NGA MARTIN MARLOTAJ DHE FRAN GJOKA
Shkrim problemor
Emigracioni, gjatë gjithë periudhave të historisë, ka qenë dhe është një fenomen tipik social me karakter ndërkombëtar. Edhe Shqipëria, në këtë aspekt, nuk ka bërë dhe as nuk bën përjashtim. Periudha e vështirë e tranzicionit u shoqërua me një hemoragji të pandalshme të procesit të emigrimit të popullsisë së vendit tonë, sidomos në drejtim të vendeve perëndimore, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, sigurisë për të ardhmen dhe kualifikimit arsimor të fëmijëve. Pra, emigrimi i popullsisë në përgjithësi dhe i fëmijëve në veçanti, krahas anës pozitive, mbart në vetvete edhe rrezikun e një asimilimi gradual të gjuhës sonë shqipe, sidomos tek fëmijët dhe tek rinia shqiptare, që jeton aktualisht në mërgim. Fati i ekzistencës së një kombi përcaktohet, në fund të fundit, nga ruajtja e gjuhës dhe kulturës së tij. Populli i një vendi, që për arsye të ndryshme nuk e shkruan dhe nuk e flet gjuhën e tij amtare, është i destinuar të asimilohet pasi gjuha dhe kultura janë tiparet krtesore që e dallojnë një komb nga një tjetër. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi i tij vertikal, humbet sigurinë dhe në shumë raste bëhet më mosbesues ndaj vetvetes. Është interesant fakti se gjuha shqipe ka një zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur. Këtë e kanë vënë re edhe mjaft albanologë dhe gjuhtarë të huaj, të cilët thonë se gjuha shqipe jo vetëm ka një tingëllim të veçantë shprehës, por dhe harmoni të gjerë, gjë që i jep një mundësi të madhe shprehëse të dretpërdrejtë dhe thellësisht metaforike. Kjo ndodh jo vetëm se shqipja është vazhdim i ilirishtes, që bën pjesë në grupin e gjuhëve të hershme Indo–Europiane, por dhe se kohët e fundit ajo është pastruar në mënyrë të dukshme nga fjalët e huaja. Është detyrë e rëndësishme e mësuesve dhe prindërve mërgimtarë që t’u mësojnë fëmijëve shqiptarë, kudo që jetojnë, gjuhën e bukur shqipe. Shqiptarë të vërtetë, patriotë dhe atdhetarë dhe mësues të apasionuar ka plot, si ata që dërguan libra, hapën shkolla, hartuan programe. Këtu më vjen në mend një thënie e një mërgimtari me banim në Itali, i cili, kur ra fjala për gjuhën e nënës, më pati thënë: “…Gjuha është elementi kryesor që trgon se ne jemi shqiptarë, kudo që ndodhemi…”. Parë nga ky këndvështrim, përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje mësuesve atdhetarë, prindërve mërgimtarë, që t’u mësojnë fëmijëve si ta flasin dhe të shkruajnë pandërprerje shqipen, gjuhën që të parët tanë na e lanë për ta përdorur përgjithmonë të pastër. Përmes mësimit të mirë të shqipes së folur dhe të shkruar, fëmijet në diasporë do të mbajnë më lehtë lidhjet me vendlindjen dhe në të gjitha viset shqiptare.
