Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu, së bashku me ushtruesin e detyrës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, dr. Basri Kamberin dhe stafin menaxherial të kësaj drejtorie, realizuan një vizitë në të gjitha shërbimet që ofron QKMF-ja, në kuadër të funksionimit të saj.
“Gjatë kësaj vizite u njohëm nga afër me kushtet e punës, sfidat me të cilat përballet stafi, punën e palodhshme dhe rezultatet e arritura nga ky institucion i rëndësishëm shëndetësor”, tha Mimoza Kadriu.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, falënderoi të gjithë stafin mjekësor për gatishmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e madh që tregojnë çdo ditë, shpesh deri në vetmohim, në shërbim të qytetarëve.
“Diskutuam për plane të përbashkëta dhe për thellimin e bashkëpunimit në vazhdim, me synimin që të ofrojmë shërbime sa më cilësore për qytetarët tanë, si dhe të sigurojmë trajtim dinjitoz dhe mbështetje të vazhdueshme për punëtorët shëndetësorë në ushtrimin e detyrës së tyre fisnike”, tha drejtoresha Kadriu./Gjilani INFO/



