë nga Senegali, Gaboni e Kongoja deri në Angolë, madje edhe në Afrikën e Jugut.
Dhe kjo frymë lirie që vihet re gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, nuk përbën kurrsesi garanci për suksesin e saj përfundimtar. Në lidhje me këtë, Çester Fini thotë: “Është më se e kuptueshme që populli për nga natyra, parapëlqen më shumë lirinë se sa shtypjen. Por kjo nuk do të thotë se sistemet politike demokratike mund të krijohen dhe të mbrohen vetë për një kohë të gjatë. Përkundrazi, ideja e demokracisë është e qëndrueshme, por zbatimi i saj është i pasigurt”9.
Edhe ish presidenti amerikan, Xhimi Karter, përkitazi me demokracinë thekson: “Përvoja e Demokracisë, është si përvoja e vetë jetës. Është në ndryshim të pandërprerë, e pafundshme në
larminë e saj, nganjëherë e vrullshme, por edhe më e vyer sa më shumë t’i ketë bërë ballë vështirësive”10.
Për të pasur një demokraci të shëndoshë dhe për të arritur një kulturë demokratike, varet shumë se sa është zhvilluar kjo kulturë demokratike te qytetarët, pra, sa janë përvetësuar dhe arritur sjelljet, praktikat dhe normat që e përcaktojnë aftësinë e një populli për t’u vetëqeverisur. Sepse kultura demokratike, duhet të tregojë vullnetin e mirë të qytetarëve për t’i toleruar dallimet midis tyre, për ta zotëruar kulturën e debatit, të fleksibilitetit në mendime, të pranimit të dy mendësisë etj.
Edukimi demokratik që arrihet sot përmes medieve dhe rrjeteve sociale, sikur edhe përmes institucioneve të arsimit dhe edukimit, duhet t’i orientojë të rinjtë për një botë gjithnjë e më komplekse, moderne dhe pluraliste. Me qëllim për të siguruar të ardhmen e demokracisë, si dhe për të kontribuar në zhvillimin e përhershëm të saj, bëhet i domosdoshëm përvetësimi sa më i hershëm i kompetencave të të vepruarit demokratik, të rregullave dhe normave të shoqërisë civile, si dhe zhvillimi i një kulture demokratike, duke filluar që në bankat e shkollës dhe të universitetit.
Një mënyrë tjetër me rëndësi, për t’i përvetësuar këto kompetenca, është të mësuarit përmes projekteve konkrete, që u mundësojnë të rinjve të provojnë në praktikë mundësitë e tyre të veprimit dhe të arrijnë përvoja individuale, si dhe të nxisin drejtpërdrejt angazhimin e tyre për shoqërinë civile, për edukimin demokratik, për edukimin për të drejtat e njeriut, për edukimin për një qytetari demokratike dhe për një pjesëmarrje aktive në vendimmarrje.
Në këtë drejtim, ka rëndësi stimulimi i projekteve, duke pasur si pikëmbështetje rolin e medieve dhe të rrjeteve sociale, që kanë për qëllim përgatitjen e të rinjve për të marrë përgjegjësi për shoqërinë, si dhe për të respektuar normat dhe rregullat e demokracisë me moton “Mëso dhe jeto demokracinë“, gjë që është synimi kryesor i shkollës demokratike.
Ndikimi i medieve dhe i rrjeteve sociale në përditshmëri te të rinjtë – të mirat dhe pasojat që mund t’i kenë
Bota sot po bëhet gjithnjë e më globale, gjë që kjo shtrirje e saj e ka përfshirë edhe Kosovën. Kanë vërshuar informacionet nga mediet, interneti dhe rrjetet sociale, ku të rinjtë e kanë mundësinë të nxënë dije nga fusha të ndryshme, të marrin informacione të shpejta për botën, po edhe të shërbejnë si medium për ndërveprim social të pranueshëm në rrethin shoqëror.
