Për të katërtën herë me radhë, Komuna e Gjilanit po vazhdon mbështetjen për bizneset lokale përmes granteve të reja, në kuadër të bashkëpunimit me Help – Hilfe zur Selbsthilfe.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, së bashku me Drejtoreshën Nacionale të Help-it në Kosovë, znj. Shqipe Breznica, kanë nënshkruar marrëveshjen e re të bashkëpunimit për projektin “Punë dhe Aftësi për Parandalimin e Migrimit në Kosovë”, i cili financohet nga Zyra Federale Gjermane për Migracion dhe Refugjatë (BAMF).
Në kuadër të këtij projekti, më shumë se 30 biznese të reja dhe ekzistuese në Gjilan do të përfitojnë grante në formë të pajisjeve dhe materialeve të punës, me vlerë mesatare prej 2,500 euro për përfitues.
Vlera totale e projektit është 87,500 euro, ndërsa Komuna e Gjilanit bashkëfinancon 49% të mjeteve.
Përveç mbështetjes materiale, përfituesit do të kenë mundësi të ndjekin trajnime profesionale, mentorim dhe këshillim, me qëllim të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së bizneseve të tyre.
Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të mbështesë ndërmarrësit lokalë, zhvillimin e ekonomisë lokale dhe krijimin e mundësive të reja për punësim, veçanërisht për të rinjtë./Gjilani INFO/




