Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë tjerë, morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të 150 të rinjve në Universitetin “Kadri Zeka”.
I pari i Gjilanit, tha se kjo është një ditë e veçantë për të rinjtë, familjet e tyre dhe për gjithë qytetin tonë.
Ai falënderoi rektorit Artan Dermaku, për pritjen dhe përkushtimin e tij, si dhe stafit akademik që i udhëhoqi këta të rinj gjatë rrugëtimit të tyre.
“Urime të gjithë të diplomuarve dhe familjarëve të tyre. Ky është vetëm një hap drejt realizimit të ëndrrave dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për Gjilanin dhe Kosovën”, tha kryetari Alban Hyseni.
Kryeministri Albin Kurti, tha se kjo është një ditë e paharrueshme për të gjithë ju, ditë që shënon kurorëzimin e angazhimit dhe përkushtimit tuaj gjatë këtyre viteve të studimit.
“Universiteti Publik “Kadri Zeka”, që nga dita e themelimit është bërë vatër e dijes për mijëra të rinj e të reja, jo vetëm nga Gjilani e Anamorava, por edhe nga Lugina e Preshevës e deri në Kumanovë”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, theksoi se ky institucion vazhdon traditën universitare të këtij qyteti që prej vitit 1958, duke përgatitur gjenerata mësimdhënësish, studiuesish dhe profesionistësh të fushave të ndryshme, që kanë lënë gjurmë e vazhdojnë të kontribuojnë për vendin tonë.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka, Artan Dërmaku, tha se të diplomuarit janë dëshmi e përkushtimit, punës së palodhshme dhe mbështetjes së familjeve e stafit akademik.
“Universiteti ynë, ka arritur rezultate të rëndësishme, si akreditimi institucional pesëvjeçar, zgjerimi i programeve, forcimi i hulumtimit shkencor dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.
Por sipas Rektorit, sfidë mbetet ndërtimi i kampusit modern dhe rritja e kapaciteteve shkencore e teknologjike./GJILANI INFO/