Si rrjete më të frekuentuara këto vitet e fundit nga të rinjtë, janë: interneti, televizioni dhe facebooku. Por sipas disa hulumtimeve (sipas Agjencisë për mbikëqyrjen e Tregut ‘Nielsen në SHBA), shfrytëzimi i tepruar dhe i pakontrolluar i këtyre medieve dhe i rrjeteve sociale, mund të shfaqë disa ndryshime në formimin e personalitetit të të rinjve, si p.sh.: në shëndet, në mungesë të sjelljeve, mungesë të komunikimit, mungesë të socializimit, të depersonalizimit, varësisë etj.
Jemi dëshmitarë se para 17 vitesh ( 2004 ), në internet u shfaq rrjeti social Facebook, që sot është bërë rrjeti më i suksesshëm. Facebook-u dhe rrjetet e ngjashme, si: Linkedin, Instagram, apo Xing, Twiter, janë bërë sot për shumicën e njerëzve pjesë e jetës së përditshme.
Jo vetëm të rinjtë, por edhe njerëz të moshave më të pjekura e fillojnë dhe e mbarojnë ditën duke hedhur një vështrim në Facebook. Prandaj postimi i lajmeve, i fotografive private, komentet, ftesat,
debatet, organizimi i takimeve me miq, e plotë njoftime të tjera përmes Facebook-ut, janë bërë përditshmëri për miliona njerëz. Me rrjetet sociale lindi mundësia për të qenë gjatë terë kohës i pranishëm dhe në kontakt me ngjarjet nga më të ndryshme të botës dhe për botën.
Por kurioziteti për shpikje të reja në fushën e komunikimit, është kërcënimi më i madh për një rrjet social si facebook-u – thotë Leistert.
Shkencëtarët bëjnë me dije se facebook-u do të mbetet edhe për të paktën për një kohë medium a rrjet social dominues. Ai është bërë një ide epokale, është bërë mbase masmedia e gjithë botës. Megjithëkëtë, sot jeta mund të vihet edhe në rrezik nga interneti dhe rrjetet sociale përgjithësisht, ngase me një virus kompjuteri, hakerët mund të shkaktojnë një aksident automobilistik. Kjo është dëshmuar nga studiuesit. Dhe, në një botë ku gjithnjë e më shumë aparatura lidhen në internet, rreziku i sulmeve të tilla rritet akoma më shumë.
Për më tepër, synimi i shumicës së hakerëve është rrëzimi i sistemeve kompjuterike dhe marrja e të dhënave dhe e fjalëkalimeve. Të prekura prej kësaj “piraterie” në të kaluarën kanë qenë edhe institucionet dhe organet e rëndësishme, si FBI-ja dhe Ministria Amerikane e Mbrojtjes. Pra, sulmuesit kërkojnë një të qarë në sistem, hyjnë brenda dhe kryejnë pastaj sulmet e tyre. Ky parim funksionon te të gjitha aparaturat që komunikojnë me botën e jashtme, si: kompjuterët, avionët, anijet, makinat, po edhe pajisjet shtëpiake.
Se sa të prekshme janë ato, këtë e studioi edhe shkencëtari Klaus Scherer, i cili theksoi: “Në shënjestër të hakerëve, sa e rrezikshme është kjo. Edhe avionët mund të devijohen nga kursi i tyre i fluturimit, pastaj ndërhyrja në llogaritë bankare për qëllime përfitimi etj”11.
Qasja në media, në internet dhe në rrjetet sociale, siç shihet sot, është rritur ndjeshëm. Kjo u krijon mundësinë të rinjve për një edukim demokratik “online“, por këtu mund të paraqiten edhe sfida, pasi që qasja në internet është e madhe, ndaj duhet të ndërmerren hapa konkretë për motivimin e tyre për përdorimin e ndërgjegjshëm të internetit dhe të rrjeteve të tjera sociale.
