Ka ndërruar jetë Sherafedin Kadriu, një nga figurat e njohura të kulturës, letërsisë dhe trashëgimisë shpirtërore në Gjilan dhe më gjerë.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët përmes një njoftimi kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen, duke paralajmëruar se detajet rreth ceremonisë së varrimit do të bëhen publike me kohë.
Kadriu lë pas një veprimtari të pasur si studiues letrar, poet e prozator, si dhe si njohës i përkushtuar i arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore. Kontributi i tij i fundit ishte edhe në kuadër të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, ku dha një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore.
Ai do të kujtohet edhe si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke ndikuar në edukimin e shumë brezave, si dhe si veprimtar aktiv në jetën shoqërore e politike. Po ashtu, ishte i angazhuar në aktivitete humanitare, veçanërisht në kuadër të shoqatës “Nënë Tereza”.
Me përkushtimin dhe punën e tij, Sherafedin Kadriu ka lënë gjurmë të thella në jetën kulturore dhe letrare, duke qenë një frymëzim për shumë krijues dhe një mbështetje për zhvillimin e tyre artistik./Gjilani INFO/


