Sadete Tërnava Osmani
Hakmarrja është një emocion i fuqishëm që shumë individë kanë vështirësi ta kontrollojnë. Ajo është një shtysë e brendshme personale, (ndonjehere familjare, grupore e edhe kulturore) për të kërkuar ndëshkim, shpesh si përgjigje ndaj një padrejtësie ose perceptim se është dëmtuar ose rrezikuar për diçka.
Edhe pse kjo ndjenjë mund të duket e arsyetueshme për një moment të caktuar, hakmarrja është zakon i keq që ka pasoja të dëmshme, sidomos kur bëhet në mjediset profesionale dhe politike. Në këtë rrafsh, hakmarrja përveçse është qyqarllek i personit qe e bën atë, ajo i rrënon vlerat themelore të qeverisjes së mirë dhe tregon haptas se pushtetari i cili hakmerret nuk ka fare inteligjencë emocionale por ka mungesë të thellë intelektuale e mos të flasim për mungesë aftësish themelore për të udhëhequr, cilësi këto thelbësore si për ambientet profesionale ashtu edhe për ato politike.
Një nga problemet kryesore me hakmarrjen është se ajo dëmton profesionalizmin e atyre që përfshihen. Në vendin e punës ose në politikë, veprimet e motivuara nga hakmarrja shpesh ju përngjajnë “pulave pa krye” duke krijuar një mjedis toksik ku mospëlqimet personale dalin përpara dialogut dhe meritokracise ngase mosdija dhe mendjengushtësia përqendrohen më shumë në ndëshkimin e “kundërshtarëve” sesa në përmirësimin e organizatës. Kjo e vazhdon ciklin kontekstual të thashethemeve, grupimeve, dëmtim të produktivitetit dhe në fund mosbesimin, sepse liderët që janë të kapur nga hakmarrja shpenzojnë energjinë e tyre për t’i dëmtuar të tjerët – veti kjo e primitivëve.
Në politikë, pasojat e hakmarrjes mund të jenë edhe më të dëmshme. Politikanët që janë të motivuar nga hakmarrja personale, në vend të interesit publik, shpesh marrin vendime për plotësim të dëshirave të tyre personale e grupore më shumë sesa të nevojave të popullit. Politikat e frymëzuara nga hakmarrja çojnë në “pus pa fund” sepse individët janë më shumë të përqendruar tek ndëshkimi sesa te zgjidhja, e kjo eskalon në paaftësi, korrupsion dhe ndryshkje të besimit publik.
Hakmarrja nuk është karakteristikë e dikujt që është mendimtar/e dhe e sheh jetën e punën me largpamësi dhe në të gjitha anët. Nuk është veti e atij/asaj qe di t’i menaxhojë emocionet, dhe që mendon strategjikisht e me zgjidhje afatgjata përpara kënaqësive afatshkurtra.
S’di cili dijetar ka thënë: “Ai që lufton me monstruozët duhet të ketë kujdes që të mos bëhet vetë monstruoz”. Ky pohim tregon se hakmarrja, për pasojë, bëhet një zakon shkatërrues që jo vetëm dëmton të tjerët, por gjithashtu shkatërron personin që e kërkon atë, sidomos nëse je lider, sepse të bën qesharak, konfliktuoz, mburracak me refrenin e vetem te jetës unë, unë!
Dalja nga primitivja, mosdija, inati, mëria dhe nga hakmarrja është proces që po na zgjat por sidoqoftë nuk duhet te dorëzohemi sepse e sjell demokracinë, e demokracia lulëzon kur ka vend për trajtim të dinjitetshëm, kur bëhet shkëmbimi i ideve për të mirën e secilit dhe për të përbashkëtën.
Demokracia e vërtetë kërkon të shikohemi në sy dhe për gabimet tona të kërkojmë falje e jo hakmarrje./GJILANI INFO/


