Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke ua caktuar nga një muaj paraburgim katër të miturve, të dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, rasti ka ndodhur më 11 nëntor 2026, rreth orës 10:25, në rrugën “Mësuesit e viteve të 90-ta” në Gjilan.
Të miturit dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, kanë sulmuar dy persona. Gjatë incidentit, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka përdorur thikë, me të cilën ka goditur njërin nga të dëmtuarit një herë në kraharor, ndërsa tjetrin dy herë në shpinë, afër boshtit kurrizor.
Si pasojë e plagëve të marra, të dëmtuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, njëri prej tyre është transferuar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë.
Gjykata ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për të Mitur ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke konsideruar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Të miturit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë./Gjilani INFO/


