Arben Veselaj
(Sali Bytyçi: “Shinat e braktisura”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2024).
Libri poetik “Shinat e braktisura” i autorit të mirënjohur nga Prishtina, Sali Bytyçi, është i shkruar me një frymëzim të lartë. Në poezitë e këtij libri, mbi të gjitha, ka lartësim për të mirën dhe përbuzje për të keqen. Poezitë e këtij libri brenda tyre e kanë këngën, filozofinë, historinë, kulturën, kritikën dhe dramën njerëzore.
Ky libër, si rrallë ndonjë tjetër, na bënë dëshmi se poezia, përveç ndjenjë, është edhe dije. Autori Bytyçi, ashtu si edhe në librat pararendës, e shkund fjalën shqipe për t’ia nxjerrë ndryshkun, për ta bërë stoli e figurë, në një tablo të gjerë e harmonike fjalësh.
Libri “Shinat e braktisura” na mban frymën përgjatë të gjitha faqeve, herë-herë duke nga shpënë viseve të pashkelura të magjisë së gjuhës shqipe. Fjalët, vargjet dhe strofat janë matur e peshuar shumë herë nga poeti, para se të zënë vend në faqet e këtij libri, për të na dhënë në fund një afresk të bukur ndjenjash e mendimesh.
Libri “Shinat e braktisura” na bënë dëshmi se Sali Bytyçi është poet me dije të thellë letrare dhe me ndjeshmëri të lartë emocionale. Ashtu siç është kritik në shkencën dhe dijen letrare, mendimin kritik ai e shkrin edhe brenda poezisë, duke na dhënë një lloj “poezie kritike”. Edhe kur shkruan poezi për kohën e burgut dhe të ekskomunikimit, edhe kur shkruan poezi për kohën e lirisë, atij nuk i mungon kritika e mprehtë mbi realitetet groteske.
Brenda këtij libri, lexuesi i rëndomtë, ashtu sikurse edhe ai i kultivuar, do të gjejë figura të goditura, kuptime të bartura e mendime të thella për shumë çështje shqetësuese për njeriun e sotëm dhe të nesërm të shoqërisë njerëzore.


