Autor: Femi Ajvazi
Ata në Beograd, janë duke e përdorur një strategji perfide, ndryshe nga metodat direkte të dhunshme por me stil efikas: fshirjen – zhbërjen fizike dhe civile të banorëve shqiptarë. Ka disa vite që regjimi serb i Vuqiqit, zbaton një formë kushtëzuese ndaj shqiptarëve etnik në tri komunat e asaj që sot quhet: Lugina e Preshevës. Kushtëzimi, bëhet me detyrim lidhur me prezencë fizike të shqiptarêve: nëse ata nuk gjenden andej pari, u merret e drejta e të qenit pronarë të shtëpive të tyre. Kjo, do të thotë se nëse shkon dikush nga pushteti dhe gjen derën e shtëpisë mbyllur, pronarit – familjarëve u fshihen adresat nga gjendja civile, dhe u merren të drejtat e ndryshme civilo- juridike.
Ata në Beograd, sillen me shqiptarët në një formë si Abweri apo Gestapoja në shekullin e kaluar me hebrenjt. Nëse jo me jetën si dikur, Beogradi i kthen sot shqiptarët në të huaj në vendin e tyre, në pronën e tyre, në shtëpinë e tyre duke ua rrëmbyer dëshmitë natyrore dhe civilo – juridike: një formë kjo e terrorit fashist!
Nuk është e thjeshtë, ka vite që zbatohet kjo metodë perfide dhe mjaft efikase. Regjimi fashist i Vuqiqit, makiavelizon të drejtat e banorëve rezident shqiptarë duke ua marrë hap mbas hapi atyre të drejtën për të qenë subjekt fizik, banorë, shtetas në vendin e tyre. Pra, këto veprime masive, janë forma konkrete diskriminuese dhe metoda të spastrimit etnik.
Regjimi serb i Vuqiqit, ka për synim kthimin e shqiptarëve në pakicë minimale në Luginën e Preshevës. Në kontekst, përdoren edhe forma të tjera të luftês speciale: diskriminimet kulturo- arsimore, mungesa e investimeve, presionet psikologjike të trajtimit të qytetarëve shqiptarê si të rendit të dytë etj. Po ashtu, ka edhe metoda të tjera speciale agjenturore që po përdoren: joshja, presioni dhe investimet psiko- propagandistike e mashtruese pêr ti myslimanizuar shqiptarët në Luginë sa më shumë të jetë e mundur përmes linjave kulturo – fetare nga Sanxhaku.
Aktivist të ndryshëm, intelektual, shoqata, parti, figura aktive publike si për shembull aktivisti, politikani dhe biznesmeni Muharrem Salihu, deputeti në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, studiuesi Xhemaludin Rexhepi, gazetari Alban Selimi etj,. kanë ngritur zërin vazhdimisht kundêr diskriminimeve dhe tendencave pêr pakêsimin fizik të shqiptarëve në Luginë por, gjendja nuk është përmirësuar dhe presioni e terrori serb në Luginë, ka vazhduar.
Këto ditë një delegacion i shqiptarëve nga Lugina, e ka ngritur çeshtjen në Kongresin Amerikan në Washington Kongresi, ka miratuar zyrtarisht një Draft Ligj me nr. 6411 për Luginën e Preshevës. Ky, është një hap serioz që shtynê në rrjedha tjera problemin ndërkaq, edhe e sensibilizon atë në përmasa ndërkombëtare.
Në kontekst, kundërshtimet dhe aktivizimi lidhur me sjelljet dhe trajtimet e Serbisë të shqiptarëve etnik në Luginë me mënyra dhe metoda si të Gestapos, do të duhej të sensibilizoheshin patjetër edhe në Prishtinë, Tiranë e Shkup./Gjilani INFO/


