Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, Halil Musliu, drejtoreshën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Vjollca Kadolli, stafin drejtues komunal, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë pritur sot në takim znj. Mehra Gashi, me rastin e pensionimit të saj pas më shumë se 43 vitesh përvojë pune dhe shërbimi në sektorin e shëndetësisë.
Znj. Gashi, e cila gjatë karrierës së saj ka ushtruar detyrën si mami dhe infermiere në QKMF-Viti, u vlerësua lartë për kontributin e çmuar profesional, përkushtimin institucional dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve ndër vite.
Gjatë këtij takimi, kryetari Haliti shprehu mirënjohje të veçantë për angazhimin dhe punën e saj shumëvjeçare, duke theksuar se profesionistë të tillë kanë luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunën e Vitisë.
Fjalë vlerësimi shprehën edhe drejtori i Shëndetësisë, Halil Musliu, drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli, si dhe stafi i pranishëm, të cilët çmuan lartë profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin e znj. Gashi gjatë gjithë karrierës së saj.
Nga ana e saj, znj. Mehra Gashi falënderoi institucionet komunale, kolegët dhe bashkëpunëtorët për respektin dhe vlerësimin e treguar në këtë ditë të veçantë.
Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për kontributin e saj shumëvjeçar, kryetari Haliti i ndau znj. Mehra Gashi mirënjohje institucionale, duke i uruar shëndet, mbarësi dhe pensionim të qetë./Gjilani INFO/






