Arjanita Havolli
Fjala “aparteid” shpeshherë ndërlidhet vetëm me segregacionin e Afrikës së Jugut, por nën pushtimin izraelit, popullata civile palestineze e përjeton për çdo ditë këtë realitet të diskriminimit sistematik dhe të shtypjes brutale.
Peizazhi i jetës së tyre, i shënuar nga barrierat fizike, nga papunësia dhe migrimet e detyruara, ka ngjashmëri edhe me jetën e shqiptarëve nën sundimin serb, në veçanti në vitet 1990. Palestinezët sot kërkojnë jetë me dinjitet, arsim dhe të drejta themelore të njeriut të cilat u mungonin kosovarëve dikur.
Në Palestinë, arsimi është fushëbetejë. Shkollat janë shpeshherë në shënjestër e bombardimeve, ndërsa nxënësit – në rastin më të mirë nëse nuk rrezikohen nga vdekja dhe mund të vijojnë mësimet – duhet të kalojnë nëpër pikat e kontrollit ushtarak. Besimi i dikurshëm se palestinezët janë populli më i shkolluar – fal politikave të Yasser Arafatit, liderit të dikurshëm PLO-s për të shkolluar palestinezët në Evropë, kryesisht në vendet e bllokut të dikurshëm komunist – sot është veçse një mit.
Shkalla e lartë e papunësisë e mundon Palestinën e pushtuar, ashtu si Kosovën e viteve 1990. Në Palestinë, ekonomia është e gjymtuar nga okupimi. Rrethimi i Gazës, për shembull, ka çuar në një normë papunësie në afro 80 përqind. Ekonomia e Kosovës gjatë viteve 1990 ishte në mënyrë të ngjashme e paralizuar. Me dëbimin e shqiptarëve nga punët në sektorët publikë dhe plaçkitjet e përditshme të shumë bizneseve private, papunësia ishte në të njëjtat nivele. Të rinjtë kosovarë u përballën me të ardhme të zymtë, me pak mundësi për punë apo për arsimim të duhur, duke i shtyrë qindra-mijëra nga ta që të largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim.
Në vitin 1999, fushatat serbe të spastrimit etnik çuan deri një milionë vetë në kampet e refugjatëve në vendet fqinje. Atyre që mbetën në Kosovë, jeta u varej në fije të perit. Të njëjtin fat të kampeve dhe vrasjeve sistematike po përjetojnë sot palestinezët.
Intifada palestineze, ose kryengritja, përfaqëson rezistencën kolektive kundër okupimit. Intifada e parë (1987-1993) filloi me mosbindje të gjerë civile, me bojkote dhe me protesta. Ishte simbol i qëndrueshmërisë palestineze. Pavarësisht dhunës me të cilën u përballën, palestinezët vazhduan të rezistonin. Arma kryesore e tyre ishte guri. Rezistenca e Kosovës ishte edhe më paqësore, me qëllimin e vetëm për të vetëdijesuar opinionin ndërkombëtar për të drejtat që u mungonin. Por, në të dy rastet kundërpërgjigja ishte brutale. Prandaj, rezistenca dita-ditës bëhej më e madhe dhe me mjete tjera, duke çuar në luftë të hapur.
Paralelet mes Palestinës dhe Kosovës janë të mëdha. Por, edhe dallimet, sepse kosovarët nuk kishin cak popullatën e pambrojtur civile, përfshirë këtu sulmet e drejtpërdrejta apo vetëvrasëse; nuk i varnin shpresat nga vendet e shquara nga diktatura dhe po ashtu nuk ishin të indoktrinuar në aspektin fetar. Megjithatë, jeta e tmerrshme e palestinezëve, e brezave të tërë nën okupim, kërkon vetëdijesim se lufta për liri është universale; se shpirti njerëzor, kur përballet me padrejtësinë, gjithmonë do të ngrihet për të rezistuar; se bota ka përgjegjësinë të qëndrojë me ata që janë të shtypur, të flasë kundër pushtimit dhe të mbështesë të drejtën e të gjithë njerëzve për të jetuar të lirë, në dinjitet dhe në paqe.


