“Gastronomët tanë kanë kaluar sfida të mëdha që nga pandemia që i goditi rëndë, e deri te politikat jo të favorshme të qeverisjes aktuale. Prandaj është koha të sigurohet një qasje më e drejtë ndaj tyre”, ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i LDK-së, Dega në Gjilan, njëherësh edhe kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e 12 tetorit të këtij viti.
Sipas tij, për gastronomët duhet të ketë një orar pune i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm, që të mos dëmtohet kjo kategori që gjeneron ekonomi dhe vende pune për qindra familje.
“Të krijohet një rregullore e balancuar për ndotjen akustike, që të jetë në favor të gastronomëve, por edhe të qytetarëve për t’u siguruar që lokalet të funksionojnë lirisht, ndërsa qytetarët të kenë qetësinë e tyre”, ka thënë ai.
Ismajli thotë se Gjilani ka një rini dhe qytetarë që kanë nevojë për argëtim, relaks dhe hapësira të lira kulturore e sociale, e gastronomia është pjesë e rëndësishme e kësaj jete.
“Është koha vendimtare që gastronomët të përkrahen fuqishëm, sepse përmes tyre përkrahet zhvillimi ekonomik, turizmi, kultura e argëtimit dhe vetë qyteti ynë”, thekson ai./GJILANI INFO/


