Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti dhe drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, Valleve dhe Riteve “N’Karadak Krisin Tupanat”, Arsim Abazi, kanë pritur sot në një pritje solemne delegacionet dhe ansamblet pjesëmarrëse në edicionin e pestë të këtij festivali.
Duke iu uruar mirëseardhje mysafirëve, kryetari Haliti theksoi se është nder dhe kënaqësi e veçantë që Vitia mirëpret përfaqësues të kulturave dhe traditave nga vende të ndryshme të botës, duke vlerësuar se prania e tyre e pasuron jetën kulturore të komunës dhe i jep festivalit karakterin e tij të mirëfilltë ndërkombëtar.
Në këtë edicion të festivalit po marrin pjesë delegacione dhe ansamble nga Luksemburgu, Peruja, Panamaja, Polonia, Portugalia, Meksika, Qiproja Veriore, Turqia, Egjipti, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë pritjes, kryetari Haliti falënderoi secilin delegacion për pjesëmarrjen, ndërsa ndau mirënjohje për përfaqësuesit e tyre në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin në promovimin e kulturës dhe folklorit.
Festivali Ndërkombëtar i Folklorit, Valleve dhe Riteve “N’Karadak Krisin Tupanat” organizohet nën përkrahjen e Organizatës Ndërkombëtare të Festivaleve Folklorike (CIOFF), ku anëtar është edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” nga Vitia.
Në kuadër të aktiviteteve të festivalit, sonte në qytetin e Vitisë do të mbahet nata qendrore artistike, ku qytetarët dhe mërgimtarët do të kenë mundësinë të ndjekin performancat e ansambleve nga vendet pjesëmarrëse.
Në fund të këtij takimi kryetari Haliti ju ndau mirënjohje pjesëmarrësve të këtij festivali si dhe drejtorit të festivalit./Gjilani INFO/











