“Poezia epike serbe nuk ua njeh meritat shqiptarëve” – M. Yourcenar.
Nga: Luan Rama (pjesë nga libri Pont entre deux rives në frëngjisht)
… Kur tri vëllezërit panë nga larg atë figurë të vogël, ende të vagëlluar, ata vrapuan drejt saj: dy të parët të shqetësuar nëse dredhia e tyre kishte dalë me sukses apo jo, ndërsa i vogli, duke iu lutur Zotit. Më i madhi e ndaloi ofshamën dhe blasfeminë kur dalloi se nuk ishte zeshkania e tij; i dyti me zë të lartë falënderoi Zotin që ia ruajti vashën që i lante këmishët. I vogli ra në gjunjë, duke pushtuar këmbët e saj me krahët e tij e duke i kërkuar të falur me rënkim. Pastaj ai u zvarrit drejt këmbëve të vëllezërve duke u kërkuar mëshirë për të. Më së fundi ai u ngrit. Metali i thikës i shkëlqente nën dritën e diellit. Një e goditur vareje në zverk e plasi vashën në cep të rrugës. E llahtarisur asaj i ra shporta nga dora dhe rreth ushqimeve të shpërndara andej këndej u mblodhën qentë. Kur e kuptoi se ç’po ndodhte, ajo ngriti duart drejt qiellit: “Vëllezër që ju jam gjendur gjithnjë, vëllezër nga lidhja e martesës dhe bekimi i priftit. Mos më çoni drejt vdekjes. Çojini fjalë atit tim, prijësit malësor, që t’ua sjellë njëmijë shërbëtorë që mund t’i sakrifikoni këtu. Mos më vrisni. Unë e dua shumë jetën. Mos më ndani me gurë nga i dashuri im”.
Por, papritmas ajo heshti, pasi vuri re burrin e saj të shtrirë në cep të rrugës, pa lëvizur qepallat, flokët e zinj të të cilit ishin njollosur nga gjaku dhe trutë e shpërndara. Atëherë, pa asnjë klithmë e lot ajo e la veten ta çonin drejt kamares së hapur në murin rrethues të kështjellës. Tashmë i kurseu lotët meqënëse po shkonte drejt vdekjes. Por në momentin kur i vunë tullën e parë para këmbëve të mbathura me sandale të kuqe, iu kujtua foshnjëza e saj që kishte zakon t’i brente me dhëmbë këpucët e tij, si një kone që loz nga kënaqësia. Lotët e nxehta i rrëshqitën përgjatë faqeve dhe u përzien me çimenton që mistria shtronte përmbi gurët. ‘O ju këmbët e mija’, tha ajo, ‘ju s’do të më çoni më në majë të kodrës që të mund t’i shfaqesha të dashurit tim. Ju s’do ta njihni më freskinë e ujit që rrjedh. Vetëm engjëjt do tu lajnë mëngjesin e Krishtlindjes”.
Tullat dhe gurët arritën deri tek gjunjët e mbuluar nga një fund i qëndisur. Ashtu drejt, në atë sfond të kamares, ajo kishte pamjen e Shën Mërisë, në këmbë, prapa altarit. “Lamtumirë gjunjët e mi të shtrenjtë”, tha nusja, “ju s’do ta përkundni më foshnjën tim, ulur nën pemët e kopshtit hijeplotë … “
***
Legjendën e Rozafës apo legjendën e murimit, populli shqiptar e futi në këngët e veta epike, këngë që u ngjizën nëpër vite, në shekuj, kënduar nga rapsodët popullorë, në veriun dhe jugun shqiptar, ku herë theksohet përkushtimi i nënës për fëmijën e herë pabesia e vëllezërve, e herë motivi patriotik i mbrojtjes së vendit. Kjo legjendë si shumë udhëtarë të huaj që përshkuan Shqipërinë, e mahniti dhe Margarit Jursenarin (Marguerite Crayencour – Yourcenar) shkrimtaren dhe eseisten e njohur belgo-franceze, e cila e shkroi në mënyrën e vet këtë legjendë që i kalon kufijtë shqiptarë e që këndohet nga shumë popuj ballkanikë, gjer larg në territoret aziatike.
