Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, së bashku me Kryesuesen e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, dhe zëdhënësen e komunës, Lidiona Marovca, kanë pritur në takim deputetin shqiptar nga Lugina, Shaip Kamberi.
Gjatë takimit, deputeti Kamberi e uroi kryetarin Rahimaj për mandatin e ri, duke shprehur shpresën që ky mandat të jetë edhe më i suksesshëm se ai paraprak. Takimi u vlerësua si institucional, por njëkohësisht edhe vëllazëror.
Palët diskutuan për sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në funksion të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenies së qytetarëve atje.
Me këtë rast, kryetari Rahimaj vlerësoi angazhimin e deputetit Kamberi, duke theksuar se ai është i vetmi përfaqësues shqiptar në Parlamentin e Serbisë që përfaqëson me dinjitet interesat e komunitetit shqiptar dhe angazhohet për të drejta të barabarta dhe përfaqësim politik.
Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria që në takimet e ardhshme të diskutohet më konkretisht për iniciativa dhe projekte që synojnë progres të vazhdueshëm për shqiptarët e Luginës./Gjilani INFO/