Ç’farë janë dobitë e përdorimit të medieve dhe të rrjeteve sociale nga të rinjtë
Kuptohet se Mediet sociale sot kanë hapur opsione të reja për zhvillimin e karrierës, duke e bërë komunikimin dhe jetën më të lehtë, ngase ofrojnë mundësi për të krijuar, për të bashkëpunuar, diskutuar tema të ndryshme, të bësh biseda të lira me miq dhe të panjohurit, të gjesh shokun e shoqen e jetës, etj.
Ato përparësi janë:
· Komunikojnë lirshëm dhe shpejt me bashkëmoshatarë, miq etj.;
· Forcon marrëdhënie shoqërore;
· Largon ndjenjën e turpit dhe të vetmisë;
· Vizitojnë ueb-sajte me përmbajtje argëtuese;
· Shfrytëzojnë si burim informata për projektet shkollore dhe për detyrat e shtëpisë;
· Mundëson ruajtjen e anonimitetit, ku çdokush mund ta fshehë identitetin e vet në internet;
· Qasje e lehtë për të ardhur deri te informatat e nevojshme;
· Shit-blerje;
· Komunikim i shpejtë pa marrë parasysh largësinë;
· Lexim lajmesh;
· Mundësi të pakufizuara për hulumtim;
· Lojëra të karakterit të ndryshëm;
· Kryerje të transaksioneve bankare;
· Reklamime etj.;
· Ndikimi pozitiv psikologjik, social, politik, ekonomik etj.
· Nxit vetëvlerësimin etj.
Njëherazi mediet, interneti, rrjetet sociale, mund të kthehen në burime shqetësimesh ekstreme deri te keqtrajtimet, vjedhjet, kërcënimet, krime kundër personit, terrorizmi, fanatizmi fetar, nacionalizmi, shovinizmi, dhuna verbale dhe fizike, kriminaliteti, vrasjet etj. Prandaj, rreziku nëse nuk jemi të kujdesshëm, mbetet i lartë, sidomos te të rinjtë tanë sot.
Prandaj, vendosja e një balance midis jetës reale dhe asaj virtuale, rekomandohet si çelësi i suksesit.
Ç’farë janë rreziqet e përdorimit të medieve dhe të rrjeteve sociale nga të rinjtë?
Lajmet në media nganjëherë mund të lënë përshtypjen se interneti është vatra e prepotentëve elektronikë, grabitqarëve seksualë dhe hajdutëve të identitetit, duke e ditur se rrjetet sociale janë bërë pjesë e jetës së përgjithshme për mbi 60% të shqiptarëve. Përdoruesit janë të moshave të ndryshme, sidomos në facebook, Twiter, blogger, duke filluar nga adoleshentët e deri te personat mbi 50 vjeç.
Megjithatë, internetin, sikur edhe rrjetet e tjera sociale, nuk duhet shikuar si armiq, përkundër telasheve që mund të vijnë nga përdorimi jo i mençur i tij.
Ato rreziqe apo efekte negative janë:
· Shkakton depresion;
· Çrregullon mënyrën e të ushqyerit;
· Nxit divorcin e çifteve;
· Probleme mendore;
· Probleme me vartësinë;
· Pornografi dhe materiale seksuale;
· Probleme sociale;
· Urrejtje, drogë, armë, dhunë;
· Fotografi të personave të vrarë, duke i vrarë, sjellje sadiste etj.
· Të dhëna të pasakta dhe relevante;
· Humbja e konfidencialitetit të të dhënave personale dhe keqpërdorimi i tyre;
· Ka hakerë dhe viruse;
· Humbja e të dhënave nga mosfunksionimi i sistemit;
· Ka rreziqe ligjore dhe financiare;
· Keqpërdorim i mundësisë për transaksione financiare të paligjshme etj.