Pas dhjetëra vitesh, më së fundi u botua edhe në Shqipëri një nga veprat e Jursenarit, Novela orientale, ku gjendet dhe tregimi për kështjellën e Rozafës, Qumështi i vdekjes. Një vepër e zakonshme, jo madhore në krijimtarinë e saj të gjatë letrare. Zakonisht, përkthimet e autorëve në gjuhë të huaj nisin nga veprat e tyre më të mira, por shkaku i kësaj nisme për të prezantuar akademiken franceze në Shqipëri nuk ishte prezantimi i kulminacioneve të saj artistike, si Kujtimet e Adrianit, Aleksi, Opus Negrum etj., por, thjeshtë ai pikëtakim që kjo shkrimtare me origjinë belge pati me Ballkanin, në veçanti me Greqinë, sllavët dhe Shqipërinë.
Mathie Galey duke folur për vëllimin Novela orientale të botuar nga Gallimard, (dhe të përkthyer bukur në shqip nga Mira Meksi), shkruan se ato janë “legjenda të kapura flurthi, fabula ose apologje, që përbëjnë një ngrehinë më vete në veprën e Jursenarit, një ngrehinë të çmuar, si një kishëz brenda një pallati të pafund”.
Më 1932-1939, jeta e Jursenarit si të thuash u lidh ngushtë me Greqinë, si jeta artistike ashtu dhe ajo intime. Ajo punoi gjatë me studiuesin grek Kostandin Dimaras, mik i poetit të shquar Kavafi. Ballkani zbuloi tek ajo imazhe të papara, veçanërisht mitologjinë e saj të pasur, çka e frymëzoi atë në një sërë veprash të mëvonshme, vepra romaneske, ese apo përkthime. Pikërisht në atë kohë ajo u njoh me Andre Embirikosin, një intelektual grek që jetonte në Paris, komunist, erudit, poet surrealist dhe me njohje të gjëra në rrethet intelektuale e artistike parisiane, bir i një armëtari grek që zotëronte anije lundrimi në itineraret e Adriatikut dhe Egjeut (i martuar me një arvanitase, siç dëshmon dhe biri i tij sot në Athinë). Sipas disa biografëve, Jursenar dhe Embirikos kishin marrëdhënie intime, ç’ka i çoi në shumë udhëtime të përbashkëta, veçanërisht në Ballkan, nëpër detin Adriatik, në Jon e Moré. Novela orientale i dedikohet pikërisht Embirikosit.
Jursenari ka qëndruar në Eube dhe aty ka takuar shqiptarë, për të cilët nuk ka lënë ndonjë shënim. Por, gjatë këtyre udhëtimeve, duke përshkruar Kotorrin, Raguzën, Shkodrën, ajo dëgjoi për legjendat mesjetare ballkanike që vazhdonin të jetonin mes këtyre popujve. Ajo u mahnit nga baladat e gjata epike nga eposi shqiptar apo ai i ngjashëm sllav që, siç shkruan ajo në tregimin Buzëqeshja e Markos, “poezia epike serbe nuk ua njeh meritat shqiptarëve”. Por, legjenda e murimit ka tjetër ritëm nën penën e saj.
***
Muri ngrihej edhe më lart, ndërsa e reja vazhdonte:
“Lamtumirë, o duart e mija të vogla e të shtrenjta që vareni përgjatë trupit tim. Ju s’do të gatuani më e s’do ta tirrni më leshin e dhenve, s’do të pështilleni më rreth të dashurit tim. Lamtumirë, o beli im, dhe ti o barku im që s’do ta njohësh më shtatzëninë e as dashurinë. O ju foshnjë që do t’u lindja një ditë, o vëllezër më të vegjël që mund t’i lija birit tim të vetëm; ju do të më bëni shoqëri në këtë burg që do të jetë dhe varri im, ku unë do të qëndroj në këmbë, syzgjuar, deri ditën e “Gjykimit të Fundit”.