Historikisht mërgimtarët shqiptarë kanë punuar, kanë jetuar dhe janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe. Kjo traditë e çmuar, si amanet i rëndë i të parëve tanë, “që s’e tret dheu i huaj”, deri në ditët tona, duhet të ruhet. Hemoragjia e pasviteve ‘90 të shekullit të kaluar, që ka bërë tashmë të shpërngulen nga atdheu, për një jetë më të mirë, me gjithë familjen, ka detyruar mërgimtarët shqiptarë, këtej dhe matanë kufijve tanë që t’iu përshtaten kërkesave të reja të epokës së globalizimit, ku është bërë i dukshëm rreziku i humbjes së kulturave nacionale pra, edhe të gjuhës nga breznitë e reja. Është për t’u theksuar se tashmë për fëmijët e mërgimtarëve janë hapur shkolla të shumta në vende të ndryshme, ku fëmijët marrin në mënyrë të organizuar mësime plotësuese në gjuhën amtare nga mësues patriotë e pasionantë, të cilët, në të shumtën e rasteve, e japin ndihmën e tyre vullnetarisht. Shembujt janë të shumtë dhe gjendja e këtyre shkollave, mund të themi, se përfshijnë hapësira të reja, ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Për çeljen dhe mbarëvajtjen e këtyre shkollave kanë dhënë ndihmën e tyre dhe drejtuesit e pushtetarët lokalë si në qytetet Nju Jork, Bruksel, Hamburg, Berlin, Frankfurt, Oslo, Athinë etj. Është pozitiv fakti se në shumë qytete në Amerikë, aty ku komunitetet shqiptare janë të organizuar, janë ngritur dhe funksionojnë shkolla dhe kurse në gjuhën shqipe. Po kështu në Kanada janë hapur shkolla shqipe. Në Europë ka shembuj pozitivë të funksionimit të këtyre shkollave si në Zvicër, Gjermani, Suedi, Itali etj., ku funksionojnë shkolla të hapura nga vetë shqiptarët, sidomos nga ata të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarë. Synimi i këtyre vendeve dhe shkollave mbetet i qartë: fëmijët e mërgimtarëve të zotërojnë mirë shkrim–lexim në gjuhën amtare shqipe, ta kultivojnë atë dhe letërsinë shqipe, të njohin historinë dhe gjeografinë etnike të vendit të të parëve si dhe artin, kulturën dhe traditat kombëtare. Rëndësi të veçantë, në këto shkolla shqipe, u kushtohet veprimtarive të lira jashtë klase, si: puna me librin, funksionimi i bibliotekave, konkurse dhe biseda për librin etj. Kjo është gjë e mirë, sepse po bëhët edhe ndërgjegjësimi i vetë diasporës për rolin vendimtar që ka shqipja e folur dhe e shkruar për fëmijët, detyrimisht e ruajmë edhe identitetin tonë kombëtar. Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizimit dhe të rejave që po hyjnë në shkencë dhe teknikë, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë e bukur të mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave që do të vijnë. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e Naimit tek nipërit, mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht se ku lindin e ku jetojnë ata, janë të dukshme. Ata, pavarësisht nga mjedisi i huaj ku jetojnë e punojnë, nga rrethanat aspak favorizuese për të përdorur gjuhën shqipe, askush nuk i pengon të flasin vetëm shqip në familje, të komunikojnë me fëmijët e tyre vetëm përmes gjuhës sonë amtare. Fjala vjen, të mos na duket vetja modern kur në çdo fundjavë me familje kalojmë në njërin prej lokaleve angleze, italiane, gjermane, greke të mos fyhemi nëse flasim në mjedise të tilla familjare në gjuhën tonë të bukur. Kushdo që thotë se jemi shqiptarë, por fatkeqësisht nuk din shqip, ai/ajo s’është më shqipëtar, ndodh që kemi dy bashkëshortë shqiptarë fatkeqësisht fëmijëve të tyre nuk ua kanë mësuar gjuhën shqipe, apo kemi raste të tjera që njëri nga prindërit është martuar me të huaj, pësëri gjuhën e nënës duhet ta flasin fëmijët. Ky veprim i prindërve shqiptarë është krejtësisht e patolerueshme.Për shqiptarët mërgimtarë, megjithë përpjekjet e mundimshme për ruajtjen e gjuhës, shqipja po bëhet e largët dhe e huaj për fëmijët e tyre. Është normale që duke jetuar në një shoqëri ku flitet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe shqiptimit të shqipes vjen dhe zbehet, por fëmijët duhet të projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten pa harruar gjuhën e mëmëdheut, ashtu siç e ruajtën për qindra shekuj me radhë arbëreshët e Italisë. Prandaj komuniteti prindëror duhet të tregohet i kujdesshëm në ruajtjen e shqipes. Në demokracinë gjermane askush nuk gëzon respekt se i cilës kombësie je dhe çfarë kontributi ke dhënë, por në radhë të parë është aftësia në fushën e prodhimit dhe shkollimit, prandaj për ne shqiptarët modeli gjerman i shkollës dhe i edukimit është një model që duhet imituar në rrugë origjinale nga shqiptarët mërgimtarë. Nuk duhet të pretendohet të gjendet një zgjidhje–mrekulli, por të bëhet ajo që është e mundur, ajo që varet nga ne shqiptarët. Gjithnjë flitet se hapen shkolla në gjuhën shqipe. Kjo është gjë e mirë, sepse bëhët dhe ndërgjegjësimi i vetë diaspores, për rolin vendimtar që ka sot shqipja e folur dhe e shkruar për fëmijet shqiptarë.
