Në kuadër të aktiviteteve të Platformës Publike 1-vjeçare për orientimin properëndimor dhe miqësinë Kosovë–SHBA 2026, në Shkollën e Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti u mbajt ligjërata e pestë me radhë me temën “Pse Perëndimi shpëtoi Kosovën”, në nder të 250-vjetorit të Shtetësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë aktivitet mori pjesë Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, i cili së bashku me kryetarin e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, z. Agim Rexhepi, mbajtën ligjëratë para nxënësve, duke theksuar rëndësinë historike të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleatëve perëndimorë për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe drejtuesit e shkollës, ku drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu”, z. Ali Bislimi, u falënderua për bashkëpunimin dhe organizimin e këtij aktiviteti me rëndësi edukative dhe qytetare.
Gjatë ligjëratës u theksua se orientimi properëndimor i Kosovës mbetet rruga e sigurt për zhvillimin, sigurinë dhe të ardhmen e vendit, ndërsa miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një vlerë e përhershme që duhet ruajtur dhe forcuar nga çdo brez.
Ky aktivitet u zhvillua në një atmosferë bashkëbisedimi me nxënësit, me qëllim që të rinjtë të njohin më mirë historinë e afërt të Kosovës dhe rolin vendimtar të botës demokratike në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës./Gjilani INFO/