Muri i gurtë arriti tashmë gjoksin. Një drithërimë e përshkoi të renë që nga maja e kokës, ku sytë e saj lutës kishin të njëjtin imazh më duart e saj të shtrira përpara. “Kunetër”, u tha ajo, jo për mua, por për vëllain tuaj të vdekur, mendoni për fëmijën tim dhe mos e lini të vdesë urie. Mos ma murosni gjoksin, gjinjtë nën këmishën time të qëndisur m’i lini jashtë e çdo ditë m’a sillni fëmijën, në mëngjes, në mesditë dhe kur të bjerë dielli. Gjersa të kem dhe fillin e fundit të jetës, jeta do të zbresë nga gjinjtë e mi për të ushqyer fëmijën, ndërsa ditën që s’do të kem më qumësht ai do të rrufisë shpirtin tim. Pranojeni këtë o vëllezër të këqij, e nëse ju m’a bëni këtë, ditën që do të pikëtakohemi tek Zoti, unë dhe im shoq i shtrenjtë nuk do t’u qortojmë.”
Vëllezërit të trëmbur pranuan t’ia përmbushin këtë dëshirë të fundit dhe rregulluan një vend bosh prej dy tullash në lartësinë e gjinjve. Në çast nusja pëshpëriti: “Vëllezër të dashur, vërini tullat para gojës sime, sepse puthjet e të vdekurve i tmerrojnë të gjallët. Por, më lini një të çarë para syve të mi që të mund të shoh në se biri im do të pijë qumësht apo jo”.
Ata bënë siç u tha ajo dhe një e çarë horizontale u la në lartësinë e syve. Kur dielli perëndoi, në kohën që e ëma kish zakon t’i jepte gji, fëmijën e sollën përgjatë rrugës së pluhurosur plot me kaçube ku kullosnin dhitë. Ajo e përshëndeti ardhjen e foshnjës me klithma gëzimi, duke i bekuar të dy vëllezërit. Qumështi vërshoi nga gjinjtë e saj të fortë e të nxehtë dhe kur fëmija fjeti i pështetur në gjoksin e saj, ajo këndoi me një zë që përshkonte lehtësisht trashësinë e tullave. Kur foshnja u shkëput nga gjinjtë e saj, ajo u tha ta çonin të flinte tek kasollja. Gjithë natën, kënga monotone që dëgjohej nën qiellin me yje, nanurisja përkundëse në largësi, bënin që foshnja të mos qante. Të nesërmen, ajo nuk këndoi më, por me një zë të mekur pyeti sesi e kishte kaluar natën Vania i saj
***
Megjithëse nuk kemi ndonjë të dhënë që ajo të ketë qenë në Shkodër, duke shkruar për tregimin Qumështi i vdekjes, “se ajo është një histori e vjetër për të cilën flitet në Shkodër”, mund të besohet që ajo e ka vizituar këtë qytet, i cili në atë kohë kishte interes për udhëtarët e huaj. Ajo ç’ka e ka mahnitur Jursenarin në këtë legjendë është përkushtimi i nënës për fëmijën, që merr përmasa të jashtëzakonshme. Athua ishte gjithashtu një përkushtim, që Jursenari, e ndarë që e vogël nga familja e saj, e shkëputur që në lindje nga nëna që kurrë nuk e njohu, kish nevojë ta shkruante këtë legjendë? “Ajo që do të doja për nënë”, shkruan ajo përmes personazhit të këtij tregimi, “do të ishte një pasardhëse e vogël e legjendës shqiptare”.
Jursenari e përjetoi gjatë këtë mungesë, që vërehet edhe në radhët e kujtimeve të saj. Në librin Ana Soror, nëna e dy të rinjve humbet shpejt nga ethet … Kur shkruan tregimin Qumështi i vdekjes, ajo është 34 vjeç dhe e shkruan në frymëzim e sipër, nëpër Ballkan, ashtu siç shkroi librin Safo diku në bordin e një anije të ankoruar në Bosfor.
Nëna e saj kishte vdekur dhjetë ditë pasi kishte lindur ajo, dhe njerka e mëvonshme donte ta kishte atë larg saj. Fotografitë e nënës së vdekur ajo i pa për herë të parë në moshën 35-vjeçare. Ajo kurrë nuk u martua dhe asnjëherë nuk pati fëmijë, e megjithatë, nëpër rreshtat e këtij tregimi mund të kuptosh shumë më thellë botën e saj. Dihet që në atë kohë ajo iu përkushtua dhe miteve antike e më pas do të shkruajë për Elektrën (Elektra apo rënia e maskave), Klitemnestren, Orestin, Edipin, apo minotaurin (Kush nuk e ka minotaurin e tij?).
Por, gruaja e legjendës shqiptare nëpër shekuj e kishte krijuar mitin e vet.
