Nënkryetarja e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija, së bashku me shefin e kabinetit të kryetarit, Vaxhid Rexhepaj, kanë zhvilluar një takim me anëtarët e Komisionit Komunal për Inicimin dhe Ndihmën ndaj Pronarëve të Ndërtesave në Bashkëpronësi për Krijimin e Shoqatave të Pronarëve.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për rolin, përgjegjësitë dhe aktivitetet e komisionit, me fokus të veçantë në mbështetjen e pronarëve të ndërtesave në bashkëpronësi për inicimin dhe themelimin e shoqatave të pronarëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Nënkryetarja Bajralija theksoi rëndësinë e themelimit të këtyre shoqatave për identifikimin e problemeve me të cilat përballen pronarët e ndërtesave në bashkëpronësi, si dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e përbashkët të objekteve.
Nga ana tjetër, shefi i kabinetit të kryetarit, Vaxhid Rexhepaj, nënvizoi mbështetjen e Komunës së Kamenicës ndaj këtij procesi, duke theksuar se institucionet komunale do të jenë të përkushtuara për ta zhvilluar atë në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese që të gjitha palët e përfshira të dalin të kënaqura.
Kurse kryesuesi i Komisionit, Durim Biqkaj, u shpreh se komisioni në bashkëpunim me anëtarët e tij është i përkushtuar që përmes takimeve, dëgjimeve publike dhe asistencës direkte, t’u ofrojë pronarëve udhëzime praktike dhe mbështetje ligjore për krijimin e shoqatave të pronarëve, me qëllim të parandalimit dhe evitimit të problemeve të mundshme në të ardhmen./Gjilani INFO/




