Nga: Nexhat Rexha
Beqir Musliuꓽ “Orfeiana”, Botoi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2004. 457
Vëllimi poetik “Orfeiana”, i Beqir Musliut është shpalim reprezentativ poetik, që ngërthen në vete arritjet e dalluara poetike. Vepra “Orfeiana” është përgatitur për gjallje të autorit, mirëpo, jeta dhe koha ndalojnë në finalizimin e diçkaje që njeriu konsideron se mund të arrijë deri në finalizim të saj. Kjo qasje, sikur ka krijuar indikacionet, në përshpejtimin shëndetësor të Beqir Musliut, përkundër kësaj gjendje ai punoi pareshtur në të gjitha zhanret krijuese deri në frymëmarrjen e fundit.
Vepra poetike “Orfeiana” është konceptuar në shtatë libra, të cilat brenda tërësisë poetike kanë depërtime nga më të ndjeshmet në organizimin krijues të autorit. Në këto shtatë libra, strukturimi i brendshëm artikulon botën krijuese, si metaforë dhe si alkimi e mendimit krijues në organizim të përgjithshëm artistik, duke zgjedhur krijimet poetike si perla komunikuese.
Në këtë përzgjedhje Beqir Musliu ka inkorpuruar poezi të botuara dhe të pa botuara më parë. Ndonjë nga këto poezi të zgjedhura është botuar në shtypin e kohës. Një pasus përzgjedhës i poezive të këtij libri është marrë nga vepra poetike“Darka e Magjisë”, e botuar nga “Rilindja” në vitin 1978. Pjesa tjetër e librit është poezi e krijuar brenda një periudhe më të gjatë kohore. Po që autori e konsideron se ajo përcakton një unifikim të përbashkët dhe plotëson dëshirën e tij. Përkundër kësaj, ajo nuk u botua për gjallje të tij dhe si e këtillë, realizohet, në botim të Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, në vitin 2004. Kështu libri poetik “Orfeiana” brenda tërësisë së saj ka shpërfaqjen e dëshirueshme për lexuesin e saj.
Poezia e Beqir Muliut në të gjitha vëllimet poetike ka parashtrimet përtej kohës së tij dhe për këtë arsye nga në pjesë e studiuesve dhe lexuesve e kanë konsideruar poezi hermetike, në realitet vargjet dhe meditimet artistike të tija kanë shtirje më artikulime e konkretizuese për kontekstet shoqërore të atyre periudhave kohore. Ato kanë depërtime të shprehjes e mendimit më të thellë filozofik të cilat përmes metaforës dhe stilistikës poetike kanë krijuar shtratin në shtrirje shumëdimensionale, si të këtilla shkrimet e tija, ka komunikuar në shtrirje më të gjata, e në faktorizim më koherent me kohët e dhembjet e heshtura të etnikumit kombëtar.
Vepra “Orfeiana”, në titull ka të ndërtuar kompozitën kompozicionale më melodinë mitike, që nga Antika e deri të ditët e sotme, sepse dihet mirëfilli, akustika e fyellit të Orfeut. Në këto relikte kohësh dhe shtrirjesh të zërit lirik-gojor, të bartur nëpër shekuj, vjen edhe poezia e Beqir Musliut, nga të gjitha këto brumosje, ruajtje e bartje të njeriut tonë ajo ka reflektuar gjithnjë në avancim të fjalës artistike.
Libri hapet me poezinë “ Hagjiografia e Orfianës”, në realitet, poezia brenda shtjellimit ka të trajtuar epoka disa vjeçare të botës njerëzore, që determinojnë krijimin e universit poetik nëpër të gjitha mundësitë e Orfianës së tij, ajo vjen si filozofi e përjetimeve dhe e bërjes jetësore për të munduar kohët e trishta, të cilat kanë krijuar situata nga më të komplikuarat. Këtë ekzistencializëm Beqir Musliu, në vargje e riaktualizon nga zanafilla njerëzore deri në dhembjet e ditëve tonaꓽ.