Ka vite që në Shqipëri vazhdon hartimi dhe shpërndarja e një abetareje mbarëkombëtare. Efekti i saj në diasporë e gjetkë po ndihet më së miri, shihet se ka një interesim maksimal për këtë tekst të ri të gjuhës shqipe. U bënë vite që është krijuar këshilli ndërakademik Kosovë–Shqipëri, për një shqipe standarde. Të dy akademitë, duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i kombësisë shqiptare, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore ndërmjet hapsirave e vendeve shqipfolëse, synojnë që zotërimi dhe përvetësimi i shqipes standarde të jetë objekti themelor i brezave të sotëm.
Shpresojmë që Këshilli Ndërakademik do të merret si gjithnjë me vrojtimet dhe vlerësimet e politikave gjuhësore për ta bërë shqipen tonë një gjuhë mbarëkombëtare, sepse emigracioni ndërkombëtar shqiptar është shpërndarë në Greqi, Itali, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Belgjikë, Francë, SHBA, Kanada, Zvicër, Suedi, Austri etj. Janë më shumë se 1/3 e fëmijëve që jetojnë e mësojnë shqip në këto vende.
Me gjithë predispozitën e prindërve për të kontribuar në ngritjen e shkollave apo për të hapur klasa për mësimin e gjuhës amtare, ende ka probleme në këto vende. Është emergjente të kërkohet legalizimi në rrugë shtetërore për nisma të veçanta, që duhet ndërmerren dhe kërkohet të mendohet nga organet kombëtare të hapen dhe funksionojnë shkolla si në vendin tonë, ashtu edhe në vendet e tjera, ku kërkohen të ngrihen këto shkolla për mësimin e shqipes. Nëse ne shqiptarët bëjmë të pamundurën për ruajtjen e gjuhës shqipe, edhe shteti shqiptar të programojë diçka të frytshme pra, të organizojë dhe të drejtojë veprime drejt rrafshimit të dallimeve të krijuara si pasojë e ndarjeve politiko–administrative, që sjellin jo pak vështirësi në komunikimin kombëtar, atëherë gjuha jonë do të zërë vërtet vend të nderuar mes gjuhëve të tjera europiane. Vetëm kështu u vijmë në ndihmë në ruajtjen e gjuhës shqipe fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. “Shkolla” e familjes mërgimtare për mësimin e gjuhës shqipe, kërkon veç të tjerave të mbështetet më mirë nga politikat arsimore shtetërore me mësues e programe shkencore. Me të drejtë preokupohemi për analfabetizmin funskional në sistemin tonë arsimor, por ç’emër t’i vëmë atyre dhjetëra qindra fëmijëve shqiptarë, që ende vetëm e belbëzojnë gjuhën shqipe, pa lë të njohin historinë, kulturën, gjeografinë dhe traditat e këtij kombi. Kësaj drame duhet t’i jepet fund! Shumë përgjegjësi kanë intelektualët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në emigrim. Ata duhet të jenë më aktivë dhe më krijues në organizimin sa më efektiv të kurseve, shoqatave dhe shkollave për mësimin e gjuhës amtare. Mërgimtarë shqiptarë, flisni me fëmijët shqip në familje, se vetëm kështu mund të ruhet gjuha e mëmëdheut.
Indiferentët, dembelët dhe ata që nuk vazhdojnë rrugën që hapën Rilindësit tanë, historia do t’i dënojë dhe shoqëria njerëzore do të mbajë qëndrim kritik ndaj tyre. Nga Bostoni i Amerikës, Konica, para shumë vitesh, do të shprehej: “…Erdhi më në fund dhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, koha plot shpresë! Me të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore e kulturore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri, kur në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd…!”
Vite më parë, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës, që u organizua seminari i XII mbarëkombëtar me temë “Për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, ku morën pjesë mjaft gjuhtarë nga trojet shqiptare dhe diaspora, ku u shtrua problemi i përmirësimit të modeleve të mësimdhënies në shkollat shqipe në mërgatë si dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë. Qeveria shqiptare ka vullnetin për të plotësuar detyrimin ndaj fëmijëve të emigrantëve, që ata të mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare. Gjuha amtare përbën shenjën e parë të identitetit kombëtar, si e tillë ajo duhet mësuar dhe zhvilluar…”,
Vetëm kështu e mbajmë gjallë gjuhën shqipe tek fëmijët mërgimtarë, duke ngulmuar më shumë se deri tani për të sotmen dhe vetëm kështu shqiptarët do të jenë të denjë për të hyrë në familjen e madhe europiane, duke i shërbyer të ardhmes së brezave të rinj përmes fjalës së bukur shqipe. Mesazhi im do të ishte: “Shqipëtarë, kudo që të jeni, jeni krenarë që flisni shqip, vetëm nëse e ruajmë gjuhën shqipe kudo që jemi, mbetemi përherë shqipëtarë.