Përfundime
Siç u tha edhe më sipër, mediet dhe rrjetet sociale kanë përparësitë dhe rreziqet e veta. Ato sot hapin mundësinë për një breshëri informacionesh, prej të cilave ndikohemi, edukohemi dhe arsimohemi përditë. Kuptohet, përdorimi i drejtë, në kohë të duhur dhe i ndërgjegjshëm sjellë efekte pozitive në çdo lëmi të punës dhe të jetës shoqërore.
Efekti i tyre duket edhe në edukimin demokratik të të rinjve, sidomos në formimin e kulturës demokratike, të debatit, diversitetit në mendime, në kulturën e tolerancës, të bashkëpunimit, të edukimit për të drejtat e fëmijëve dhe të të rriturve, të qytetarisë aktive, të edukimit për qytetari demokratike, për barazi gjinore, për edukim në karrierë etj. Andaj, për të qenë edhe më i madh efekti veprues i tyre (ndaj të rinjve dhe ndaj shoqërisë), i medieve, ashtu edhe i rrjeteve sociale, do të duhej që prindërit, sikur edhe mësimdhënësit, po mbase edhe komuniteti, duhet të japë mesazhe pozitive dhe të bëjë përcjelljen dhe mbikëqyrjen e përdorimit të programeve nga të rinjtë. Në të kundërtën, pasojnë rreziqe me pasoja shpeshherë të paparashikueshme.
Lidhur me këtë Perri Aftabi, ekspertja për sigurinë e internetit thekson: “Fëmijët e përgjithësisht të rinjtë dinë më tepër për teknologjinë, por prindërit dinë më tepër për jetën”12.
Nga i gjithë ky material që u tha më sipër, përkitazi me ndikimin e medieve dhe të rrjeteve sociale në edukimin demokratik të të rinjve, po përfundojmë me disa nga rekomandimet që mendojmë se do të kishin ndikim në edukimin e drejtë dhe demokratik të të rinjve tanë sot në shoqëri. Ndër to po i paraqesim:
Që familja, shkolla dhe të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë të ndikojnë edhe më shumë në vetëdijesimin dhe edukimin e drejtë dhe me kohë të rinisë. Sepse ata që e marrin edukimin, sillen njerëzishëm kudo, kanë një vetëpërmbajtje, kanë ndërgjegje dhe dinë si veprojnë, nuk mendojnë për të keqen e vetes dhe të tjerëve;
· Që mediet elektronike të shfaqin më shumë emisione, tema, dokumentarë, programe, debate etj., që ndikojnë pozitivisht në edukimin demokratik të të rinjve, sikur edhe për rrezikun nga përdorimi i tepruar i atyre të rinjve që u mungojnë sjelljet e ndërgjegjshme;
· Që shkollat të jenë më aktive që të organizojnë debate dhe aktivitete shkollore dhe jashtëshkollore, sidomos nga forumi rinor, me tematika të kësaj natyre;
· Që kurrikula kombëtare të parashohë edhe më shumë përmbajtje, qoftë përmes lëndëve obliguese, qoftë përmes atyre zgjedhore, me qëllim për t’u vetëdijesuar edhe më tepër të rinjtë për rrezikun që mund t’iu paraqitet nga mosdija e përdorimit të këtyre medieve dhe rrjeteve sociale;
· Të kufizojnë, po mbase edhe t’i parandalojnë të gjitha ato programe e faqe në internet që nuk kanë përmbajtje edukative, e që janë kriminale, pornografike etj., ngase rreziku i abuzimit të fëmijëve nga të rriturit mund të ndodhë, sikur që po ndodhë;
· Dhe me qëllim që të kemi një mirëqenie sociale më të mirë, të gjithë njerëzit, veçmas të rinjtë duhet ta marrin edukimin, ta duan jetën, të punojnë për jetën dhe assesi nuk duhet të kenë arsye që më shumë t’i frikësohen jetës se sa vdekjes, më shumë urisë se sa sëmundjes e më shumë ardhmërisë se sa të tashmes.