Nga data 19 deri më 22 janar 2026 , Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel
Gazmend Hoxha , së bashku me delegacionin e tij, zhvilloi një vizitë zyrtare studimore në Shtetet
e Bashkuara të Amerikës (SHBA) , konkretisht në departamentin e policisë së San Antonios,
Teksas, me qëllim forcimin e bashkëpunimit profesional dhe institucional me autoritetet
amerikane të zbatimit të ligjit.
Vizita u drejtua dhe u mbështet nga ekipi i DOJ-ICITAP i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara,
ndërsa delegacioni u prit nga Departamenti i Policisë së San Antonios (SAPD). Kjo vizitë u
zhvillua në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet
Policisë së Kosovës dhe SAPD-së, duke shënuar një hap konkret drejt avancimit të
bashkëpunimit dypalësh.
Gjatë qëndrimit në San Antonio, Teksas, delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi një sërë
takimesh profesionale dhe vizitash institucionale, të fokusuara në policimin e udhëhequr nga
inteligjenca, praktikat bashkëkohore hetimore, luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë
trafikimin e narkotikëve, analizën e inteligjencës se integruar dhe strategjike, operacionet e
fshehta dhe menaxhimin modern të strukturave policore. Po ashtu, u diskutuan qasje strategjike
të udhëheqjes policore dhe modele bashkëpunimi ndërinstitucional.
Vizita përfshiu edhe një takim në nivel ekzekutiv me udhëheqjen e Departamentit të Policisë së
San Antonios, ku u riafirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e partneritetit, shkëmbimin e
përvojave profesionale dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.
Kjo vizitë pune forcoi më tej partneritetin strategjik ndërmjet Policisë së Kosovës dhe
Departamentit të Policisë së San Antonios, Teksas, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve
profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ndërtimin e marrëdhënieve afatgjata
institucionale.
Profesionalizëm / Integritet / Llogaridhënie
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional,
bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë dhe sundimit të
ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike./Gjilani INFO/











