Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, znj. Nazmije Demolli Kastrati, përfaqësoi Komunën e Kamenicës në konferencën ndërkombëtare “Resilient Europe through deliberative democracy: Cities and regions in action!”, e mbajtur në Palais de l’Europe, Strasburg – Francë.
Konferenca mblodhi përfaqësues nga qytete dhe rajone të ndryshme të Evropës dhe trajtoi rëndësinë e demokracisë deliberative për të përballuar sfidat moderne, si polarizimi, dezinformimi, krizat politike, pabarazitë dhe ndarja urbane–rurale.
Koordinatorja e NJKDNJ-së, znj. Nazmije Demolli Kastrati, tha se:
“Pjesëmarrja në këtë konferencë ishte një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer përvoja profesionale dhe për të mësuar nga praktikat më të mira evropiane në fushën e demokracisë deliberative. Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar në avancimin e transparencës, përfshirjes qytetare dhe vendimmarrjes së bazuar në dialog.”
Sesionet kryesore të konferencës përfshinë:
• Demokracinë nën presion dhe rolin e demokracisë deliberative për të rritur besimin e qytetarëve;
• E ardhmja e demokracisë deliberative dhe sfidat në përfshirjen e qytetarëve në politikbërje
• Rolin e organizatave ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian dhe OECD, në mbështetjen e inovacioneve demokratike lokale;
• Vizionet për të ardhmen, duke përfshirë diskutimet mbi Paktin e Ri Demokratik dhe forcimin e deliberimit qytetar.
Pjesëmarrja e Kamenicës nënvizon përkushtimin e Komunës për avancimin e demokracisë, përfshirjen e qytetarëve dhe rritjen e transparencës në vendimmarrje./Gjilani INFO/





