QKMF-ja, në koordinim me Qendrën e Shëndetit Publik në Gjilan dhe DKA-në në Viti, ka ndërmarrë një varg aktivitetesh për të shënuar këtë ditë.
Në shkollat e Komunës së Vitisë, personeli arsimor ka mbajtur ligjërata vetëdijesuese me nxënësit për sëmundjen e diabetit, parandalimin, vetëdijesimin dhe pasojat që lë sëmundja e diabetit.
Gjithashtu, janë shpërndarë edhe fletushka dhe materiale vetëdijesuese për pacientët e rastit.
Gjatë këtyre aktiviteteve janë dhënë edhe këshilla për pacientët me diabet, ku shumë e rëndësishme është të lajmërohen te mjeku për kontrolle të rregullta, edhe pse mund të ndihen mirë dhe të mos kenë probleme. Duhet të kenë kujdes, pasi komplikimet e diabetit zhvillohen në heshtje dhe nuk shkaktojnë simptoma në fillim, por me kalimin e kohës ato dëmtojnë organet e ndryshme, si zemrën, trurin, veshkat, sytë, enët e gjakut, indet, etj.
Përndryshe, kjo ditë shënohet më 14 nëntor, në koordinim me rekomandimin e Federatës Ndërkombëtare të Diabetit. Shënimi i kësaj dite është vendosur duke u bazuar në rritjen e vazhdueshme të sëmundjes së diabetit në botë./Gjilani INFO/


