Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, Prof. Dr. Dukagjin Leka, së bashku me Dekanin e Fakultetit, Prof. Assoc. Dr. Selim Daku, morën pjesë në punëtorinë dyditore të mbajtur javën e kaluar në Universitetin Thomas More në Mechelen, Belgjikë.
Punëtoria kishte për qëllim përmirësimin dhe forcimin e ri-aplikimit të projektit BRIDGE2E – Regional HEI–Business Ecosystem for Entrepreneurship & Employability, për të cilin partnerët kishin aplikuar vitin e kaluar dhe nuk ishte fituar për një diferencë shumë të vogël pikësh.
Kjo punëtori përfaqëson një hap kyç në procesin e ri-aplikimit të projektit, duke adresuar drejtpërdrejt Raportin Përmbledhës të Vlerësimit të Komisionit Evropian. Fokusi kryesor ishte bashkë-hartimi i një Ekosistemi Rajonal të IAL-Biznes, i cili të jetë i besueshëm, realist dhe i qëndrueshëm, me theks të veçantë në integrimin e palëve të interesuara, angazhimin aktiv, validimin e rezultateve dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
Projekti BRIDGE2E nuk fokusohet vetëm në aspektin pedagogjik, por synon ndërtimin e një ekosistemi funksional të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe biznesit, i cili të funksionojë në praktikë në nivel organizativ, institucional dhe ekonomik. Shqipëria dhe Kosova janë vendet kryesore përfituese të projektit, ndërsa Belgjika dhe Spanja marrin pjesë si kontribues të përvojës dhe partnerë të të nxënit, duke reflektuar dhe përmirësuar njëkohësisht modelet e tyre të ekosistemit.
Punëtoria u karakterizua nga një angazhim i jashtëzakonshëm i të gjithë partnerëve nga Belgjika, Spanja, Kosova dhe Shqipëria, duke dëshmuar përkushtimin e përbashkët për ndërtimin e një projekti cilësor dhe konkurrues në nivel evropian.
Aktiviteti u mbështet nga Universiteti Thomas More në kuadër të programit Erasmus+ ICM – KA171. /Gjilani INFO







