Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në Gjilan ka mbajtur sonte një takim të përbashkët të strukturave të LDK-së, me qëllim të mobilizimit të plotë për zgjedhjet e balotazhit të 9 nëntorit.
Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan, ka thënë se tri gjenerata të LDK-së u bëmë bashkë sonte, për t’ia rikonfirmuar krejt mbështetjen dhe dashninë Arbër Ismajlit, në garën e 9 nëntorit, i cili ështē besë dhe shpresë për Gjilanin.
“Në sallën, në të cilën 35 vite më parë kemi mbajtur Kuvendin e Parë Zgjedhor të LDK-së, u rikonfirmua në të njëjtën kohë uniteti i madh për ta nxjerr Gjilanin nga kjo errësirë e gropë e zezë, për t’ia kthyer namin e një kryeqendre politike, ekonomike, arsimore, të sigurisë, kulturës, sportit e rinisë”, ka thënë tutje Haziri.
Tutje, i pari i LDK-së së Gjilanit ka thënë: “Ju sigurojmë që Arbëri me LDK-në, do të qeverisin me duar të pastra e me dyer të hapura për qytetarët dhe nga një Gjilan i përjashtuar e i braktisur, do ta shndërrojë në komunë që ju të ndiheni me dinjitet. Ai po vjen. Besë dhe shpresë për Gjilanin”.
Edhe Jehona Lushtaku – Sadriu nga LDK-ja qendrore ka thënë se presin fitoren e madhe të Arbër Ismajlit.
Ndërsa në fjalën e tij, Arbër Ismajli i cili do të jetë kandidati i LDK-së që në balotazh do të ballafaqohet me Alban Hysenin e Vetëvendosjes, ka thënë se Gjilani është zemra e LDK-së, qytet që meriton një zhvillim më të madh, një Gjilan që nuk ndahet, por që bashkohet.
Ai tha se garanton qytetarëve punë të ndershme, andaj kërkoi mbështetjen që Gjilani të bëhet qytet i punës, besës e shpresës.
Përndryshe, duke iu referuar këtij takimi, Arbër Ismajli më pas shkroi në profilin e tij: “Sonte, në këtë sallë historike të Teatrit të Gjilanit, ku 35 vite më parë u mbajt Kuvendi i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, zemra e Gjilanit rrahu fort për LDK-në, për historinë, për të ardhmen dhe për fitoren e Gjilanit që po vjen më 9 nëntor. Faleminderit shumë për përkrahjen dhe besimin. Do të mbetem gjithmonë mirënjohës për jetë e mot!”. /Gjilani INFO/





