“Nuk jam njeri, jam dinamit”. Ishte viti 1888 dhe Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche) vetëquhej kështu në librin e tij “Ecce homo”. Dhe, nuk gabohej: mendimi i tij ishte praktikisht shpërthyes. Një vit pas botimit të veprës së tij lindi Hitleri, i cili ishte adhurues i madh i filozofit dhe që duke manipuluar disa prej ideve të tij, ndërtoi ideologjinë e Rajhut të Tretë. Por, jo vetëm kaq: edhe shkrimtarë dhe muzikantë pa kurrfarë simpatie për nazizmin u magjepsën prej librave të filozofit gjerman. Një provë është fakti që shumë konsiderata të tijat janë aktuale edhe sot. Ndoshta edhe më shumë se sa në fundin e viteve 1800, kur Niçe u paraqit si një “outsider” (i jashtëm) autentik, vizionar dhe profetik.
E sigurt është që ai shkroi pjesën më të madhe të librave të tij mes viteve ‘70 dhe ‘80 të tetëqindës. Pas kësaj, në moshën 45-vjeçare, mbeti viktimë e një krize të dhunshme psikologjike, që e çoi në çmenduri. Në ato ditë ndodhej në Torino, pasi kishte kaluar periudha të gjata në Itali. I vetëm, pa familje dhe mbi të gjitha pa marrë mirënjohjen publike të dëshiruar, shkroi të ashtuquajturat “Letra të marrëzisë”. Më të famshmen ia dërgoi në janar 1889 një historiani të famshëm të kohës, ish-koleg i tij në Universitetin e Bazelit në Zvicër, Jacob Burckhardtit: “I dashur profesor, në fund do të doja më shumë të isha profesor në Bazel se sa Perëndia; por nuk kam guxuar ta shtyj kaq larg egoizmin tim privat, sa të harroj, për shkak të tij, krijimin e botës”.
Legjenda thotë se në po të njëjtat ditë, pasi kish parë një karrocier të zemëruar që kishte marrë me shkelma kalin e tij, iu turr karrocierit dhe më pas nisi të përqafojë dhe puthë kalin: “Ti, masakrues çnjerëzor i këtij kali!” Ishin ditët e para të vitit dhe jo shumë kohë më vonë, miku i tij Friedrich Overbeck e mori në Zvicër për ta kuruar: thuhet se filozofi u largua nga Torino, duke kënduar me zë të lartë në stacionin e trenit këngë napoletane, i bindur se ishte mbreti i Italisë.
Çrregullimet e tij psikologjikë ishin ndoshta të rënduar prej peshës së dështimit: pasi kishte arritur moshën e mesme, bilanci i rezultateve të arritur ishte negativ. Veprat e tij, të botuara shpesh herë me shpenzimet e veta, u bënë objekt kulti shumë vonë, pas vdekjes së tij.
Niçe propozonte në fakt që të ktheheshin sërish sytë tek filozofët grekë që kishin jetuar para Sokratit. Pra, ata që ndiqnin ritet e Dionisit dhe pranonin anën instiktive, sensuale, kaotike dhe irracionale të njeriut. Kështu, thoshte Niçe, është në të vërtetë jeta. Një botë tragjike dhe pasionale, e përshkuar nga të njëjtat tragjedi greke që kishte lexuar dhe që kishin frymëzuar, në të njëjtën periudhë, kompozitorin Richard Wagner, “revolucionar” i melodramës dhe për disa vite miku i tij.
Gjysma e dytë e Tetëqindës ishte një epokë zhvillimesh, që në Gjermani u përjetuan si tronditje të mëdha. Tradita aristokratike dhe monarkike – rikthyer pas luftërave napoleonike të 1815 – ishte në krizë të thellë: vlerat elitare me të cilat ishte edukuar edhe vetë Niçe (quhej Fridrih për nder të Frederik Vilhelmit të Prusisë) ishin duke perënduar. Si mund të dilej nga kjo rrugë pa krye? Duke besuar tek njerëz të rinj, ose më mirë, mbinjerëz. Niçe nuk mund ta kishte imagjinuar që tridhjetë vjet më vonë, këto ide do të bëheshin “bibla” e Rajhut.
Pyetja është komplekse. Për një kohë të gjatë u tha që motra e Niçes, Elisabeta, simpatizuese e Hitlerit dhe ruajtëse e dorëshkrimeve të filozofit, kishte falsifikuar mendimet e vëllait. Në vitet e fundit Niçe u mbyll në fakt në një heshtje pothuajse absolute, për shkak të rëndimit të gjendjes mendore, duke iu besuar totalisht fillimisht nënës dhe më pas motrës, deri kur vdiq në 1900. “Por, në të vërtetë nuk ishte kështu”, saktëson Ferraris. “Elisabeta manipuloi ndonjëherë korrespndencën për t’u shfaqur si interlokutore e besuar e Niçes, por pa e modifikuar mendimin e tij. Në fund të fundit, pohimet më të tmerrshëm për pabarazinë mes njerëzve dhe për domosdoshmërinë e dhunës, Niçe i shkruajti në vepra të cilat i botoi ai vetë, kur ishte ende i kthjellët. Por, duhet theksuar se kjo kish ndodhur disa dekada para nazizmit, që nuk kish fare nevojë për Niçen për të vënë në praktikë doktrinat e tij të urryera”.
Nëse ndikimi i tij mbi nazizmin mbetet i diskutueshëm, ai mbi shkrimtarët, regjisorët teatralë dhe muzikantët që erdhën pas tij është një gjë e sigurtë, sidomos mes gjermanëve: që nga shkrimtari Thomas Mann tek kompozitori Richard Strauss, i cili nga libri “Kështu foli Zarathustra” nxori një poemë simfonike e cila më pas do të bëhej kolona e famshme zanore e filmit të Stanley Kubrickut, “2001: Odisja hapësinore”.
Pra, duket se një fije e kuqe lidh Niçen me ditët tona. “Ishte një lexues i papërsëritshëm gazetash dhe nëse do të jetonte sot do të rrinte gjithë ditën në internet, pavarësisht problemeve me shikimin”, përfundon Ferraris. “Niçe e njihte shumë mirë botën e komunikimit. Miti i tij i supernjeriut nuk mbijetoi më kot për më shumë se një shekull për të mbërritur deri tek ne: mjafton të mendosh për personazhe të famshëm që fotografohen dhe shfaqen në kopertinat e të përjavshmeve. Në fund të fundit janë të gjitha mishërime të asaj ideje, të cilës megjithatë i zbulojnë anën komike dhe melankolike. Siç thoshte artisti amerikan Andy Warhol në vitet gjashtëdhjetë: një ditë do të jemi të gjithë të famshëm për 15 minuta”. Dhe, miti i supernjeriut, i përshtatur edhe nga spektakli e komunikimi masiv, ka shkuar dhe më tej, duke i dhënë jetë “mbigruas”. E para ishte ndoshta Marilyn Monroe, e cila u bë e pavdekshme pikërisht prej një pikture të Warholit. /Burimi: Focus/Në shqip nga: Bota.al/