Sot në ambientet e Shkollës së Artit Pamor “Adem Kastrati”, në Gjilan, është mbajtur një takim Informues, në temën: Mësimi Profesional Dual dhe Skemat e Granteve, takim ky i organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (SHPDK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe MIRECK. E tëra kjo në partneritet me LuxDev – Aftësi për Punë të Qëndrueshme.
Para të pranishmëve, përfaqësues biznesesh e profesorë të shkollave profesionale, Arieta Vula-Pozhegu, drejtoreshë ekzekutive e SHPDK tha se qëllimi i shoqatave dhe Odave Ekonomike është që sistemin dual të arsimit ta shtyjnë përpara pasi, sipas saj, në këtë rrafsh, të gjithë jemi akterë të ri; si shkollat, si bizneset, si organizatat.
“Ne si shoqata jemi në shërbim të bizneseve që të fasilitojmë në bashkëpunimin e tyre me shkollat”, ka thënë ajo.
Ndërsa më pas, Agon Isufi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se arsimi dual në Kosovë ka filluar para katër viteve. Fillimisht në katër shkolla, në katër profile dhe me 90 nxënës.
“Në fund të këtij viti shohim një rritje të madhe. Tani kemi arsim dual në 92 shkolla. Kemi 16 profile, janë rreth 2400 nxënës si dhe 800 ndërmarrje në 17 komuna”, ka thënë ai duke shtuar se përmes kësaj forme mësimi dhe bashkëpunimi shkollë-ndërmarrje rritet mundësia për rekrutime të punëtorëve të rinj që nesër bëhen potencial i rëndësishëm për tregun e punës.
Në anën tjetër, Luan Hoti nga LuxDev (Luxembourg Development Agency) para të pranishmëve ka prezantuar skemat e granteve që ndanë Qeveria e Luksemburgut si dhe rrugët që duhet ndjekur bizneset dhe shkollat.
“Janë dy mënyra. E para, mbështetja e kompanive private ku parashihet krijimi i konzorciumit apo partneritetit në mes të sektorit privat, bizneseve në këtë rast dhe shkollave profesionale, përmes një kontrate tri vjeçare aq sa zgjatë edhe periudha e arsimit profesional. Në rastin konkret, lider do të jetë biznesi privat. E dyta, është ofrimi i mundësive për trajnime të ndryshme, të nevojshme në bazë të akredituesve privat të cilët hyjnë në treg”, ka thënë ai duke shtuar se Qeveria e Luksemburgut për këto qëllimi ka ndarë 1 milion euro. Ai, gjithashtu, ka bërë të ditur se ata që duan të aplikojnë për të përfituar grant, shumën maksimale që mund ta synojnë është 100 mijë euro, ndërsa minimalja 50 mijë euro.
Duhet shtuar se mbajtja e këtij takimi informues në shkollën tonë vjen pas bashkëpunimit prej kohësh me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë./Gjilani INFO/