***
… Një ditë më pas ajo heshti, por merrte ende fryme, pasi nga frymëmarrja, gjinjtë, në mënyrë gati të padukshme uleshin dhe ngriheshin brenda atij kafazi. Disa ditë më vonë edhe zëri edhe fryma ju shuan, por gjinjtë e saj të palëvizur nuk kishin humbur asgjë nga ai burim i ëmbël dhe i bollshëm që rridhte, dhe fëmija që flinte midis gjinjve, ende priste zemrën e saj. Më pas, kjo zëmër që kish rrahur aq kohë, pushoi. Sytë e saj plot shkëlqim u shuan si refleksi i yjeve në një cisterne pa ujë dhe përmes së çarës nuk dalloheshin veçse dy bebëza të xhamtë që nuk e shihnin me qiellin. Kokërdhokët e njomë u kishin lënë vendin dy gropëzave, në fund të të cilave dukej vdekja, por megjithatë gjoksi i saj mbeti i pareshtur dhe gjatë dy viteve, në agim, në mesditë dhe në perëndim të diellit, ku çurgu mrekullues rridhte gjersa fëmija e preu gjirin.
Vetëm atëherë lëfyti nga rridhte u thërrmua dhe në cep të murit me tulla mbeti veçse një e dalë prej hiri të bardhë. Për shekuj me radhë, gratë nëna vinin të mallëngjyera dhe ndiqnin me gisht përgjatë tullave të kuqe atë vazhde te qumështit mrekullues. Pastaj edhe kulla përreth u zhbë dhe pesha e kubesë nuk peshoi më mbi skeletin e brishtë të asaj gruaje. Së fundi dhe kockat e brishta përhumbën dhe nuk mbeti gjë tjetër veç këtij plaku francez tashmë të ngujuar në këtë vapë ferri, që i dërdëllet të parit udhëtar që kalon këtë histori të denjë për të frymëzuar poetët, të cilët do të na shkaktonin po aq lotë sa dhe ato për Andromakën.
***
Njohja me Ballkanin i dha një ton krejt tjetër letërsisë së mëvonshme të Jursenarit, duke e bërë atë më të thellë, më mistike, sensuale dhe mitike. Nga 1929 gjer më 1939 ajo botoi veçse pesë libra. Më pas, gjatë Luftës së Dytë Votërore ajo u tërhoq në heshtje dhe vetëm më 1951 botoi Kujtimet e Adrianit, një nga veprat më të mira të saj. Jeta e saj ishte një udhëtim i pareshtur, si jeta e Heminguejt apo e shkrimtarëve të tjerë: Monte Carlo, Gjenevë, Itali, Vjenë, Skandinavi, Spanjë, Portugali e më pas në Evropën Qendrore e gjer në jugun e Amerikës, për të vazhduar shkrimet, por dhe përkthimet e shumta të saj si veprat e Virginia Woolf, Henry James, Mishima apo poezi të “negros” të Amerikës etj. Më së fundi, me të dashurën e saj, përkthyesen amerikane Grace Frick të cilën e kishte njohur rastësisht në Paris, ajo u vendos atje në ishullin Monts-Deserts të shtetit Maine, në fshatin Northeast Harbor, ku ishte streha e saj letrare e periudhës së fundit ku u shkrua gjithashtu përfundimisht dhe romani Vepra në të Zezë, e cila është ekranizuar më pas në një film. Padyshim, Jursenar ishte një qytetare e botës, edhe pse deviza e saj për origjinën ishte “Vendi i vërtetë i lindjes së njeriut është ai vend ku për herë të parë ai ka hedhur vështrimin e tij në mënyrë inteligjente: atdhetë e mi të parë janë librat”.
Jursenari vdiq më 1987, në moshën 84-vjeçare, jo shumë vjet pasi ishte zgjedhur anëtare e Akademisë Franceze, e para grua që hyri në këtë akademi shekullore. Botimi i Novela orientale në gjuhën shqipe ishte veçse fillimi i këtij pikëtakimi me letërsinë e Jursenarit që përfshin epoka historike që përfshijnë ngjarje që nga shekulli i II i erës sonë, shekulli XVI e më pas në shekullin e XX. Më pas, botime të tjera do të vinin në shqip shkruar nga pena e saj, duke filluar nga Kujtimet e Adrianit …