Më thanë Ademi harroi mëkatin e pafalshëm
Në fytyrën tënde u shpërla purpuri i fshehtë
Më zhveshën lakuriq dhe më përgatitën Varietetin
Gllamën atëbotë më përbiruan nënsqetullave….[1]
I tërë vargnimi poetik, krijon shtrirjen brenda kompleksitetit të Alkimisë, si shfaqje e kërkim i mileniumeve kohore, si shenjtëri për të ruajtur tokën e të parëve, që në këtë kontekstin e brendshëm shpirtëror ai e ruann dinjitetshën tokën e të parëve të tij Gjilanin e lindjes dhe gurorën e Gllamën. Simbolika e gurit është vetë jeta e njeriut të tij, e cila vjen si ormanent i krijuar në hapësirën e qëndrueshme të horizontit tokësor dhe qiellor përmes figurave të shprehura në vargje, e që ato bartin objektivin e mesazhit brenda tekstit.
Poetika në vazhdën e tjetërsimit
Idejshmëria estetike në konceptimin e ndërtimit poetik në këtë vëllim, sinkronizon pjesët më vitale të poetikës artistike me tipologjinë e toposit dhe etnosit. Brenda tërësisë poetike Beqir Musliu, ka bashkërenditur mendimin dhe e anatominë në radhitjen koherente të ngjarjeve historike, duke i veshur ato gjithnjë me veshje e brumosje artistike, me figuracionin e konsiderueshëm gjuhësor e stilistik.
E gjithë poezia e proza e tij të ofroj kredon e ndjeshmërisaë deri në thellësi të mendimit artistik. Këto shpalosje, vijnë si rezultat i përkushtimeve të tija, sepse vetë parashtrimi në gjerësi kohore dhe lidhshmëria e ngjarjeve në bashkëdyzim, me metodologjinë moderne, ka ndikuar që vepra poetike e Beqir Musliut, te tjetërsoj fjalën përmes metaforës artistike, e cila poezinë e tij e ka vë në binar të lëvizshëm e të bashkërenditur me rrjedhën e letërsive më të avancuara Evropiane.
Brenda poezisë së tij, konkretizimi artistik krijon lidhjet e gjata nëpër diktate të sundimeve, ato vijnë si kërkesa për ndërgjegjësim dhe si kërkesa që artikulojnë të ardhmen e njeriut të tij.
Si në poezitë e vëllime tjera, poashtu edhe në këtë përzgjedhje të tij, pozitë kanë figuracionin e klithjeve të deri në vetëflijim, sepse brenda vargjeve, zëri i poetit është kushtrim, thirrje kryengritëse, zëri i poetit është filozofia e të armdhes, sepse kur fjala konkretizon në ide, ajo ndërthurë vetëdijesimin e njeriut të tij. Të gjitha këto atribute janë të kristalizuara nëpër peshoren e mendimit filozofik, si rekapitullim i nivelit të të kuptuarit artistik që nga zanafilla e botës njerëzore deri në ditët e sotme. E gjithë kjo strukturë, e ndërtuar mbi bazën e njohjes dhe kërkimit të fjalës, ndërgjegjëson heroin e kërkuar. Në realitet heroi i Beqir Musliuat, në poezinë e tij është i natyrshëm, sepse ai ka brumosjen e tij të kultivuar nëpër të gjitha fazat jetësore, si vetë poezia e tij në këtë vëllim poetik. E gjithë kjo shpalosë vizionin e përpjekjeve të gjata në ekzistencializmin e njeriut të kësaj toke.
Angazhimi poetik ka rrjedhshmërinë e unifikimit të mendimit në metafizikën e natyrshme, si modifikim i konceptit të ndërtuar nëpër thellësitë tradicionale të botës shqiptare, gjithnj; duke i dhënë frymëmarrjen e kërkuar në epikën dhe lirikën tradicionale.
Mirëpo, konstruksioni i brendshëm përforcon të gjitha arteriet ndërtuese poetike, si relacion i vazhdueshëm në identifikim të individualitetit poetik dhe fatit të kolektivitetit.
Koordinimet artistike vijnë me precesionet progresive në poezinë e tij. Në këto afirmacione të mbuluara nëpër kohë, poezia e Beqir Musliut, sikur njeriut të tij i ofron idealizëm e druajtur, të ruajtur nëpër brezni. Revolta, mospajtimi poetik gjenë shtegdalje në përditshmërinë e cikleve të librit “Orfeiana”,si nëꓽ Karta e Alkimis. Poetika e Përditshmërisë, Alkimia apo Zanafilla, Fyelli apo Anatomia e Fjalëve, Zanafilla apo Alkimia, Hiret e Fjetura, Vazhdimi i Alkimisë. Të gjitha këto emërtime i paraprijnë dhe hapin shtigje për të kërkuar kodeksin artistik të Beqir Musliut, ato vijnë e frymëzojnë për njohje dhe kërkimnjohje të vazhdimësisë poetike, në relacionet e botkuptimit njerëzor dhe hyjnor, si filozofi e trashëguar nëpër thesaret ruajtura në ndërgjegjen e kërkimit të lirisë së munguar.
