Në Athinë të Greqisë, u mbajt takimi hapës “Kick-off Meeting” i projektit Erasmus+ CBHE AGILE, ku Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, është partner aktiv në zbatimin e këtij projekti ndërkombëtar.
Në këtë punëtori mori pjesë delegacioni i UKZ-së i udhëhequr nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, si dhe Drejtorin e Financave, z. Valon Kllokoqi.
Takimi u zhvillua në ambientet e Universitetit Harokopio të Athinës dhe shënoi nisjen zyrtare të projektit AGILE, i cili synon modernizimin e arsimit të lartë përmes kalimit nga mësimi tradicional teorik drejt zhvillimit të kompetencave praktike dhe ndërdisiplinore. Projekti gjithashtu ka në fokus forcimin e bashkëpunimit universitet–industri–politikë publike, si dhe harmonizimin e programeve studimore me prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian, përfshirë Agjendën Digjitale dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.
Pjesëmarrja e UKZ-së në projektin AGILE dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të universitetit për ndërkombëtarizim, inovacion dhe rritje të cilësisë në arsim. Përmes projekteve Erasmus+, UKZ është shndërruar në një partner jo vetëm evropian, por edhe global, duke marrë parasysh se në këtë projekt marrin pjesë institucione nga vende të ndryshme, përfshirë edhe Kenia.
Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një arsimi të lartë më fleksibël, më të lidhur me tregun e punës dhe më të përshtatur me sfidat bashkëkohore globale. /Gjilani INFO/






