Mësimdhënësja e ShFMU “Asllan Thaqi”, Rabije Idrizi, ka përfaqësuar Komunën e Kamenicës në ceremoninë tradicionale të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ku u ndanë mirënjohje për mësimdhënës të dalluar nga e gjithë Kosova. Në këtë ceremoni u nda edhe çmimi kryesor “Shaban Jashari” për mësimdhënësin më të mirë të vitit.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë kishte nominuar mësimdhënësen Rabije Idrizi si mësimdhënëse të dalluar, e cila me këtë rast pranoi mirënjohje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontributin dhe përkushtimin e saj në arsim.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selami Klaiqi, e uroi mësimdhënësen Rabije Idrizi për këtë vlerësim, duke shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin e saj në edukimin e brezave të rinj.
Njëkohësisht, ai uroi të gjithë mësimdhënësit e komunës së Kamenicës me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre të çmuar në arsim./Gjilani INFO/