Fjala testament si burim në riktijimin poetik
Në të gjitha variantet e krijimeve poetike, ndërtimet kanë avancimet tematike në shtrirje të gjerë, ato prejudikojnë fjalën si testament përmes figurave të skalitura në konkretësi të brendshme, në meditim, vizion dhe qartësie poetike. Në këto korrelacione kohësh dhe ngjarjesh, Beqir Musliu, ka krijuar bukurinë e fjalës përmes ironisë dhe shpresës, Në këto kontraste kohësh e flijimesh, dinamika e groteskes, në shoqëri i ka dhënë faktorizim poezisë, në brumosje e në tendencën fjalës në funksionim të mitit, si objektivë ndriçuese në rrethanat shoqërore. Kështu, poezitë e përmbledhura në vëllimin “Orfeiana”,determinojnë e faktorizojnë, rolin e shkrimtarit me botën krijuese nëpër katarsiset botës njerëzore, si drejtpeshim dhe artikulim të ruajtur nëpër frymëmarrjet e kohëve, ato vijnë e krijojnë rriten e tyre në botën moderne të poetikës së Beqir Musliut.
Që në librin e parë ‘Metafizika e Sfidimit”, në poezinë “Hiri”, autori gërsheton elementet mitike të fyellit të Orfeut, sepse, frymëmarrjet parapërcaktojnë melodinë në të gjitha variantet poetike, si ndërgjegjësim për të mundur parafytyrimet e mundshme që vijnë nga të gjitha rrethanat kohoreꓽ
Ti shpëtoj kipcit tim në pasqyrë
Që përgatiti vetëvrasjen e Ikarit në fytyrë[2]
Pra, në të gjitha librat e këtij vëllimi, Beqir Musliu i ka radhitur në modifikim,e në përmasa të realizimit të premisave sa më të konkretizuara, të cilat burojnë nga shpirti i poetit. I tërë semantizmi poetik realizohet në qartësinë e shtruarjes së ideve në konceptin poetik, përmes racionalitetit të fjalës, e cila krijon harmonizimin e mëvetësishëm poetik, si qasje dhe orientim për lexuesin në kërkim të kontinuitetit të mesazhit deri në thellësi pikëtakimit.
Gjithnjë në kërkim për arrirë në destinacionin e verifikuar për qenësinë biografike të njeriut poetꓽ
Në maje të shpatës kam ecur që të shkoj në këmbë
Që të jem vdekja jote dhe emri im i parë[3]
Apo në vazhdimësinë e këtij libri, si në poezinë “Alkimia e gurit”ꓽ
Në cilin gur do të më zbulohet rrashta[4]
Vdekja dhe të bëmat janë të lidhura ngushtë me orientimet jetësore, këto fusha të ecjeve të përbotshme, poeti i sheh si fusha të minuara, andaj ai beson në gurin, simbol dhe në gurin metaforë. Alkimia e gurit , në poezinë e Beqir Musliut, është qëndresa e kristaltë në sytë e botës së civilizuar, dhe si e këtillë ajo është pasqyrim i një kulture me shtrirjen gjeografike të tij.
