Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin Shtetëror Bujqësor të Azerbajxhanit, duke zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkencore.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe paraprakisht është nënshkruar nga Rektori i Universitetit Shtetëror Bujqësor të Azerbajxhanit, Prof. Asoc. Dr. Zafar Gurbanov.
Marrëveshja synon krijimin e një kornize bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë shkëmbimin e stafit akademik dhe administrativ, mobilitetin e studentëve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimin e programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimin e publikimeve shkencore dhe materialeve bibliotekare, si dhe organizimin e konferencave shkencore, simpoziumeve dhe aktiviteteve të tjera akademike. Gjithashtu, memorandumi parasheh shkëmbimin e përvojave lidhur me programet e studimit, metodat e mësimdhënies dhe zhvillimin institucional, si dhe bashkëpunimin ndërmjet studentëve dhe organizatave studentore në aktivitete akademike, kulturore dhe sportive.
Bashkëpunimi do të zhvillohet mbi parimin e reciprocitetit, ndërsa aktivitetet konkrete do të realizohen përmes marrëveshjeve të veçanta, të cilat do të përcaktojnë kushtet dhe mënyrën e zbatimit të secilit aktivitet./Gjilani INFO/


