Pas një angazhimi të gjatë dhe të palodhshëm në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të shumta, mësimdhënësja Zuhrije Rifati nga SHFMU “Thimi Mitko” në Gjilan është pensionuar, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të jetës së saj profesionale.
Me rastin e pensionimit, kolektivi i shkollës organizoi një ceremoni solemne, ku u vlerësua puna, përkushtimi dhe kontributi i saj shumëvjeçar në shërbim të arsimit dhe gjuhës shqipe. Në shenjë respekti dhe falënderimi, asaj iu nda një mirënjohje për rolin e saj në edukimin e brezave të rinj.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së shkollës, Ardhmërie Jakupi-Musliu, e falënderoi për kontributin e dhënë ndër vite, duke theksuar veçanërisht angazhimin e saj në periudhat sfiduese të viteve ’90.
“Kontributi juaj në arsim do të mbetet i paharruar. Ju urojmë shëndet, gëzim dhe suksese në këtë etapë të re të jetës”, u shpreh ajo.
Në mirënjohjen e ndarë për mësimdhënësen Zuhrije Rifati theksohet vlerësimi për punën e saj shumëvjeçare në edukimin dhe formimin e shumë brezave, me dëshirën që pensionimi të jetë një periudhë e mbushur me lumturi, qetësi dhe kënaqësi./Gjilani INFO/