Ndërkaq, në librin “Klepsidra e Magjisë”, janë radhitur edhe disa poezi të marra nga libri”Darka e Magjisë”, botuar më parë. Beqir Musliu ka përzgjedhur një pjesë të poezive brenda këtij libri, të cilat karakterizojnë në shpërfaqjen e botës krijuese të tij, si testament i qëndrueshëm përtej të nesërmes. Magjia e Klepsidrës, prejudikon rrjedhat e jetës nëpër krajatat e pandalëshme, në parafytyrimin e profilit krijues e njerëzor, sepse vetë jeta krijon mite, e në këto mite, vijnë edhe ngjarjet dhe objektivat që të japin përmasat statistikore të objektivave të jashtme dhe të brendshme, pamja e jashtme e një objekti të ofron shikueshmërinë për çdo këndë, ndërsa pamja e brendshme e një objekti është enigma dhe anatema e kësaj bote, në këtë vorbull ngjarjesh, autori në poezinë “Anatema A” thekson në vargjeꓽ
Mund të përbirohemi nëpër rrathët antik
Në fund të këtij udhëtimi mbeti udhëtar
Ai që mbeti i uritur në Darkën e Magjisë[5]
Apo si në pjesën e këtij cikli poetik “Orfeum 4”, ku ai shprehet si në vargjetꓽ
Për fundin e baladës së filluar
Ja Po të flet vetë zanafilla
Që i ka shtrirë krahët engjëllorë
E të struk në Olimpin e vet
Që ka krijuar nga çdo gjë nga pak
Edhe prej shuplakave të mia
Ku e ulin Diellin metaforë
Ku Bozhurët e Kosovës do të flasin
Për vetë zanafillën që pikon[6]
Pas leximit të tërësishëm të librit “Orfeiana;” Beqir Musliut , të ofron veçoritë dalluese me kodeksin etik, si referencë në përsiatjet poetike të një bote krijuese, ku e zakonshmja determinon në krijimin e realitetit kontestues nga verdikti i shtresave të gjera, Në këtë ruajtje e kërkim të origjinës identiteti i Orfeian krijon kuptimin e fjalës në origjinë, pastaj poezia merr përkufizimin brenda tërësisë së shtjelluar .
Veçoritë dalluese në poezinë e Beqir Musliun, në këtë vepër dhe në të tjera, të japin fiksimin në përqendrim të kërkimit të fjalës së pafundme etimologjike dhe forcojnë mesazhin deri në përsosshmëri të ndërtimit artistik, si vlerë estetike dhe si afirmim i letërsisë shqiptare.
Kritiku letrar Ramadan Musliu , për librin “Darka e Magjisë”, në ditët kur doli libri nga shtypi, ndër të tjera shkruanꓽ”Libri “Darka e Magjisë ndoshta, vlerësuar nga kjo mënyrë e formësimit të tekstit dhe strukturimit logjik që si parim ka natyrën e imanencës poetike, është libri më i suksesshëm i letërsisë shqiptare”[7]
Libri poetik “Orfeiana “ i Beqir Musliut i botuar pas vdekjes së autorit , aktualizon edhe më tej kërshërinë kërkimtare të veprës së plotë, e cila është shkruar e botuar në zhanre të ndryshme, ajo është ende e pa botuar si tërësi. Mirëpo, brenda këtij vëllimi poetik konstatojmë se projektimi i veprës letrare ka shtrirje të gjerë në arealin topografik të kulturës sonë. Poezia e Beqir Musliut, ajo e shkruar para viteteve të 90-ta në Kosovë, kërkon qasje më kërkimtare të figuracionit artistik, sepse trajtueshmëria estetike dhe mesazhet e dhëna brenda tekstit, atëherë dhe sot, kërkojnë njohje të diktatit shoqëror në periudhën e totalitarizmit në Evropë, e veçmas ndaj fjalës së shkruar shqipe në Jugosllavi. Duke u nisur nga këto rrethana kohore, poezia e Beqir Musliut, ka dallueshmërinë estetike dhe dallueshmërinë metaforike, e cika e ka mundur edhe sistemin e kohës.
Duke pasur parasysh, rrethanat e jetës letrare në Kosovë, e sidomos fryma kulturore e krijuar në Rilindjen e atyre viteve, dhe veprat tjera të shkruara nga kjo plejadë, arti në atë periudhë kohore, arrin objektivën më të ndritshme letrare. Shkrimet e Beqir Musliut, kanë shtrirjen kohore në forcim të standardizimit të fjalës, si përqendrim dhe kodeks artistik, gjithnjë të veshur me petkun mitologjik dhe në zgjedhjen e fjalës burimore, me kodim nga bota e pasur bimore, e cila ka ruajtur brenda vetes fleksibilitetin e dhembjeve të gjata në plagët e pashëruara të anatomisë së njeriut të tonë.
Atëherë dhe sot poezia e Beqir Musliut, kërkon, vëmendje dhe njohje të thella të fjalës si përceptim dhe semilogji në ndërthurjen e fantazisë psikologjike, gjerë në pagjumësi të muzës, e në kërkim për të nesërmes.
Gjilan, 24 janar 2026
[1] Beqir Musliu. “Orfeiana”,Botoi ,“Faik Konica, Prishtinë, 2004 fq.457,”
[2] Po aty.fq.49
[3] Po aty fq.60
[4] Poaty fq.65.
[5] Po aty.fq.155.
[6] Po atyfq.168.
[7] Revista javore “ Zëri i Rinisë”, 1978.fq.17


