Prend Buxhala
Botim i ri nga Ramadan Mehmeti: ”SHTEGTIME NË SHPIRT”, poezi, botoi “ROZAFA”, Prishtinë 2024
Vëllimi poetik “Shtegtime në shpirt” i Ramadan Mehmetit shquhet për të njëjtat veçori të pasura artistike që i ka poezia e tij e përparshme. Na dëshmon edhe kësaj radhe se ai nuk heq dorë nga një paradigmë poetike e poezisë sonë, që është krijuar gjatë viteve ’70 të shekullit XX, në të cilën elementet themelore të ligjërimit poetik përdoren me prirje, me cilësi e me harmoni. Këto përvoja poetike tashmë janë të njohura, ku ai gjen mbështetjen e tij në traditat mitike e folklorike, në lidhjet ndërtekstuale me motive engjëllore, të djajve, miteve, vdekjes, ekzistencës, me moto lutjesh, me artikulime ironike etj.
Duke u shfaqur në poezinë tonë që më 1977 me vëllimin poetik “Jeta pa titull”, Ramadan Mehmeti ka krijuar në mënyrë aktive deri më tash; duke e bërë artin e tij poetik pjesë të zhvillimeve e kthesave të vrullshme historike e të vorbullave ekzistenciale ndër ne; rrethana që kanë ndikuar në ambientin tonë krijues, përgjithësisht, e në atë personal të autorit, veçanërisht.
Pati, këndej, thyerje kohësh, ashtu sikundër ndodhën edhe procese e transformime zhgënjyese e degraduese, zhvlerësime morale, ekzistenciale e estetike, erdhi një realitet shpesh i pakëndshëm, që prek shpirtin krijues e intelektual. Të gjitha këto reflektohen edhe në këto poezi, me tablonë e përgjithshme të imagjinatës poetike të këtij realiteti të ndërliqshëm.
Kjo do të thotë që një lirikë e tipit irrealist, të figurshëm, ngërthen ata tregues artistikë të dikurshëm, por që rivitalizohen tashmë ndryshe: tregues që sfidojnë realitetin dhe logjikën tradicionale, duke krijuar realitete artistike që janë më shumë përfytyrime sesa përjetime. Nuk është e rastit, prandaj, përse te poezitë e R. Mehmetit gjejmë një gërshetim të prirjeve estetike e fantastike dhe të përjetimeve psiko-lirike për të krijuar një efekt të veçantë…/GJILANI INFO/


