LDK-ja dhe PDK-ja në Gjilan kanë arritur marrëveshje politike dhe siç është thënë në dokumentin e nënshkruar në lidhje me këtë çështje, marrëveshja është bazuar në vullnetin e elektoratit të subjekteve politike dhe qytetarëve të Gjilanit, të shprehur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe në gatishmërinë për raundin e dytë të 9 nëntorit, për t’i dhënë Gjilanit një qeverisje komunale të përgjegjshme dhe profesionale, thuhet në marrëveshjen e arritur.
Arbër Ismajli, kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit, që do të ballafaqohet në balotazh, me Alban Hysenin, kryetarin aktual të Gjilanit, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se sot nënshkruan një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme në Gjilan, që reflekton vullnetin e qytetarëve për unitet, profesionalizëm dhe mirëqenie.
Ai tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një qeverisjeje që bashkon, që punon me transparencë dhe që vendos interesin publik mbi gjithçka. “Qeverisja që duam është ajo që i shërben qytetarëve pa dallime, me vizion dhe përgjegjësi”.
“Falënderim të veçantë për z. Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan, dhe z. Riad Rashiti, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, për gatishmërinë, vizionin dhe frymën e bashkëpunimit që po e ndërtojmë bashkë për të mirën e qytetit tonë”, ka thënë ismajli.
Ai shtoi se Gjilani i ri meriton stabilitet, zhvillim dhe udhëheqje që bashkon. Dhe këtë do ta bëjnë bashkë me besim në Zot, me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve tanë./Gjilani INFO/




