Prodekani i Fakultetit Juridik të Universitetit Publik “Kadri Zeka”,në Gjilan, Prof. Ass. Dr. Vaxhid Sadriu, ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu.
Gjatë këtij takimi, palët diskutuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në realizimin e praktikës profesionale të studentëve të Fakultetit Juridik pranë Gjykata Themelore në Gjilan.
U vlerësua lart rëndësia e përfshirjes së studentëve në procese praktike, si një mundësi për të fituar përvojë të drejtpërdrejtë në sistemin gjyqësor dhe për të ndërlidhur njohuritë teorike me praktikën.
Prodekani Sadriu theksoi se Fakulteti Juridik i Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përgatitjen profesionale të studentëve, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë.
Nga ana e tij, kryetari Salihu shprehu gatishmërinë e Gjykatës Themelore në Gjilan për të vazhduar mbështetjen ndaj studentëve praktikantë, duke theksuar se praktika profesionale është një hap i rëndësishëm në formimin e juristëve të rinj dhe në përgatitjen e tyre për tregun e punës. /Gjilani INFO/


