Pesë shkolla të Komunës së Gjilanit janë bërë pjesë e programit të trajnimit “Modeli Kolegial i Sigurimit të Cilësisë”, i cili po realizohet nga Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me KosEd.
Programi ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet mësimdhënësve, forcimin e proceseve të vetëvlerësimit dhe krijimin e mekanizmave për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në institucionet shkollore.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, përmes këtij trajnimi pjesëmarrësit do të fitojnë njohuri teorike dhe aftësi praktike për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e Modelit Kolegial të Sigurimit të Cilësisë.
Pas përfundimit të trajnimit, shkollat pjesëmarrëse do të kalojnë në fazën praktike, ku do të zbatojnë modelin përmes vetëvlerësimit, dokumentimit dhe analizimit të rezultateve, me synim identifikimin e fushave që kërkojnë përmirësim.
Drejtoria Komunale e Arsimit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë shkollat në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe në avancimin e cilësisë së procesit edukativo-arsimor./Gjilani INFO/


